Art dhe Kulture

“Edhe babai ndërron pelena”… Kur rolet gjinore sfidohen në një murale në Qytetin Studenti

Në një kohë që barazia gjinore në Shqipëri ende nuk e ka arritur balancën, një vepër arti (murale) mundohet ta bëjë këtë, duke dashur të fuqizojë peshën e gruas.

Murali që është realizuar nga artisti Franko Dine, pionieri i artit shqiptar të rrugës, është vendosur në Godinën 13 në Qytetin Studenti.

Në pikturën murale shohim një familje të re, një çift të ri, ku babai po ndërron pelenat e fëmijës, ndërsa nëna po punon në kompjuter.        

“Ky është një moment shumë intim familjar. Me këtë vepër kam dashur të sfidoj rolet gjinore dhe stereotipet gjinore të shoqërisë tonë dhe të tregoj fuqinë e grave dhe burrave”, thotë artisti Franko Dine për Gazetën “Si”.

Kjo nismë artistike për rritjen e ndërgjegjësimit për barazi gjinore vjen nga “UN Women”, zyra e OKB për barazi gjinore dhe fuqizimin e grave në Shqipëri në bashkëpunim edhe me Dekor Tirana.

Sipas njoftimit të “UN Women”, kjo është pjesë e projektit “Murale për Barazi” (Murals For Equality), të nisur nga zyra rajonale e UN Women, ku artistë nga Shqipëria, Moldavia, Kosova, Turqia dhe Gjeorgjia, realizojnë murale me këtë tematikë, dhe më pas do të prezantohen në forumin global “Brezi i Barazisë” që zhvillohet në Paris (30 qershor- 2 korrik).

“Mesazhi që përcillet përmes muralit është që ndarja e përgjegjësive në familje kontribuon në një të ardhme më të mirë për familjen dhe të gjithë shoqërinë, dhe një brez më të fuqishëm me të drejta të barabarta, ku gratë kanë mundësi të zhvillohen në karrierë dhe të ecin përpara në shoqëri”, thuhet në njoftimin.

Sipas studimeve të UN Women, gratë në Shqipëri bëjnë 8 herë më shumë punë të papaguar se burrat (punë shtëpie, kujdes ndaj fëmijëve apo të moshuarve).

Përpos kësaj vepre arti, artisti Franko Dine ka shumë vepra nëpër shumë rrugë të Tiranës, duke filluar nga Blloku, në rrugën “Myslym Shyri”, e në shumë rrugë të tjera, duke i dhënë qytetit përzierje ngjyrash e duke ndryshuar pamjen e fasadave.  


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë