Futboll

Dy ndeshje “të çmendura” dhe një rekord negativ i Jurgen Klopp

Liverpuli dhe Roma prodhuan dy ndeshje të çmendura në gjysmëfinalet e Ligës së Kampionëve. Në total 13 gola u shënuan në dy përballjet; 7 në “Anfield” dhe 6 në “Olimpico”.

Në fund, ata që u kualifikuan me rezultatin e përgjithshëm 7-6 ishin anglezët e Jurgen Klopp, megjithëse edhe kjo ndeshje s’i shmangu dot polemika për arbitrimin.

Në finalen e madhe të Kievit, “The Reds” do të përballen me Realin e Madridit, që eleminoi më herët Bajernin e Mynihut. Por, a duhet t’i tremben tifozët e Liverpulit historikut të Jurgen Klopp si trajner në finalet e mëdha?

Jurgen Klopp në përfundim të ndeshje Roma-Liverpul

Rekordet këshillojnë që “Po”. Në gjashtë finale të ndara mes kupës së Gjermanisë, Ligës së Europës dhe Ligës së Kampionëve, Jurgen Klopp ka arritur që të fitojë vetëm një dhe ajo ka qenë 6 vite më parë.

Bëhet fjalë për finalen e Kupës së Gjermanisë të fituar me rezultatin 5-2 ndaj Bajernit të Mynihut. Në pesë finalet e tjera, Klopp vetëm ka humbur, dy prej të cilave në 2016, fillimisht Capital One Cup ndaj Manchester City dhe më pas Ligën e Europës në finale ndaj Seviljes.

Ndaj Realit, mund të jetë një tjetër histori, por siç sugjeron ish-mbrojtësi i Liverpulit, Mark Lawrenson, ndonjëherë skuadra dhe Klopp duhet të tërhiqen, të mbrohen. “S’mund të luash për 90 minuta gjithë kohës në sulm. Është rraskapitëse!”, thotë ai.

Ai i bëri këto komente për BBC pas ndeshjes së Olimpicos.

“Lojtarëve në fushë u duket sikur mund të shënojnë në çdo moment. Unë nuk jam kundër futbollit që bën Liverpuli dhe Jurgen Klopp, por shpesh finalet e mëdha përcaktohen edhe nga aftësia e skuadrës për t’u mbrojtur”, deklaron Lawreson.

 

Më Shumë