Financa Personale

Pandemia shtoi familjet e varfra në Shqipëri dhe i bëri më të dobëta. Hendeku me të pasurit u thellua

Nga raporti i brishtësisë së familjeve shqiptare, publikuar nga Banka e Shqipërisë, rezulton se mbyllja e ekonomisë gjatë periudhë mars-prill 2020, uli të ardhurat e familjeve shqiptare me 13-16% dhe konsumin me 9-11%.

Të ardhurat e familjeve ishin rezistente vetëm për 4-7 muaj, më pas do të ndjenin goditjen ekonomike. Numri i familjeve të varfra gjatë 2020-s u rrit nga 23 në 27 mijë duke përbërë 30% të familjeve në total.

Nga grafiku i BSH-së tregohet se të ardhurat mediane të familjeve shqiptare arrijnë në 60.259 lekë për në muaj dhe 60% e familjeve, i kanë të ardhurat më të ulëta se kjo shifër, duke u klasifikuar si familje të varfra.  

Një tjetër element i rëndësishëm është hendeku i madh midis familjeve të pasura, atyre me të ardhura mesatare dhe atyre të varfra në vend.

Familjet e pasura i kanë të ardhurat 3.4 herë më të larta se një familje mesatare. Ndërsa familjet me të ardhura mesatare i kanë të ardhurat 4 herë më të larta se familjet me të ardhura më  të  ulëta.

37% e të ardhurave totale të familjeve zotërohen nga 20% e familjeve të pasura, ndërsa 20% e familjeve më të varfra zotërojnë vetëm 5% të tyre.

Bazuar në statusin e punësimit të secilit individ mbi 16 vjeç, të dhënat tregojnë që 42% e popullsisë janë  të punësuar dhe të vetëpunësuar, 23% janë të papunë, 20% janë pensionistë dhe pjesa tjetër 15% përbëhet nga studentë, si dhe persona me paaftësi të përhershme për punë. Kryesisht të punësuarit gjenden më së shumti në: industrinë përpunuese, shërbime administrative dhe mbështetëse, ndërtim, arsim, si dhe tregti me shumicë dhe pakicë. Ndërsa të vetëpunësuarit janë të shpërndarë kryesisht në sektorin e bujqësisë, tregtisë me pakicë dhe shumicë, akomodim dhe shërbim ushqimor, si dhe në industrinë përpunuese.

Burimi kryesor i të ardhurave për një familje shqiptare është puna me 49% të totalit dhe remitancat nga 14-23%. Burimi i tretë është ndihma sociale nga 6-15%.

Burimet e tjera të të  ardhurave, si t ardhura nga  qiraja apo të ardhurat nga interesat zënënjë përqindje fare të vogël, në totalin e të ardhurave. Statistikat tregojnë se së bashku të ardhurat nga puna dhe ato nga emigrantët, përbëjnë rreth 60% deri 80 të totalit të të ardhurave të familjeve, duke pasur një ndikim përcaktues në sjelljen konsumatore dhe financiare të tyre.

Brishtësia e familjeve, përcaktohet jo vetëm nga niveli i të ardhurave, por edhe nga ekspozimi i tyre ndaj kredisë.

Të dhënat tregojnë se në vitin 2019, vetëm 30% e numrit total të familjeve në Shqipëri kanë të paktën një borxh. Nga familjet që kanë të paktën një borxh, 45% e tyre i janë drejtuar sistemit financiar (bankave dhe institucioneve financiare jobanka) dhe 5% i janë drejtuar burimeve të tjera jashtë sistemit financiar, si për shembull familjeve dhe të afërmve. Në totalin e kredive të marra nga sistemi financiar, 25% e rasteve janë kredi hipotekore, ndërsa 75% e huamarrjeve përfaqësojnë kredi pa kolateral, përkatësisht 37% e familjeve kanë kredi konsumatore, 21% kanë llogari overdraft-i dhe 17% kanë karta krediti.

Familjet e varfra posedojnë 28% të kredisë së dhënë.

Ky vrojtim pjesë e Revistës Ekonomike të BSH-së, është bërë me 2.261 familje të shpërndara në gjithë  Shqipërinë. Rezultatet e marra nga ky vrojtim janë të peshuara, si rrjedhojë ato mund të përdoren për të përgjithësuar sjelljen e gjithë familjeve shqiptare, sipas autoritetit.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë