Mendim

Efikasiteti i lutjeve

Disa vite më parë, u zgjova një mëngjes me qëllimin për të prerë flokët sepse kisha një vizitë në Londër dhe letra e parë që më kishte ardhur thoshte se nuk duhet të shkoja në Londër. Kështu shtyva dhe prerjen e flokëve.

Por aty nisi të fliste një zë në kokën time: “Duhet të shkosh të presësh flokët. Ik.” Nuk e durova dot dhe u ngrita e shkova tek berberi, një i krishterë i mirë, që unë dhe vëllai im kishim ndihmuar disa herë. Kur hapa derën e dyqanit të tij, ai më tha “po lutesha që të vije sot”.

Më mrekulloi; ende më mrekullon. Sigurisht askush nuk mund të konfirmojë lidhjen midis lutjes së berberit dhe vizitës time. Ndoshta telepati. Ndoshta aksident.

Kam qëndruar në krevatin e një gruaje, kockat e së cilës ishin konsumuar nga kanceri. Duheshin 3 njerëz për ta ngritur nga krevati. Doktori parashikoi pak muaj jetë; infermierët (që zakonisht dinë më shumë), pak javë. Një burrë i mirë, vendosi duart tek ajo dhe u lut. Një vit më vonë, ajo po ecte dhe personi që i bëri skanerin i tha “kockat e saj janë të forta si një shkëmb. Është mrekulli”.

Por përsëri nuk ka prova. Ilaçet, siç doktorët pranojnë nuk janë shkenca ekzakte. Ne nuk kemi nevojë të thërrasim të mbinatyrshmen për të shpjeguar falsifikimin e profecive të saj. Ju nuk keni nevojë të besoni në një lidhje shkakësore midis lutjeve dhe shërimit.

Pyetja që ngrihet është “çfarë lloj prove do të konfirmonte efikasitetin e lutjeve?” Gjëja për të cilën ne lutemi mund të ndodhë, por si mund ta dimë se nuk do të ndodhte gjithsesi.

Edhe sikur gjëja të ishte pa diskutim mrekulli, nuk do të thotë se mrekullia ka ndodhur për shkak të lutjeve tuaja. Përgjigja me siguri është se një provë empirike siç kemi në shkenca nuk mund të arrihet kurrë. Disa gjëra vërtetohen nga uniformiteti i pandërprerë i përvojave tona.

Ligji i gravitetit vërtetohet nga fakti se në eksperiencën tonë, të gjitha trupat pa përjashtim i binden. Tani edhe sikur të ndodhnin të gjitha gjërat për të cilat njerëzit u lutën, të cilat nuk ndodhin, kjo nuk do të vërtetonte se çfarë nënkuptojnë të krishterët me efikasitetin e lutjes. Sepse lutja është kërkesë.

Thelbi i kërkesës, ndryshe nga detyrimi, është që mundet ose jo të ndodhë. Dhe nëse një Qenie e mbinatyrshme do të dëgjonte kërkesat e pafundme të krijesave budallaqe, patjetër që Ai do t’i refuzonte disa. “Suksesi” i pandryshueshëm i lutjeve nuk do ta vërtetonte aspak doktrinën e krishterë. Do të provonte diçka shumë më tepër si magji – një fuqi në disa qenie njerëzore për të kontrolluar, ose detyruar, rrjedhën e natyrës.

Disa gjëra provohen me anë të eksperimenteve, a mund të bëhet kjo me lutjet? Të krishterët nuk do pranonin diçka të tillë sepse “ti s’mund të eksperimentosh me Zotin”. E ndaluar apo jo, a mund të bëhet?

Kam parë sugjerime që një grup njerëzish të bie dakord për t’u lutur sa më shumë të munden, për 6 javë, për të gjithë pacientët e spitalit A dhe për askënd në spitalin B. Më pas do shikonit rezultatin, nëse në spitalin A kishte më shumë kurime e më pak vdekje. Eksperimenti duhet përsëritur në kohë dhe vende të tjera për të eleminuar efektin e faktorëve të jashtëm.

“Fjalët pa mendime, nuk shkojnë kurrë në parajsë”, thotë mbreti tek Hamleti. Pra, të lutesh nuk do të thotë vetëm të thuash lutjet; se kështu për eksperimentin do të bënin punë edhe një grup papagajsh të trajnuar. Ti nuk mund të lutesh për shërimin e dikujt vetëm se të detyrojnë. Nuk ka asnjë motiv në t’u luturit për shërimin e një grupi pacientësh dhe për një tjetër grup jo. Ti nuk po e bën me qëllim përfundimin e vuajtjes, po e bën për të zbuluar çfarë ndodh. Pra qëllimi i vërtetë dhe nominal i këtyre lutjeve është në mospërputhje. Çfarëdo që gjunjët dhe gjuha jote bën, ti nuk po lutesh. Eksperimenti kërkon një pamundësi.

Pra, prova empirike dhe mohimi janë të paarritshme. Por ky konkluzion do duket më pak i trishtë nëse ne rikujtojmë se lutjet janë kërkesë dhe ka raste të tjera të ngjashme. P.sh ne lutemi (kërkojmë) për një rritje rroge, ne i kërkojmë mikut tonë të na ushqejë macen ndërkohë që jemi me pushime. Disa herë ne e marrim atë që kërkojmë, disa herë jo. Por kur ndodh, nuk do të thotë se mund të vërtetojmë shkencërisht lidhjen midis kërkesës dhe marrjes.

Miku yt mund të jetë njeri i mirë që nuk mund të lejojë një mace të ngordhë edhe nëse ti nuk i kërkon të kujdeset. Shefi jot mund të pranojë kërkesën për rritje rroge sepse më herët po mendonte se ti mund të largoheshe nga vendi i punës dhe të shkoje tek rivalët e tij. Pra, çdo gjë që ne marrim nga një kërkesë, ndoshta do ta merrnim edhe po të mos e bënim. Por ata do të thonë se e bënë këtë gjë vetëm sepse ti e kërkove. Dhe njësoj, Zoti më ccoi mua tek berberi, sepse berberi u lut.

Deri më tani, pyetjen e kemi ngritur gabim; “a funksionojnë lutjet?”. Pyetja është shumë teknike, sikur lutjet të jenë makineri apo lloj magjie. Lutjet janë një lloj iluzioni, apo lidhje me Zotit. Kërkesa është një pjesë e vogël e saj. Aty ka rrëfime, pendesë, adhurim dhe kënaqësi.

Lutjet si kërkesë na janë lejuar dhe na janë mësuar: “jepna bukën e përditshme!” Por a i ndryshon Zoti veprimet e tij sipas kërkesave të njerëzve? Ai do të mundte të rigjeneronte trupat tanë edhe pa ushqim, apo të na jepte bukën pa nevojën e fermerëve, bukpjekësve; apo të kthejë ateistët në besimtarë. Por ai na ofron të korrat dhe motin dhe kafshët dhe muskujt dhe mendjet dhe vullnetin.

“Perëndia,” tha Pascal, “krijoi lutjen për t’u dhënë krijesave të Tij dinjitet.” Por jo vetëm lutja; sa herë që ne veprojmë Ai na jep dinjitet. Nuk është aspak e çuditshme, që lutjet e mia të ndikojnë në rrjedhën e ngjarjeve. Ato nuk e kanë këshilluar apo ndryshuar mendjen e Perëndisë – domethënë qëllimin e Tij të përgjithshëm. Por ai qëllim do të realizohet në mënyra të ndryshme sipas veprimeve, duke përfshirë lutjet, të krijesave të Tij. Ai vendos të delegojë tek krijesat e Veta atë që mund ta bëjë dhe vetë. Ai vendos që të bëjmë ne diçka, ngadalë, kur mund ta bënte Vetë me një pulitje sysh, në formën më perfekte.

Ai na lejon të neglizhojmë atë që Ai do të donte që ne të bënim, ose të dështojmë. Ndoshta ne nuk e kuptojmë plotësisht çështjen e  mundësimit të vullnetit të lirë të fundëm. Duket se përfshin në çdo moment pothuajse një lloj abdikimi hyjnor. Ne nuk jemi thjesht marrës apo spektatorë. Ne jemi ose të privilegjuar të marrim pjesë në lojë, ose jemi të detyruar të bashkëpunojmë në këtë punë, “për të përdorur tridentat tona të vogla”. A është ku një proces Krijimi që po ndodh para syve tanë?

Por a i braktis Zoti atëherë ata që i shërbejnë Atij më së miri? E pra, Ai që i shërbeu Atij më së miri nga të gjitha tha, pranë vdekjes së Tij të torturuar, “Pse më ke braktisur?” Kur Zoti bëhet njeri, ai Njeri, nga të gjithë të tjerët, ngushëllohet më së paku nga Zoti, në nevojën e Tij më të madhe. Këtu ka një mister të cilin, edhe sikur të kisha fuqi, mund të mos kisha guxim ta eksploroja. Ndërkohë, njerëz të vegjël si ju dhe unë, nëse lutjet tona ndonjëherë plotësohen, përtej çdo shprese dhe probabiliteti, më mirë të mos nxjerrim përfundime të nxituara në avantazhin tonë. Nëse do të ishim më të fortë, mund të trajtoheshim më pak me butësi. Nëse do të ishim më të guximshëm, do të na dërgonin, me shumë më pak ndihmë, për të mbajtur poste në beteja më të mëdha.

Artikulli është shkruar nga C.S Lewis, publikuar për herë të parë në vitin 1959/ The Atlantic, përshtati: Gazeta ’SI’


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë