Analize

Ekskluzive/ Komisioni Europian rekomandon pranimin e udhëtarëve të vaksinuar me doza ruse dhe kineze

Nga Xhuliana Toçi - Komisioni Europian ka udhëzuar sot vendet anëtarë të pranojnë udhëtarët e vaksinuar me vaksinat kineze dhe ruse. Në një përgjigje për Gazetën Si, Komisioni Europian zbulon se në bazë të vendimit të fundit të 27 vendeve anëtare, rekomandohet hapja e kufijve për qytetarët e vendeve të treta të vaksinuar me vaksinat e miratuara nga EMA (Agjencia Europiane e Barnave)  por edhe ato që janë në listën për përdorim emergjent të OBSH-së.

Në këtë listë është edhe vaksina ruse Sputnik-V dhe ajo kineze Coronavac e kompanisë Sinovac, me të cilën Shqipëria filloi vaksinimin masiv me 25 mars.

Përgjigja në email nga Komisioni Europian

Megjithatë, pranimi ose jo i shqiptarëve të vaksinuar nga këto vaksina do të jetë në dorën e secilit vend anëtar. KE thekson po ashtu se shtetet që pranojnë qytetarët e një vendi të vaksinuar me vaksinat kineze dhe ruse duhet të marrin parasysh reciprocitetin, pra faktin se mund të jenë të jenë nën presion të pranojnë edhe qytetarët e një vendi tjetër të vaksinuar me këto vaksina.

“Nëse vendet anëtare njohin certifikatat e vaksinimit, ata në parim do të heqin kufizimet e udhëtimit si testimi ose karantina për udhëtarët e vendeve të treta që kanë marrë dozën e fundit të një vaksine të aprovuar nga EMA të paktën 14 ditë para mbërritja, Shtetet anëtare mund të heqin gjithashtu kufizimin për udhëtimet jo-thelbësore për ata që janë vaksinuar m vaksina që janë rekomanduar në listën e OBSH-së për përdorimit emergjent. Kur heqin këto kufizime, shtetet anëtare duhet të marrin parasysh reciprocitetin rast pas rasti”, thuhet në vendimin e fundit të KE-së.

Strategjia për hapjen e kufijve për të vaksinuarit nga vendet e treta, përcakton po ashtu se vendet si Shqipëria duhet të kenë më pak se 75 raste me Covid-19 për 100 000 banorë gjatë 14 ditëve të fundit. Vendi ynë e plotëson këtë kusht pasi ka vetëm 15 raste për 100 mijë banorë. Duke sinjalizuar edhe skepticizmit për shifrat e raportuara nga vendet e treta, BE më shumë sesa rastet e raportuara do të marrë parasysh normën e pozitivitetit në raport me testimet e kryera. Në vendin e saj BE thekson se një nga kriteret do të jetë besueshmëria e bilanceve ditore të ofruara nga qeveritë.

“Progresi në vaksinimin e popullatës kundër virusit gjithashtu duhet të merren parasysh.

Kritere të tjera ekzistuese që do të zbatohen përfshijnë qëndrueshmërinë ose rënien e rasteve të reja, numrin e testeve të kryera, normën  pozitiviteti prej më pak 4% në raport me të gjitha testet e kryera, përgjigjen e përgjithshme ndaj COVID-19 në vend dhe besueshmërinë e informacioneve”, thuhet në vendimin e KE.

Bashkimi Europian ka vendosur po ashtu se me hyrjen në përdorim të certifikatës së vaksinimit, BE do të sigurojë bazën elektronike që certifikatat e vaksinimit të vendeve të treta të jenë ekuivalente me ato të unionit. Deri atëherë, ai rekomandon vendet anëtare të njohin certifikatat që për momentin kanë bërë gati secili prej vendeve të treta si Shqipëria.

“Deri atëherë, shtetet anëtare duhet të pranojnë certifikatat e vaksinimit të vendit të tretë, të përmbajnë të paktën një grup minimal të dhënash, në përputhje me ligjet kombëtar dhe vendet e treta duhet të marrin parasysh nevojën për të qenë në gjendje të verifikojnë vërtetësinë, vlefshmërinë dhe integritetin e certifikatës”.

Megjithatë, Bashkimi Europian ka prezantuar po ashtu një mekanizëm emergjent për mbylljen e menjëhershme të kufijve me një vend të tretë nëse ka një përkeqësim të situatës epidemiologjike.

“Kur situata epidemiologjike e një vendi ose rajoni të tretë përkeqësohet shpejt, veçanërisht nëse është zbuluar një variant shqetësues, vendet anëtare duhet të miratojnë një kufizim urgjent për të ndaluar të gjitha udhëtimet në BE. Ky mekanizëm emergjence nuk duhet të zbatohet për qytetarët e BE-së, rezidentët e BE-së dhe kategori të caktuara të udhëtarëve, të cilët sidoqoftë duhet t'u nënshtrohen masave të duhura të testimit dhe karantinës, edhe nëse janë vaksinuar plotësisht”, thuhet në vendim.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë