Lajme

Ekskluzive – Kallëzime kundër administratorëve dhe ndërtuesve: Po fshehin dëmet nga tërmeti

Një fenomen i ri po shfaqet pas tërmetit. Prokuroritë pa hasen me kallëzime të qytetarëve ndaj ekspertëve dhe administratorëve të pallateve. Gazeta “Si” disponon ekskluzivisht kallëzimin e një qytetari të dorëzuar në policinë e Farkës.
Nebi Muçaj u thotë autoriteteve se administratori i pallatit ku ai jeton po fsheh gjurmët e tërmetit dhe se dëmet mund të jenë më të mëdha.
"Pas tërmetit, në pallatin ku jetoj, ka rënie të suvasë dhe dëme të shumta, madje edhe brenda në banesë. Pashë me sytë e mi plasaritje edhe tek shkallët. Thashë dhe kërkova komisionin e vlerësimit. Në datën 1 dhjetor ekspertët dhe administratori bënë debate. Ai quhet Sherif Kodhelaj. Ky person nuk na vuri në dijeni për punimet që po kryhen dhe për dëmet. Dyshoj për manipulim dhe fshehje të dëmeve”, vazhdon më tej kallëzuesi.
Policia ka thirrur për pyetje menjëherë edhe Kodhelajn, i cili tregon se edhe nga tërmeti i datës 21 shtator, pallati në rrugën “Shkëlqim Fusha” me numër 24/1, ka pasur dëmtime, por askush nuk kishte shkuar për kontrolle dhe verifikime. "Pas tërmetit të fundit dërgova inxhinierë që të kontrollonin, ata po e hiqnin suvanë që të shikonin nëse ishin prekur apo jo kollonat", argumenton administratori i pallatit.

Faksimile e njërit prej kallëzimeve. Gazeta "Si", 12 dhjetor 2019

Sikurse mëson Gazeta “Si”, në pyetje është marrë edhe inxhinieri Ergus Anamali.
Ai thotë në dëshminë që Gazeta “Si” disponon se "pas tërmetit është vërejtur se pallati nuk kishte dëmtime strukturore dhe pas njoftimit të kryeministrit, ata kishin nisur riparimin e ndërtesës".
"Nuk kemi bërë asgjë tjetër përveç suvatimit, pallati nuk ka asnjë dëm apo problem në konstruksion, në trarë, kollona, mure betoni që të do rrezikonin jetën e banorëve”, shprehet inxhinieri. Por sidoqoftë, kjo tanimë do të jetë një dosje nën hetim që nuk është e vetmja.

Pallat i dëmtuar nga tërmeti (foto ilustruese LSA). Gazeta "Si", 12 dhjetor 2019

D. Kadiu ka kallëzuar po ashtu për ndërhyrje në pallat në Prokurorinë e Durrësit. Ky kallëzim ka vënë gjithashtu në lëvizje prokurorët që veç çështjes së hetimit për dëmet nga tërmeti, po marrin në vlerësim edhe ankesat e qytetërave që këmbëngulin se ndërtuesit po fshehin gjurmët.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë