Në një botë gjithnjë e më sedentare, ecja e shpejtë po konfirmohet si një nga mënyrat më të thjeshta dhe më efektive për të përmirësuar shëndetin e përgjithshëm.
Literatura shkencore në këtë fushë është e pasur dhe e vazhdueshme.
Çfarë quajmë “ecje të shpejtë”?
Ashtu si në vrapim, edhe në ecje çdo individ ka ritmin e tij. Ecja e shpejtë zakonisht realizohet me një shpejtësi prej rreth 5 deri në 6 kilometra në orë.
Në varësi të moshës, peshës dhe nivelit të stërvitjes, kjo shpejtësi mund të arrijë edhe deri në 6.5-7 km/h.
Një aleate e fuqishme për zemrën
Studimet më të fundit kanë treguar se ecja e shpejtë lidhet me një reduktim të rrezikut të aritmive kardiake, përfshirë fibrilacionin atrial.
Ky efekt pozitiv ndërlidhet me përmirësimin e profilit metabolik dhe uljen e inflamacionit në trup.
“Ecja e shpejtë rrit ritmin e zemrës, përmirëson kthimin venoz dhe qarkullimin e gjakut, duke zvogëluar stazën venoze. Kjo në fakt stërvit dhe forcon muskujt e zemrës”, theksojnë mjekët.
Për më tepër, ecja ndihmon në uljen e presionit të gjakut, kontrollin e niveleve të sheqerit dhe të kolesterolit në gjak, duke e bërë një aktivitet të përshtatshëm për pacientët me diabet ose hiperkolesterolemi.
Ecja dhe mirëqenia mendore
Përfitimet nuk ndalen vetëm tek zemra. Aktiviteti fizik si ecja e shpejtë ndihmon në uljen e stresit, ankthit dhe simptomave të depresionit.
Kalimi i kohës në natyrë, i njohur si “terapia e gjelbër”, është dokumentuar se ul përdorimin e ilaçeve kundër ankthit dhe depresionit.
“Aktiviteti fizik prodhon një ndjenjë kënaqësie që nuk duhet nënvlerësuar; ajo shërben si një motivues i fortë për të qenë i qëndrueshëm”, shtojnë mjekët ekspertë të shëndetit publik.
Përfitime për sistemin kockor dhe muskulor
Ecja e shpejtë ka gjithashtu ndikime të drejtpërdrejta mbi sistemin muskuloskeletor sepse përmirëson metabolizmin e kockave, duke ndihmuar në parandalimin e osteoporozës. Gjithashtu, aktivizon qarkullimin e lëngut sinovial në nyje, forcon muskujt e këmbëve dhe kofshëve dhe ndihmon në ndërtimin e një skeleti më të fortë dhe më të qëndrueshëm.
Një armë e fuqishme edhe kundër tumoreve
Aktiviteti fizik, përfshirë ecjen e shpejtë, është gjithnjë e më shumë i rekomanduar si pjesë e trajtimeve mbështetëse për pacientët me kancer.
Sipas Institutit Kombëtar të Kancerit (NCI), aktiviteti fizik ul rrezikun për disa lloje të kancerit, ndihmon në menaxhimin e efekteve anësore të trajtimeve, përmirëson cilësinë e jetës dhe mund të ndikojë pozitivisht edhe në mbijetesë, veçanërisht për pacientët me kancer të gjirit dhe kolorektal.
Një këshillë e rëndësishme: konsultohuni me mjekun
Edhe pse ecja e shpejtë është e rekomanduar gjerësisht, nuk është e përshtatshme për të gjithë. “Është gjithmonë më mirë të kryhet një kontroll mjekësor para fillimit të ndonjë programi të ri aktiviteti fizik, veçanërisht për personat me probleme të njohura shëndetësore”, këshillojnë mjekët.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.