Futboll

Dy skuadra të Superiores, në “shtëpi me qira” sezonin e ri!

Kategoria Superiore nis zyrtarisht sezonin 2018-2019 më 12 gusht, kur "Skënderbeu" dhe "Laçi" do të diskutojnë mes tyre trofeun e Superkupës së Shqipërisë. Një javë më pas, më 19 gusht, ngre siparin kampionati i elitës së futbollit shqiptar. Mbetet edhe më pak se një muaj kohë, por sa janë të përgatitura 10 skuadrat pjesëmarrëse për këtë edicion? Vëmendja e opinionit përqendrohet te blerjet në merkato, afrimet dhe largimet, por janë edhe disa probleme të tjera, madje shumë serioze.

Licencimi i stadiumeve është një nga problemet më të mëdha të klubeve shqiptare, një problem i mbartur që deri tani është kaluar duke mbyllur njërin sy. Por duket se ka ardhur momenti për të thënë “Stop”, sepse është e pamundur të vazhdohet kështu. Rregullat janë rregulla dhe duhen zbatuar. Nuk ka më tolerime. Skuadrat me stadiume problematike duhet të gjejnë një “shtëpi” të re, që të plotësojë standardet  për të marrë pjesë në aktivitet. Dhe ndër 10 skuadrat e Superiores, dy janë ato që e kanë këtë problem, "Kukësi" dhe "Kastrioti". Detyrimisht këto dy skuadra duhet t’i luajnë ndeshjet si pritëse në një stadium tjetër dhe marrëveshjen duhet ta kenë zyrtarizuar brenda afatit.

Stadiumi i Kukësit, "Zeqir Ymeri"

“Zeqir Ymeri” i amortizuar

Stadiumi "Zeqir Ymeri", i nënkampionëve të "Kukësit", ka një problematikë të njohur tashmë dhe që sezonin e fundit ishte në limitet e të pamundurës për të luajtur futboll. Tapeti i tij, që është me bar artificial, është tejet i amortizuar dhe rrezikon dëmtime serioze për futbollistët. Këta të fundit e kanë ngritur shpesh këtë problematikë gjatë sezonit të fundit. Ndërhyrja është e pashmangshme në këtë stadium dhe drejtuesit e klubit verior duhet të sigurojnë sa më parë një stadium tjetër për sezonin e ri. Ata kanë zgjedhur stadiumin “Loro Boriçi” të Shkodrës si “shtëpinë” e tyre për sezonin 2018-2019 dhe shumë shpejt pritet një marrëveshje zyrtare mes palëve. "Vllaznia" luan në Kategorinë e Parë këtë sezon dhe Kukësi e ka më të lehtë për ta marrë me qera stadiumin e rikonstruktuar të Shkodrës, ku luan edhe Kombëtarja e Shqipërisë. Drejtuesit e "Kukësit" kanë një projekt për stadiumin e ri, por deri tani nuk janë hedhur ende hapa konkretë.

Problematika e stadiumit të Krujës

Krutanët nuk patën shumë kohë të festonin ngjitjen në Superiore, sepse e kishin të qartë se çfarë i priste. Duhet jo vetëm një skuadër kompetitive, që t’i përgjigjet kërkesave të Superiores, por edhe infrastruktura nuk duhet të ketë mangësi.  Stadiumi i Krujës nuk ka probleme me tapetin, por licencimi i tij nuk mund të bëhet për shkak të tribunës qendrore. Kjo tribunë është shumë e vogël dhe nuk lejon transmetimin në kushte normale të ndeshjeve nga televizionet. Drejtuesit e klubit krutan po nxitojnë për të gjetur stadiumin e ri dhe me shumë mundësi, rikthimin në elitë do ta shijojnë në stadiumin e Fushë-Krujës. Nuk do të ishte shumë problem për tifozët krutanë, pasi do të udhëtojnë vetëm pak kilometra për të ndjekur skuadrën e zemrës në ndeshjen e saj si pritëse.

Stadiumi i Krujës

Pa stadium për momentin është edhe "Partizani", por ai mbetet në kryeqytet. Ekipi i kuq i luan ndeshjet si pritës në stadiumin “Selman Stërmasi“ që prej sezonit të kaluar, pasi është duke ndërtuar kompleksin e vet, përfshirë edhe stadiumin e ri. Deri në momentin që ky stadium të jetë gati, të kuqtë do të vazhdojnë të qëndrojnë në shtëpinë e “armiqve” të Tiranës.

Problematika e licencimit të stadiumeve është shumë më e ndjeshme në kategoritë inferiore të futbollit shqiptar, ku edhe investimet janë mjaft të kufizuara. Problemet lidhen shpesh me tapetet e blerta, që në stinën e dimrit degradojnë dhe është e pamundur të luhet në to. Por mangësi të theksuara këto stadiume kanë edhe me rrethimin e tyre të jashtëm, tribunat dhe dhomat e zhveshjes së futbollistëve. Ndaj dhe është koha për të mos toleruar në këtë drejtim dhe për të vepruar me dorë të hekurt. Gjithçka nis me Superioren, për të vazhduar më pas me kategoritë e tjera.     


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë