Futboll

E shtuna e ndeshjeve të mëdha, gola dhe shumë barazime

E shtuna ishte  vetëm fillimi i njërës prej fundjavave më të bukura në futbollin europian. Ndeshje të forta në letër dhe spektakolare në fushë, ka qenë ajo që kemi parë në përballjet e kampionateve kryesore europiane këtë të shtunë. Si asnjëherë më parë në një ditë janë luajtur derbi i Romës në Itali, ai i Madridit në Spanjë dhe i Londrës në Angli. Por përveç golave dhe spektaklit që gjithmonë është i garantuar, në disa nga ndeshjet kryesore të kësaj të shtunë skuadrat janë ndarë në barazime.

Në Premier League, aty ku gjithë vëmendja ka qenë e përqendruar në “Stamford Bridge”, kemi parë një ndeshje shumë të bukur dhe me rivalitet për 90 minuta, por që nuk ka prodhuar fitues. Chelsea dhe Liverpool në përballjen e dytë brenda javës, janë ndalur në barazim 1-1. Në fillim ishin “blutë” e Londrës që kaluan në avantazh me anë të Hazard, por pak minuta nga fundi, Sturidge ka barazuar me një gjuajtje fantastike nga jashtë zone.

Vijon të zhgënjejë, Man. United, që edhe këtë javë është mposhtur, në shifrat 3-1 nga West Ham. Tashmë mund të thuhet me plot gojën, se skuadra e Mourinho është në krizë të thellë. Në ndeshjet e tjera, kampionët e Manchester City, ia kanë dalë të marrin tre pikët e radhës me Birighton. Edhe Totenham, Arsenal dhe Everton kanë fituar nga tre pikë në këtë javë të Premier League.

Më poshtë tabela e rezultateve të ndeshjeve të luajtura ditën e shtunë në Premier League:

Në Itali, pesë skuadrat më të forta kanë dalë të luajnë në një ditë për shkak të angazhimit që i pret në Champions League në mesjavë .

Derbi i Romës është fituar nga “verdhekuqtë”, që ka triumfuar në shifrat 3-1 përballë ekipit lacial. Në një atmosferë tejet delikate sa i përket çështjes së trajnerit, Roma ka ditur ta menaxhojë shumë mirë situatën dhe të marrë kështu një fitore që jep tre pikë me vlerë, por mbi të gjitha shërben për të ngritur moralin. Golat e ndeshjes u shënuan nga Pellegrini, Kolarov dhe Fazio për Romës, ndërsa për shqiponjat laciale, i vetmi që tundi rrjetën ishte i përhershmi Ciro Imobile.

Por këtë të shtunë në Serie A nuk ishte vetëm derbi, por edhe sfida mes dy ekipeve më të mira italiane në tre vitet e fundit. Juventus priti në shtëpi Napolin e Carlo Ancelotti dhe që në javën e shtatë ka nisur shkëputjen. Bardhezinjtë kanë mundur pa shumë vështirësi të kaltrit në shifrat 3-1 dhe tashmë kanë 21 pikë në renditje, 6 më shumë se Napoli që është në vendin e dytë. Sakaq edhe Inter ka fituar në shtëpi këtë fundjavë, me Cagliari në rezultatin 2-0. Kjo ishte fitorja e katërt radhazi në të gjitha kompeticionet për Inter që po kalon momentin më të mirë, pasi atij starti disi problematik.

Më poshtë tabela e rezultateve të ndeshjeve të luajtura ditën e shtunë në Serie A:

Edhe në Spanjë, kjo e shtunë ka qenë dita disa e përballjeve të mëdha. Por dy ndeshjet kryesore janë mbyllur në barazim, me Real Madrid dhe Barcelona që nuk janë rikthyer dot te fitorja pas atyre humbjeve shokuese në mesjavë.

“Los Blancos” pas asaj humbje 3-0 me Sevijan të mërkurën, këtë të shtunë kishin një provë të vërtetë zjarri, pasi në “Bernabeu” zbrisnin, “komshinjtë” e Atletico Madrid. Një ndeshje me ritëm të lartë, e denjë për t’u përdorur nga La Liga si reklame, por që në fund i ka parë të dyja ekipet të ndahen në barazim pa gola. Një rezultat që mund të kishte ndryshuar disa, por sa për meritë të portierëve, Courtois dhe Oblak, por edhe gabimeve të sulmuesve, goli nuk erdhi në asnjë portë.  Në fund gjithçka u mbyll, 0-0 me të dy ekipet që nuk dolën të kënaqur, pasi e kërkuan me insistim fitoren.

Në një javë kur në Madrid luhet derbi, është rasti ideal për Barcelonën që të fitojë dhe të shkëputet nga njëri prej rivalëve më të fortë. Por Katalanasit nuk ia kanë dalë të marrin tre pikët këtë të shtunë në sfidën me Atletico Bilbao, duke barazuar 1-1.

Më poshtë tabela e rezultateve të ndeshjeve të luajtura ditën e shtunë në La Liga:

Në Gjermani, Dortmund ka marrë një fitore shumë të rëndësishme përballë Bayer Leverkusen, në shifrat 2-4. Pas humbjes se Bayern të premte, Borusia Dortmund tashmë ka marrë kryesimin e kampionatit. Edhe Red Bull Leipzig ka vijuar me formën e mirë, duke marrë tre pikët e radhës me Hoffenheim në transfertë.

Më poshtë tabela e rezultateve të ndeshjeve të luajtura ditën e shtunë në Bundesliga:

Në Francë, PSG vijon të komandojë kampionatin pa asnjë problem. Parizienët kanë fituar lehtësisht në fushën e Nice në shifrat 0-3. Nga ana tjetër, rivalët e Lyon janë ndalur në barazim në shtëpi 1-1 me Nantes.

Më poshtë tabela e rezultateve të ndeshjeve të luajtura ditën e shtunë në Ligue 1:


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë