Financa Personale

E vetmja pasuri e familjeve shqiptare është banesa. 62% nuk kanë asnjë kursim

familjet shqiptare

Sipas vrojtimit të Bankës së Shqipërisë, mesatarja e të ardhurave mujore e një familje shqiptare është 80.115 lekë.

10% e familjeve me të ardhura të larta, zotërojnë 32% të totalit të të ardhurave të gjithë popullsisë.

Të dhënat e konsumit tregojnë që: shpenzimet  mesatare  mujore  të  familjeve  për  ushqime  dhe  shërbime janë 35.388 lekë, ku shpenzimet mesatare mujore të  familjeve  për  ushqime  janë  28.293  lekë. 

Pjesa  tjetër  e  shpenzimeve ka të bëjë me shpenzimet për energji elektrike, ujë, gaz, telefon e internet; shpenzimet për ushqime brenda shtëpisë dhe shpenzimet për energji elektrike përbëjnë përkatësisht 69% dhe 11% të totalit të shpenzimeve.

Në aktivet që familjet shqiptare posedojnë, kryesojnë pasuritë e patundshme, të cilat bëjnë 80% të totalit, kryesisht banesa. Vlera e mesatares të banesës kryesore janë përkatësisht 5 milionë dhe 5.9 milionë lekë. (Metoda e matjes së vlerës së banesës kryesore nuk bazohet mbi çmimin e tregut, por mbi pritshmërinë e familjeve mbi vlerën me të cilën ato do të mund ta shisnin atë në kohën kur janë pyetur.)

93% e familjeve shqiptare janë pronarë, të plotë ose të pjesshëm, të banesës së tyre kryesore.

Aktivet e tjera të rëndësishme janë automjetet, të cilat zotërohen nga 40% e familjeve, ndjekur nga pasuritë e tjera të patundshme, të cilat zotërohen nga 36% e familjeve. Ndër pasuritë e tjera të paluajtshme (veç banesës kryesore), 71% e familjeve zotërojnë një tokë, 12% e familjeve një fermë bujqësore, ndërsa 17% e tyre zotërojnë një formë tjetër pasurie të patundshme

Aktivet që zotërohen më pak nga familjet janë bizneset familjare, që zotërohet nga 13% e familjeve, si dhe sendet me vlerë, që zotërohen nga 12% e familjeve. Mediana e vlerës totale të pasurisë reale, bazuar në vetëdeklarimin e bërë nga familja është 5.9 milion lekë, ndërsa mesatarja është 6.8 milion lekë.

Për sa u përket aktiveve financiare, ato përbëjnë mesatarisht rreth 7% të pasurisë së familjeve shqiptare. Të dhënat mbi normën e zotërimit të aktiveve financiare tregojnë që 16% e familjeve kanë të paktën një aktiv financiar, duke dëshmuar për një përfshirje të ulët financiare të familjeve. Parë sipas kategorive të ndryshme, vërehet se 10% e familjeve kanë llogari rrjedhëse, 7% e familjeve kanë depozitë, 5% e familjeve u kanë dhënë para borxh të tjerëve, dhe një pjesë shumë e vogël e familjeve kanë fonde pensioni dhe letra me vlerë të qeverisë. Mesatarja e vlerës së aktiveve financiare për familje është 0.53 milionë lekë, por mediana është shumë më e ulët, në vlerën e rreth 0.3 milionë lekëve.

Familjet shqiptare të anketuara nga BSH, mbi kredimarrjen kanë zbuluar se kërkësa për kredi është në përpjestim të zhdrejtë me nivelin e të ardhurave dhe pasurinë neto të familjeve.

Pra familjet në nevojë kanë refuzimin më të lartë dhe kjo ulet me rritjen e të ardhurave. Dhënia e kredisë është e lidhur njëkohësisht si me statusin e punësimit të personit të referencës, ashtu edhe me të pasurit e një pasurie të patundshme, e cila lihet si garanci për shlyerjen e kredisë.

Të dhënat tregojnë se më së shumti kërkesa e kredisë u është refuzuar familjeve ku personi i referencës ka paaftësi të përkohshme apo të përhershme, përkundrejt të tjerëve.

Të dytat renditen familjet shqiptare që e kanë personin e referencës të vetëpunësuar, që mund të lidhen me faktin që burimi i të ardhurave të tyre mund të jetë më i luhatshëm përkundrejt grupeve të tjera. Ndërsa familjet që e kanë personin e referencës të punësuar kanë një normë më të lartë mos-refuzimi. Parë sipas moshës së personit të referencës, duket që refuzimin më të lartë e kanë familjet që e kanë personin e referencës në grup-moshën 45-54 vjeç.

Sipas anketës, një familje shqiptare mund t’i rezistojë një goditje në të ardhura 4 deri në 7 muaj, sipas nivelit të të ardhurave. Por, 47% e tyre mund të rezistojnë asnjë ose maksimumi në 3 muaj. Ndërsa

Vetëm 19% e familjeve kanë një rezistencë më shumë se 1 vit.

Burimi kryesor i të ardhurave i familjeve shqiptare është puna, me 49-64% të totalit dhe burimi i dytë, remitancat me 14-23%.

Shqetësuese është shifra e familjeve shqiptare që nuk kursejnë. Sipas studimit 62% e familjeve në total nuk kursejnë, ndërsa pjesa tjetër po.

Shumica e familjeve që kanë kursime, i kanë me qëllim edukimin e fëmijëve apo kursime pleqërie.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë