Shpërthimi i Ebola-s në Republika Demokratike e Kongos ka shkaktuar të paktën 131 viktima dhe mbi 513 raste të dyshuara, ndërsa infeksionet po raportohen në një zonë gjithnjë e më të gjerë.
Raste janë konfirmuar edhe në Uganda, ku është shënuar një vdekje, duke rritur shqetësimin për përhapje rajonale.
Organizata Botërore e Shëndetësisë e ka shpallur këtë situatë emergjencë ndërkombëtare, pasi bëhet fjalë për një variant të virusit të njohur si Bundibugyo.
Autoritetet kongoleze po përpiqen të qetësojnë popullsinë duke theksuar se ekipet e reagimit janë në terren për të gjurmuar dhe hetuar rastet, por zgjerimi i shpërthimit në zona si Ituri, Kivu Veriore dhe qyteti i Gomës ka shtuar ndjeshëm shqetësimin.
Ndër të infektuarit është edhe një mjek amerikan, i cili pritet të transferohet në Gjermani për trajtim, ndërsa disa persona të tjerë të ekspozuar janë në karantinë.
Qendrat për Kontrollin dhe Parandalimin e Sëmundjeve në SHBA kanë bërë të ditur se rreziku për vendin mbetet i ulët, por kanë ndërmarrë masa parandaluese, si monitorimi i udhëtarëve nga zonat e prekura, kufizime hyrjeje dhe gjurmim kontaktesh. Gjithashtu, SHBA ka lëshuar paralajmërim të nivelit më të lartë kundër udhëtimeve drejt RD Kongos.
OBSH paralajmëron se shpërthimi mund të jetë më i madh nga sa raportohet aktualisht dhe ka rrezik të konsiderueshëm për përhapje lokale dhe ndërkufitare. Për këtë arsye, u është kërkuar vendeve fqinje të rrisin vigjilencën dhe kontrollet, ndërsa shtete si Ruanda dhe Nigeria kanë nisur masa paraprake.
Ekspertët theksojnë se, në mungesë të vaksinave dhe trajtimeve efektive për këtë variant, është thelbësore respektimi i masave të shëndetit publik, veçanërisht gjatë funeraleve, të cilat në të kaluarën kanë qenë burim i madh infeksioni.
Kujtesa e shpërthimit të madh të viteve 2014–2016 në Afrikën Perëndimore, me mbi 28 mijë të infektuar dhe më shumë se 11 mijë viktima, e bën situatën aktuale edhe më alarmante.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)




Lini një Përgjigje