Futboll

E bujshme, Marcelo kërkon bashkimin me Ronaldo te Juventus

Në një ditë, kur të gjitha mediet italiane dhe më gjerë flasin për triumfin e Inter në derbin e Milanos, gazeta torineze, tuttosport hapet me një titull ndryshe dhe befasues. “Marcelo drejt Juventus, braziliani kërkon kalimin në Torino që në janar”, kjo është ajo që ka shkruar në faqen e parë të saj gazeta italiane.

Sipas asaj që shkruan e përditshmja torineze, Marcelo ka biseduar me agjentët e tij dhe është i gatshëm që të largohet nga klubi madrilen që në muajin janar. Ai ka një miqësi shumë të fortë me Kristiano Ronaldo dhe dëshiron që të bashkohet me të sërish në një ekip që në muajin janar. Marcelo ka folur vazhdimisht me Ronaldo për t’u interesuar për ambientin në Torino dhe nga ato që ka dëgjuar nga portugezi ka vendosur për transferimin në Serie A.

Një moment shumë i rëndësishëm në këtë histori do të jetë takimi i mbrojtësit brazilian me presidentin e Real Madrid, Florentino Perez. Bosi i Real Madrid do të kërkojë nga Marcelo arsyet e largimit, pasi në rast se nuk bindet mund ta bllokojë largimin e tij, siç bëri në rastin e Modric në muajin gusht, i cili u përfol për një kalim te Inter. Sa i përket çmimit, Juventus e ka filluar punën tashmë dhe po krijon kushtet e duhura për ta financuar këtë operacion. Një pjesë shumë e madhe e parave që do të financonin këtë lëvizje do të vijnë nga shitja e brazilianit tjetër, Aleks Sandro. Ky i fundit ka disa klube që e kërkojnë në Premier League dhe do e zgjidhte shumë lehtë një kalim në këtë kampionat, për shkak edhe të rrogave të mëdha që aty ofrohen.

Deri në këto momente, kjo histori merkatoje duket si fantazi, por e sigurt është fakti që mediet do të flasin gjatë deri në momentin kur të merret një vendim përfundimtar.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë