Ngjarje

Edhe gjyqet të zhvillohen online, propozimi: KLGj të zgjedhë platformat

Ministria e Drejtësisë ka gati propozimin për rinisjen e funksionimit të gjykatave duke zbatuar rregullat për frenimin e përhapjes së koronavirusit të ri, përfshirë këtu edhe distancimin social.

Draft-propozimi i Ministrisë është dorëzuar për miratim si akt normativ nga ana e Këshillit të Ministrave. Në të saktësohet se gjykatat mund të vendosin për zhvillimin e proceseve gjyqësore online dhe i lihet në dorë Këshillit të Lartë Gjyqësor që të përzgjedhë platformat e komunikimit online përmes të cilave do të realizohen seancat gjyqësore.

"Gjykata mund të vendosë që pjesëmarrja e palëve, ndërhyrësit kryesor, ndërhyrësit dytësor, personit të tretë, ose përfaqësuesve të tyre, prokurorit, avokatit të shtetit, dëshmitarëve, ekspertëve, përkthyesve si dhe çdo pjesëmarrësi tjetër të interesuar, në të gjitha seancat gjyqësore të sigurohet nëpërmjet ndërlidhjes audiovizive në distancë, duke përdorur programe kompjuterike të përshtatshme për këtë qëllim. Këshilli i Lartë Gjyqësor, pas marrjes së mendimit të Këshillit të Lartë të Prokurorisë, Prokurorit të Përgjithshëm, Dhomës Kombëtare të Avokatisë dhe Ministrit të Drejtësisë, cakton listën e programeve kompjuterike të përshtatshme për këtë qëllim", thuhet në propozim.

Sipas këtij vendimi, në rastet kur seancat gjyqësore zhvillohen në distancë, provat, dokumentet shkresore si dhe çdo akt tjetër procedural i paraqiten gjykatës, ose edhe palëve nëpërmjet mjeteve të komunikimit elektronik si dhe dërgohen brenda të njëjtës ditë nëpërmjet shërbimit postar pranë gjykatës.

“Dëftesa e marrjes në dorëzim duhet të ruhet nga palët deri në marrjen e vendimit formë të prerë. Në rast se pala nuk i dërgon aktet, sipas kësaj pike, konsiderohet që ato nuk janë paraqitur”, saktëson vendimi.

Seancat në distancë parashikohen në rastet kur gjykata vlerëson se zhvillimi i tyre në sallë nuk garanton respektimin e masave për parandalimin e Covid19, si kushtet higjieno-sanitare dhe mbi të gjitha distancimin fizik me palëve dhe të interesuarve të tjerë në këtë proces.

“Gjatë kohëzgjatjes së gjendjes së epidemisë së shkaktuar nga COVID-19 gjykatat zhvillojnë seancat gjyqësore duke zbatuar masa organizative specifike për zhvillimin e proceseve gjyqësore, të nevojshme për të shmangur grumbullimet në ambientet e gjykatave dhe brenda sallave gjyqësore në përputhje me rregullat e miratuara nga Këshilli i Lartë Gjyqësor si dhe organet e administrimit gjyqësor të çdo gjykate”, thuhet më tej në propozimin e MD.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë