Njerez

Ekonomia sipas rrëfimit të arrë-shitësit

“Sivjet bakllavatë shqiptarët i kanë ngrënë vetëm me shërbet, pa arra! Kupton që ekonomia nuk është mirë që në momentin që data 20 janar dhe unë ende s’i kam shit të gjitha”.

Petriti*, 48 vjeç vazhdon të shëtisë nëpër trotuaret e Tiranës në përpjekje që të “heqë qafe” edhe kilogramët e fundit të arrave që ka mbledhur në Dibër para vitit të ri.

Me origjinë nga fshatrat pranë Lurës thotë për Gazetën “Si” se prej 1996-ës, kur ka zbritur në Tiranë, së bashku me prindërit ka shfrytëzuar festën tradicionale të Vitit të Ri për të mbajtur familjen.

“E them shpesh me shaka që unë jetoj gjithë vitin me bakllava. Po shakaja është gjysma e së vërtetës. Për mua shkon më shumë se gjysma, pasi me të ardhurat që siguroj në dhjetor me shitjen e arrave mbuloj një pjesë të mirë të shpenzimeve vjetore në familje”, thotë ai për Gazetën “Si”.

Te ish-Fusha e Aviacionit, ku banon e njohin thuajse të gjithë falë arrave.

“Askush nuk më është ankuar. Arrat i kam të mira, arra Dibre, s’ke ça t’u shash. Të pastra dhe të mbushura mirë”.

Biznesi nuk i ka ecur gjithmonë mirë dhe mes viteve më të këqija përfshin edhe 2020.

“Si sivjet ta mbaj mend! Hiq 1997 dhe ndonjë vit ku arrat nuk kanë pasur shumë prodhim, 2020 ka qenë viti më i keq. S’mbaj mend tjetër sezon kështu”, tregon 48-vjeçari.

Por, çfarë ndodhi?

“Arrat shyqyr Zotit patën prodhim sivjet! Mblodha gati-gati 600 kilogram. Po bëja llogaritë si çdo vit, ku 300-400 kilogram i shes me porositë që më japin dhe për pjesën tjetër kisha menduar t’ja ofroja ndonjë furre buke, edhe me një çmim më të ulët se tregu”, rrëfen Petriti.

Planet jo gjithmonë dalin.

“Nuk shita dot as kilet që mendoja se i kisha të hequra në bazë të porosive të një viti më parë. Nga 300-400 kg që i kisha të shitura vitet e tjera, sivjet mezi shita 200. Njerëzit s’kanë lek. Blenë më pak. Si shembull, more vjet ti 5 kg, sivjet more 2”, shpjegon ai.

Rrëfen se pak ditë pas vitit të ri kishte ende pa shitur gjysmat e arrave.

“E kuptova që në datë 25 dhjetor që do të më ngelnin aty dhe më shumë se ndroja, ajo që më ndalonte të dilja me thes nëpër rrugët e Tiranës ishte bindja se do t’i shes, jo me telefonata, jo me porosi të orës së fundit etj, etj”, thotë ai.

Kjo bindje iu hoq shpejt dhe nga data 6-7 janar thotë se e mësoi me “të keq”. Si fillim testoi tregun.

“Mora një trastë me 5 kile dhe dola te 21-shi. M’u deshën nja 5-6 orë që t’i shisja të gjitha. Kjo më dha shpresë se mund t’i hiqja, e ditën tjetër dola me 10 kilogram dhe më herët”, kujton Petriti.

Si shitës ambulant kishte vite pa dalë.

“Kisha dëgjuar që jo s’lë policia bashkiake, që jo të merr mallin e kështu gjërash. Dy ditët e para nuk më erdhi asnjë. Po ditën e tretë më ndaluan dy policë, një çun dhe një gocë. Më thanë me të mirë që t’i mblidhja arrat e të shkoja në shtëpi se nuk lejohej”, rrëfen 48-vjeçari.

Urdhrit iu bind, por jo për të shkuar në shtëpi.

“Mora trastën në krah dhe lëviza në drejtim të Vasil Shantos. Pashë që nuk kishte policë dhe e hapa trastën në një krah të një tregu fruta-perimesh aty”, tregon më tej.

Njerëzit blejnë, ose më saktë kanë dëshirë të blejnë, por sipas Petritit s’kanë mundësi.

“Kur u them çmimin (5 deri në 8 mijë lek të vjetra për kg dhe 12-15 mijë lek për kilogram të qëruara) stepen. Kam pas raste që më kanë thënë më bej një kile dhe më pyesin pasi e peshoj se sa kushton. Kur u them çmimin më thonë që ta heq gjysmë kilogrami dhe t’u bëj vetëm një gjysmë”, tregon ai.

Sot, pas shumë mundimesh dhe kur ka dalë në rrugë edhe në ditët me temperatura nën zero gradë, thotë se i kanë ngelur rreth 30 kilogram pa shitur. “Edhe po nuk i shita do t’i ha vetë të gjitha”, thotë ai për Gazetën “Si” duke qeshur.

*Shënim: Emri është ndryshuar me kërkesë të personazhit të këtij shkrimi. Petrit nuk është emri i tij i vërtetë


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë