Mungesa e hekurit është një nga problemet më të përhapura ushqimore në botë. Ajo mund të shkaktojë lodhje, dobësi dhe vështirësi në frymëmarrje, pasi hekuri është thelbësor për prodhimin e hemoglobinës, proteinës që transporton oksigjenin në organizëm.
Edhe pse mishi njihet si një nga burimet më të mira të hekurit, ekzistojnë shumë alternativa bimore që mund të ndihmojnë në plotësimin e nevojave ditore. Sekreti nuk qëndron vetëm te ushqimet që zgjedhim, por edhe te mënyra se si i përgatisim dhe i kombinojmë ato.
Pesë mënyra për të përthithur më shumë hekur pa pasur nevojë të konsumoni mish.
1. Gatuani siç duhet perimet me gjethe jeshile
Spinaqi është i pasur me hekur, por përmban edhe oksalate, përbërës që pengojnë përthithjen e këtij minerali. Zierja e tij ndihmon në uljen e oksalateve dhe mund të përmirësojë përthithjen e hekurit.
Ndërsa perime të tjera, si lakra, sallata jeshile dhe lakra kineze, mund të konsumohen të gjalla ose të gatuara me avull për të ruajtur vitaminën C.
2. Kombinoni ushqimet me hekur me vitaminën C
Vitamina C është një nga aleatët më të mirë të përthithjes së hekurit me origjinë bimore.
Për këtë arsye, kombinoni bishtajoret, spinaqin apo tofu-n me ushqime të pasura me vitaminë C, si limoni, portokalli, specat dhe domatet.
Edhe pak lëng limoni i shtuar mbi një sallatë me qiqra mund të bëjë diferencën.
3. Përfshini ushqimet e fermentuara
Fermentimi ndihmon në zbërthimin e acidit fitik, një përbërës që gjendet në drithëra, arra dhe fara dhe që mund të pengojë përthithjen e hekurit.
Një shembull i mirë është buka me brumë të thartë, e cila mund të jetë një alternativë më e favorshme për përthithjen e mineraleve krahasuar me bukën e zakonshme.
4. Mos u mbështetni vetëm te ushqimet e pasuruara me hekur
Shumë produkte, si drithërat e mëngjesit dhe buka, pasurohen me hekur. Megjithatë, jo të gjitha format e hekurit të përdorura në këto produkte përthithen lehtësisht nga organizmi.
Prandaj, është e rëndësishme të përfshini edhe burime natyrale bimore, si qiqrat, brokoli, farat e lulediellit.
Bishtajoret, arrat, farat dhe frutat e thata janë gjithashtu zgjedhje të mira për një dietë të pasur me hekur.
5. Kujdes me kafenë dhe çajin gjatë vakteve
Jo vetëm ushqimet, por edhe pijet mund të ndikojnë në përthithjen e hekurit.
Kafeja dhe çaji përmbajnë tanine dhe polifenole, përbërës që mund të pengojnë përthithjen e këtij minerali.
Nëse dëshironi të përfitoni sa më shumë nga ushqimi, shmangni konsumimin e tyre gjatë vakteve. Ekspertët këshillojnë që çaji të pihet të paktën dy orë pas ngrënies.
Sa hekur i nevojitet organizmit?
Hekuri është thelbësor për funksionimin normal të organizmit, por edhe marrja e tepërt e tij mund të jetë problematike. Për këtë arsye, ekspertët rekomandojnë një dietë të ekuilibruar, me sasi të vogla ushqimesh të pasura me hekur gjatë gjithë ditës.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)




Lini një Përgjigje