Shendet

Edhe një ‘kafshatë’ e ushqimeve të përpunuara mund të rrisë rrezikun për demencë

Nga Gazeta ‘Si’- Rritja me vetëm 10% e konsumit ditor të ushqimeve ultra të përpunuara- afërsisht sa një qese e vogël patatinash- mund të rrisë rrezikun për demencë, edhe tek personat që zakonisht ushqehen shëndetshëm me bazë bimore, sipas një studimi të ri.

Këto ushqime, të njohura si UPF (ushqime ultra të procesuar), përbëjnë rreth 53% të kalorive që konsumojnë të rriturit, ndërsa tek fëmijët kjo shifër arrin në gati 62%, sipas të dhënave nga Centers for Disease Control and Prevention.

Studimi tregoi se konsumimi i lartë i këtyre produkteve lidhet me përqendrim më të dobët dhe rrezik më të lartë për demencë tek personat në moshë të mesme dhe të avancuar, shpjegon autorja kryesore Barbara Cardoso nga Monash University në Australi.

Megjithatë, studiuesit theksojnë se bëhet fjalë për një lidhje, jo për një shkak të drejtpërdrejtë. Ajo që bie në sy është se kjo lidhje nuk ndryshon as kur njerëzit ndjekin dieta të shëndetshme si ajo mesdhetare çka sugjeron se problemi lidhet më shumë me përpunimin e ushqimit sesa thjesht me përbërjen e tij.

Edhe W. Taylor Kimberly nga Harvard, i cili nuk ishte pjesë e studimit, e konsideron këtë një provë të rëndësishme që forcon lidhjen mes ushqimeve ultra të përpunuara dhe dëmtimit të funksioneve njohëse.

Një studim i mëparshëm i tij tregoi se rritja me 10% e konsumit të këtyre ushqimeve rrit me 16% rrezikun për probleme njohëse.

Megjithatë, ka edhe një lajm pozitiv: zëvendësimi i ushqimeve ultra të përpunuara me ushqime të freskëta dhe pak të përpunuara për një periudhë 5-6 vjeçare lidhet me një ulje prej 12% të rrezikut për rënie njohëse.

Çfarë janë ushqimet ultra të përpunuara?

Këto produkte kanë pak ose aspak përbërës natyralë. Ato krijohen duke ndarë ushqimet në molekula dhe duke i rikombinuar me aditivë artificialë si ngjyrues, aromatizues dhe emulsifikues. Rezultati janë produkte si patatinat, biskotat, pijet e gazuara, ushqimet e gatshme dhe fast food.

Këto ushqime shpesh janë të pasura me sheqer, kripë dhe yndyrë, por të varfra në lëndë ushqyese thelbësore për trurin dhe trupin.

Çfarë tregojnë studimet?

Një studim i vitit 2022 me 10.000 persona zbuloi se ata që konsumonin më shumë ushqime të përpunuara kishin: 25% rënie më të shpejtë të funksioneve ekzekutive dhe 28% rënie më të shpejtë të aftësive njohëse në përgjithësi

Një analizë e vitit 2024 me rreth 10 milionë persona tregoi se rritja me 10% e konsumit të këtyre ushqimeve lidhet me: 50% rrezik më të lartë për vdekje nga sëmundje kardiovaskulare ; 55% rrezik më të lartë për obezitet ; 40% rrezik për diabet të tipit 2 dhe 20% rrezik për depresion.

Ndikimi në tru

Në studimin e fundit, mbi 2.100 persona (40–70 vjeç) u testuan për përqendrim dhe përpunim informacioni. Rezultatet treguan se çdo rritje me 10% e konsumit të ushqimeve ultra të përpunuara lidhej me:

  • ulje të dukshme të aftësisë për t’u përqendruar
  • rritje të rrezikut për demencë në afatgjatë

Ekspertët shpjegojnë se këto ushqime mund të ndikojnë negativisht në tru përmes çrregullimeve hormonale, dëmtimit të mikrobiomës së zorrëve, rritjes së faktorëve të rrezikut si hipertensioni, diabeti dhe kolesteroli i lartë.

Çfarë mund të bësh?

Ulja e konsumit të ushqimeve ultra të përpunuara sidomos në moshë të mesme mund të jetë një nga mënyrat më efektive për të mbrojtur trurin në të ardhmen.

Dieta si ajo mesdhetare, DASH apo MIND, që bazohen në ushqime të freskëta (perime, fruta, drithëra të plota, arra, vaj ulliri), kanë treguar se ndihmojnë jo vetëm zemrën, por edhe funksionet e trurit.

Në thelb: nuk është vetëm çfarë ha, por edhe sa i përpunuar është ushqimi yt./ CNN


Copyright © Gazeta “Si”


Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Më Shumë