Shkencë

Efektet anësore nuk tregojnë se sa efektive është vaksina

Tani jemi më të njohur me efektet anësore të mundshme nga vaksina e Covid-19 por ekspertët theksojnë se problemet pas dozës së vaksinës si lodhja dhe ethet do të thotë që vaksina po funksionon (për sa kohë që ato nuk janë treguese e një reaksioni alergjik).

Pra, çfarë do të thotë kjo për ata që nuk kanë efekte anësore?

Ekspertë të ndryshëm kanë shpjeguar pse ndodhin efektet anësore dhe nëse ashpërsia e tyre parashikon se sa efektive do të jetë përgjigja imune ndaj virusit Covid-19.

“Efektet anësore të vaksinës së Covid-19 janë ose një manifestim fizik i përgjigjes imune të trupit tuaj, që është rasti për shumicën e njerëzve ose një reaksion alergjik”, tha Jesse Erasmus, pedagog në departamentin e mikrobiologjisë në universitetin e Uashingtonit.

Erasmus thotë që efektet anësore që keni nga një dozë zakonisht varet nga lloji i teknologjisë së vaksinës që përdoret për të krijuar imunizimin (për shembull ARN dhe mARN janë lloji i teknologjisë që përdorin Pfizer-BioNTech dhe Moderna) dhe se si përbërësit bashkëpunojnë me sistemin imunitar.

Sa i përket vaksinave të koronavirusit, "të gjitha vaksinat që aktualisht janë të autorizuara për t'u përdorur kanë profile shumë të ngjashme të efekteve anësore", tha Colleen Kelley, pedagoge e sëmundjeve infektive në Universitetit Emory dhe studiuese kryesore për Moderna dhe Fazën e tretë të Novavax në vendin e hulumtimeve klinike të Qendrës Ponce de Leon në Atlanta.

Pse disa njerëz kanë efekte anësore më të rënda se të tjerët?

Bazuar në përvojat e njerëzve, duket se disa kanë reagime më të rënda se të tjerët. Por shkencërisht nuk ka ende ndonjë arsye të konfirmuar për këtë.

"Nuk ka ndonjë faktor dallues që do të predispozonte një individ që kishte më shumë efekte anësore kundrejt tjetrit", tha Richard Dang, një farmacist dhe profesor i farmacisë klinike në Universitetin e Kalifornisë Jugore.

Ai thotë se e vetmja gjë që ka parë në të dhënat klinike deri më tani është që më të rinjtë duket se përjetojnë efekte anësore me ritme më të larta sesa individët e moshuar.

“Janë raportuar raste në të cilat ata që më parë kishin virusin pësuan efekte anësore më të ashpra pasi morën vaksinat e tyre. Duket se njerëzit që mund të kenë pasur Covid-19 para vaksinës së tyre kanë tendencë të kenë ato kohëzgjatje më të gjatë të simptomave", shtoi Kelley.

A ka ndonjë lidhje ashpërsia e efekteve anësore me atë se sa mirë trupi juaj do të luftojë Covid-19 nëse infektoheni?

“Megjithëse është një pyetje e vlefshme, duhet të bëhen më shumë studime për të zbërthyer atë që nënkupton ashpërsia e efekteve anësore”, tha Anna Wald, mjeke dhe pedagoge në Universitetin e Uashingtonit.

Por Erasmus, Kelley dhe Wald të gjithë thonë se efektiviteti i vaksinës nuk ka gjasa të përcaktohet nga sa të rënda janë efektet tuaja anësore.

"Mos harroni se shumica e njerëzve kanë efekte anësore të lehta ose aspak në provat klinike dhe prapëseprapë vaksina u pa se kishte 95% efektivitet në mbrojtjen e tyre nga sëmundja", tha Ëald.

Nëse keni efekte anësore të lehta ose të rënda, është e rëndësishme të dini se çfarë të bëni.

“Nëse keni efekte anësore, ka disa gjëra që mund të bëni. Në kohën e vaksinimit, pyesni personin që ju vaksinon se kë duhet të kontaktoni nëse ju nevojitet”, tha Dang.

Ju gjithashtu duhet të prisni 15 deri në 30 minuta në vendin e vaksinës pasi të merrni dozën për t'u siguruar që nuk keni ndonjë reagim të rëndë alergjik.

“Zakonisht, nëse jeni duke përjetuar efekte anësore të lidhura me sistemin imunitar, si lodhje, dhimbje koke ose ethe ju mund të merrni një ilaç për dhimbjet ose ethet dhe bëni një sy gjumë si dhe qëndroni të hidratuar”, thotë  Kelley.

Kelley thotë se këto simptoma zgjasin një deri në katër ditë më së shumti dhe janë një pjesë shumë normale në marrjen e vaksinës së Covid-19.

Burimi: Huffington Post. Përshtati: Gazeta “Si”


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë