Ne rrjet

E quajti trillim masakrën e Reçakut, dënohet ish-ministri serb i Kosovës

Ish-ministri i Vetëqeverisjes Lokale në Qeverinë e Kosovës, Ivan Teodosijevic, u dënua ditën e sotme me dy vjet burgim nga një Gjykatë në Prishtinë, disa muaj pasi e cilësoi masakrën e Reçakut një trillim të shqiptarëve të Kosovës.

Teodosijeviq u dënua për deklaratat e ashpra gjatë 20-vjetorit të bombardimeve të NATO-s, kur tha se “arsyeja për agresionin e NATO-s ka qenë e ashtuquajtura katastrofë humanitare në Kosovë dhe masakra e trilluar e Reçakut”.

Kryeministri i Kosovës, tashmë në detyrë, Ramush Haradinaj, e shkarkoi Teodosijeviqin rreth dy javë pas deklaratës.

Haradinaj tha se “gjuha e urrejtjes” e një ministri nuk mund të tolerohet. Ndërkohë Serbia ka kundërshtuar ashpër dënimin e tij. Drejtori i Zyrës për Kosovën në Qeverinë e Serbisë, Marko Gjuriq, tha se Teodosijeviq u dënua sepse “tha atë që cdo serb e di dhe e ndjen”.

Por deklararat e tij erdhën si një goditje e rëndë për të gjithë familjarët e viktimave të masakrës së Recakut.

Adem Ramadani, i plagosur në ditën kur ndodhi masakra e Reçakut në janar të vitit 1999, thotë se ndihet i fyer nga deklaratat e ish-ministrit. Ai ka kritikuar drejtuesit e institucioneve të Kosovës që nuk kanë vënë ende drejtësinë në vend për masakrën që ndodhi në fshatin e tij, ku humbën jetën më shumë se dyzet persona. Sipas tij, deri tani as gjykatat e Kosovës nuk kanë akuzuar asnjë person për krimet e bëra.

“Masakra e Reçakut është e njohur besoj në gjithë botën. Ne ndihemi të fyer. Si nuk ndihemi të fyer kur njerëzit kanë humbur nga 3 anëtarë të shtëpisë në Reçak e në vendet tjera edhe me shumë. Por, neve na vret edhe fakti që qeveria jonë nuk ka akuzuar serbët për Reçakun dhe të gjitha masakrat e tjera. “, tha Ramandani.

Arrestimi i ish-ministrit serb, vjen pasi Ministria e Drejtësisë së Kosovës ka filluar hartuar një ligji që të dënohet cdo person që mohon krimet dhe masakrat që janë bërë gjatë luftës 1998-99.


Copyright © Gazeta “Si”



Më Shumë