Ne rrjet

Edhe Gjermanisë po i ikën truri

Gjermania nuk pret vetëm emigrantë, ajo edhe prodhon të tillë, ndonëse jo në përmasat e vendeve të tjera. Sipas një studimi të fundit, profili i një gjermani që zgjedh të largohet nga vendi i tij është nën moshën 40 vjeç, i suksesshëm në profesion e karrierë dhe i kualifikuar e me diplomë universitare.

DW thotë se ky është rezultati i një studimi të realizuar nga Instituti i Studimeve Demoskopike në Berlin (BiB). Sipas këtij studimi rreth 180 mijë gjermanë largohen çdo vit drejt një vendi tjetër, ndërkohë që 130 mijë në vit kthehen sërish në Gjermani.

Një pjesë e madhe e të anketuarve largohet për arsye profesionale për të ardhura më të mira në një vendin tjetër. Mesatarisht të punësuarit me kohë të plotë brenda një viti fitojnë rreth 1200 euro më shumë se në Gjermani.

Veç të ardhurave, një arsye pse emigrojnë gjermanët, sipas këtij studimi është edhe rritja në karrierë. “Shpesh ky transferim ka të bëjë me hapin pasues të karrierës”, thotë Andreas Ette nga BiB për Deutsche Welle.

Një tjetër arsye që shtyn gjermanët që të emigrojnë është edhe mënyra e jetesës. Ata që emigrojnë nga Gjermania janë mesatarisht në moshën 36,6 vjeç. Ky grupmoshë është afërsisht dhjetë vjet më i ri se mosha mesatare e popullsisë në Gjermani. Studiuesit vërejnë se qendrimi në një vend tjetër zakonisht nuk është i përhershëm.

76 përqind e emigrantëve gjermanë janë shkolluar. “Emigrimi është një privilegj i të mbikualifikuarve”, thuhet në studim. Por jo vetëm të kualifikuarit përfitojnë nga transferimi jashtë vendit. Veçanërisht gratë me shkollë të lartë dhe ato me më pak kualifikim përfitojnë nga emigrimi të ardhura më të larta se në Gjermani.

Vendi më i preferuar për emigrim i gjermanëve në dhjetë vitet e fundit ka qenë Zvicra, me rreth 200 mijë persona që kanë zgjedhur këtë shtet, pasuar nga SHBA-ja me 127 mijë, Austria me 108 mijë dhe Britania e Madhe me 82 mijë. Studiuesit thonë se që prej viteve ‘80 numri i emigrantëve gjermanë është rritur vazhdimisht. Burrat dhe gratë emigrojnë thuajse njësoj, por kryeson “një model tradicional i familjes”, ku karriera e burrave luan një rol më të fortë. Gratë shpesh rikthehen në punë vetëm pas kthimit në Gjermani.

Në këtë anketa janë pyetur 10 mijë persona të lindur në Gjermani nga mosha 20 deri në 70 vjeç, të cilët që nga qershori 2017 deri në qershor 2018 kanë qenë jashtë Gjermanisë ose janë kthyer nga një vend tjetër në Gjermani.

Burimi Deutsche Welle

 

Më Shumë