Rend dhe Ligj

Dy vajzat e braktisura nga nëna: Na çoni në jetimore, babai më rreh, në shtëpi pi hashash

Dy vajza të mitura kanë kërkuar ndihmë te psikologia e shkollës, e cila i ka dërguar menjëherë në polici dhe ju ka siguruar urdhër mbrojtjeje. Fëmija me inicialet A. D jeton në zonën e frutikulturës me të atin, kurse e ëma rezulton se i ka braktisur dy muaj më parë sapo partneri kishte lënë burgun. Së bashku me të motrën e mitura i ka kërkuar psikologes së shkollës që t’i ndihmojë për t’u strehuar në shtëpinë e fëmijës pasi nuk e duronin dot më dhunën, pohuan për gazetën Si burime të sigurta të policisë.

“Isha në shtëpi së bashku me motrën e vogël dhe po hanim bukë dhe babai hyri në dhomë pa thënë gjë prej gjëje. U afrua dhe më qëlloi me shuplaka në fytyrë -rrëfen pranë komisariatit të Kamzës e mitura, e cila kishte shenja të dukshme dhune në fytyrë. Rezulton se të nesërmen fëmija së bashku me të motrën, pasi kanë mbaruar mësimin kanë trokitur në zyrën e psikologes së shkollës ku kanë treguar se çfarë ndodhte brenda 4 mureve të shtëpisë.

“Kam frikë të kthehem në shtëpi, babai na rreh, - thotë mes të tjerash e mitura që me lot në sy është lutur ta shpëtojnë prej shpërthimeve të tij. Burime të gazetës Si tregojnë se babai dhunues është përdorues droge dhe këtë gjë e konfirmon në dëshminë e saj edhe e mitura.

“Babai sjell në banesë shokun e tij F. D me të cilin pinë hashash dhe pasi e bën këtë gjë, ai fle gjumë dhe nuk bën zhurmë, shpjegon mes të tjerash e mitura. Por në rastet e tjera, ai nevrikoset dhe na godet pa asnjë shkak. Kemi frikë të bëjmë zhurmë. Flasim avash dhe fshihemi prej tij”.

Burime të Gazetës Si pranë komisariatit të Kamzës shpjeguan se fëmija kishte shenja frakture në ballë, por kur është pyetur nga psikologët, e mitura e ka fshehur këtë fakt duke thënë që ishte rrëzuar në pllakat e dushit. Por shenjat e dhunës duken te freskëta çka i bind agjentët që e mitura po përpiqet ta lehtësojë gjendjen e të atit. Policia u vë në dijeni për rastin nga zyra për mbrojtjen për të miturit në bashkinë e Kamzës, të cilët e bënë prezentë problemin duke u paraqitur në Komisariat së bashku me të miturën, shpjegoi për gazetën Si një burim policor.

Fëmija thotë mes të tjerash “jam aq e mërzitur dhe e frikësuar nga dhuna, saqë i jam lutur edhe babait të na lërë në jetimore, por ai më është përgjigjur se atje të shtypin me këmbë. Nuk rri më dot me babain. Kemi frikë prej tij”. Rezulton se fëmija është nxënëse në klasën e tretë ndërsa e motra nxënëse në klasën e parë. Policia thotë për gazetën Si se i riu me inicialet G.D ka një kartelë të pasur me probleme ligjore. Në vitin 2005 ky shtetas rezulton të ketë qenë i shpallur në kërkim për veprën vjedhje e kryer në bashkëpunim në dëm të shtetasit T.D. Në vitin 2008 ky shtetas është dënuar me një vit burg nga gjykata. Në 5 shkurt 2020 këtij shtetasi i është dhënë leje shpërblyese prej 5 ditësh për të shkuar në shtëpi, por ai nuk është kthyer më, detajon një agjent krimesh. Teksa ky shtetas është arrestuar për dhunë në familje, mbi të rëndojnë katër akuza për vjedhje përgjatë viteve 2012-2019. Dy vajzat e mitura sipas burimeve janë strehuar pranë një qendre, ndërkohë që është urdhëruar ekspertimi i shenjave në fytyrën e fëmijës, e cila ka fraktura në ballë dhe hundë dhe që nëse vërtetohet që vijnë nga dhuna, babai do akuzohet edhe për plagosje.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë