Ne rrjet

E vërteta e fundit për vrasjen e John Kennedy, agjenti i eskortës dhe ‘plumbi magjik’

Një agjent i sigurisë presidenciale flet pas 60 vitesh dhe ofron një version të ri, i cili megjithatë lë vend për dyshime. Paul Landis, në kujtimet e tij, shkruan: "U qëlluan tre të shtëna dhe jo dy”

Gazeta Si - Thuajse 60 vjet pas vrasjes së John Kennedy, një zbulim i ri trondit tezën e "plumbit magjik" të mbështetur nga Komisioni “Warren”: ai që hetoi vrasjen dhe pretendoi se ishte vetëm Lee Oswald që qëlloi, i vendosur në majë të një ndërtese të Dallasit, para së cilës kalonte limuzina e hapur e presidentit.

Atë ditë, më 22 nëntor 1963, JFK u vra (dhe guvernatori i Teksasit, John Connally, u plagos) nga dy plumba të qëlluar në autokolonën presidenciale. Sipas rindërtimit zyrtar, Kennedy u godit dy herë dhe Connally pësoi plagë të ndryshme.

Për Komisionin “Warren”, plumbi i parë (6.5 i kalibrit, i shkrepur nga një pushkë C2766) kaloi nëpër fytin e Kenedit dhe më pas nëpër shpatullën, gjoksin dhe kyçin e dorës së guvernatorit, duke ndaluar në kofshën e tij.

Për këtë arsye, që atëherë skeptikët e shumtë, të bindur se është qëlluar nga një tjetër drejtim, flasin për një “plumb magjik”.

Tani, atyre u vjen në ndihmë dëshmia e Paul Landis, një agjent i shërbimit sekret që po ndiqte makinën e presidentit atë ditë, duke qëndruar në bordin e drejtimit të një makine “Cadillac”.

Në një kujtim të titulluar, “Dëshmitari i fundit”, që do të botohet në Shtetet e Bashkuara më 10 tetor, 88-vjeçari Landis thotë se dëgjoi tre të shtëna që shpërthyen atë ditë dhe jo dy.

Dhe më pas, ai tregon se e kishte marrë “plumbin magjik” në sediljen e makinës presidenciale, për të shmangur vjedhjen e tij nga ndonjë kërkues suveniresh dhe se e kishte vendosur në barelën ku ishte trupi i Kennedy-t.

Deklaratë jo e vogël, nëse është e vërtetë, duke qenë se, sipas të dhënave të Warren, plumbi u gjet në barelën e Connally-t, jo të Jfk dhe për këtë arsye ekspertët besuan se ishte shkaku i plagosjes së guvernatorit.

Landis konsiderohet nga të gjithë si një person serioz, ai kurrë nuk ka besuar në teoritë e konspiracionit për vdekjen e ish-presidentit dhe ka qenë gjithmonë i bindur se Oswald ishte i vetmi që qëlloi.

Por rindërtimi i tij, tani i ndryshëm, rrjedh nga këndvështrime të ndryshme, siç vërehet në gazetën “New York Times” nga vetë Peter Baker, shefi i korrespondentëve nga Shtëpia e Bardhë, i cili e intervistoi atë dhe parashikoi përmbajtjen e librit.

Ndërkohë, ajo që shkruan sot ish-agjenti, është në kontrast me dëshminë që dha pas sulmit: ai pretendonte se kishte dëgjuar vetëm dy të shtëna dhe jo tre, nuk përmendi kurrë historinë e plumbit të hequr dhe tha se në "dhomën e traumës", në vendin ku po vdiste Jfk, hyri vetëm Jackie Kennedy (bashkëshortja).

Ai mbeti jashtë: po të ishte e vërtetë nuk do të kishte mundur ta vendoste plumbin në barelë. Sot ai thotë se ato ditë ishte i mërzitur (nuk ka fjetur pesë netë): ndoshta i ka rindërtuar kujtimet në mënyrë sipërfaqësore dhe të pasaktë.

Por mund të jetë kujtesa e tij ajo që e tradhton 60 vjet më vonë. Dyshimi tjetër ka të bëjë me dështimin e tij për të ndërhyrë për të korrigjuar komisionin “Warren”: ai pretendon se hetuesit nuk e thirrën kurrë për të dëshmuar dhe se kishte dhënë dorëheqjen nga shërbimi sekret, ndonëse nuk e lexoi raportin përfundimtar.

Vetëm rreth dhjetë vjet më parë, ai e kuptoi se si ishin gjërat, por kishte frikë të ekspozohej: mund ta akuzonin se kishte hequr elementë thelbësorë nga skena e krimit.

Një histori me shumë zona gri, që do të shkaktojë diskutime dhe do të sjellë sërish në plan të parë tezën e vrasësit të dytë. Por çështja, për këtë arsye, nuk do të rihapet.

Përshtati: Gazeta “Si”


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë