Sport

Edhe kjo duhej para Olimpiadës, një ari vë në alarm policinë e Fukushimës

Edhe kjo mungonte në këtë vigjilje të trazuar të Olimpiadës së Tokios, ku numri i të infektuarve nga Covid-19 dhe sportistëve që tërhiqen për këtë arsye, është rritur ndjeshëm. Ka edhe një rrezik nga ariu aziatik, që është parë orët e fundit në Fukushima, qytetin e katastrofës nukleare të 2011-ës, ku sot ka nisur turneu i softbollit.

Policia lokale po kalon orë të sikletshme pikërisht për shkak të kafshës së frikshme që është parë gjatë natës në “Azuma Sports Park” dhe pranë impiantit olimpik, kur jemi në prag të ceremonisë inaugurale.

Dëshmia e një agjenti ka bërë që të nisë gjuetia ndaj ariut edhe me ndihmën e muzikës me zë të lartë dhe fishkezjarreve. Në fakt, prania e arinjve nuk është diçka e rrallë në Japoni. Pak javë më parë, në një tjetër qytet olimpik, Saporo, ku do të zhvillohen garat e gjata dhe maratona, një ari i të njëjtit lloj me atë që është parë në Fukushima, ka sulmuar një ushtar dhe pastaj është vrarë.

Një ngjarje kjo që e ka rritur shumë shqetësimin, sepse ariu i murrmë aziatik është shumë më agresiv se kolegët e tij europianë.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë