Futboll

Dy lojtarët e Rusisë rrahin politikanin e lartë, ndërhyn Kremlini

Çmenduri në Rusi, me protagonistë negativë dy futbollistë të kombëtares së futbollit. Pavel Mamaev dhe Aleksandër Kokorin kanë rrahur barbarisht të hënën në mbrëmje, në një nga baret e Moskës, një funksionar të lartë të Ministrisë së Tregtisë, Denis Pak. Të dy lojtarët me siguri kanë qenë të dehur dhe e kanë goditur këtë person me grushte, shkelma e madje edhe me një karrige. Tani lojtarët rrezikojnë shumë. Masa e parë ishte ajo ndaj Mamev, pasi klubi i tij, Krasnodari, ka vendosur ta pezullojë. "Pavel Mamaev është pezulluar nga klubi, që do ta ndëshkojë me të gjitha masat e mundshme”, - shkruan klubi rus në një komunikatë zyrtare për shtyp.

Drejtuesit e Krasnodarit kanë bërë të qartë se fillimisht lojtari i dhunshëm do të lërë skuadrën e parë. Klubi rus heziton ta përjashtojë për shkak të disa pikave të kontratës, që e mbrojnë lojtarin. Zeniti ndërkohë ka kërkuar të marrë më shumë kohë para se të marrë një vendim për Kokorin, edhe pse është e qartë se ky klub është tejet i indinjuar me sjelljen e sulmuesit. Për momentin është shtyrë marrja e vendimit, pasi pritet edhe raporti i plotë i policisë që po heton ngjarjen.

Mamaev dhe Kokorin në një ndeshje me Rusinë

Federata e Rusisë ka thirrur përfaqësues të dy klubeve për t’u shprehur indinjatën për atë që ka ndodhur. "Shpresojmë që fajtorët të marrin dënimin më të rëndë të mundshëm. Huliganët nuk kanë vend në futbollin tonë”. Ky është qëndrimi i Federatës Ruse të Futbollit. Qëndrim të ashpër ka mbajtur edhe Ministri i Sporteve, Pavel Kolobkov, i cili ka kërkuar përjashtimin e menjëhershëm të dy lojtarëve nga kombëtarja ruse. "Viktima i është drejtuar policisë. Janë pamjet e ngjarjes dhe nëse do të vërtetohet plotësisht se dy lojtarët janë fajtorë, nuk do të luajnë më me kombëtaren. Sjellja e tyre ngre hije dyshimi për gjithë futbollin tonë”, - ka thënë ai.

Denis Pak, funksionari i lartë rus i Ministrisë së Tregtisë

Por nuk përfundon këtu, pasi ngjarja është bërë çështje shtetërore dhe ka shkuar deri në strukturat më të larta, në Kremlin. Zëdhënësi i viktimës, funksionari Dmitri Peskov, pasi ka publikuar pamjet e ngjarjes, është shprehur i sigurt se organet kompetente nuk do të kenë vështirësi për të evidentuar rrethanat dhe protagonistët. Imazhet e filmuara nga kamerat e sigurisë tregojnë dy futbollistët, të shoqëruar nga disa miq të tyre, që futen në pab. Funksionari i lartë, Denis Pak, ka kërkuar prej tyre të mos bënin shumë zhurmë. Grupi ka reaguar, por më i ashpër ka qenë Aleksandër Kokorin, i cili e ka goditur me një karrige në kokë. Më pas janë afruar edhe Pavel Mamaev dhe një person tjetër për të goditur edhe ata. Avokati i Pak, Guenadi Oudinian, ka bërë me dije se ka pasur edhe një sulm racist nga dy agresorët, për shkak të origjinës aziatike të viktimës.

https://youtu.be/5VER7J_LgIE
Video që tregon dhunën e dy futbollistëve të Rusisë 

Televizioni rus “Ren-TV” ka transmetuar një video të sherrit, ku dy futbollistët dallohen qartësisht dhe nuk është e vështirë të evidentohet përfshirja e tyre në ngjarjen e shëmtuar. Mamaev dhe Kokorin janë miq të ngushtë prej shumë vitesh. Edhe më parë ata janë përfshirë në episode të ngjashme dhe janë pezulluar nga klubet e tyre. Në qershor të 2016-ës është publikuar një video, ku të dy këta futbollistë shfaqen në një episod të dhunshëm një ditë pas eliminimit të Rusisë nga Europiani i Francës. Por këtë herë kanë kaluar çdo limit, duke sulmuar një politikan të rëndësishëm. Në një vend aspak tolerant si Rusia, ata rrezikojnë një dënim shembullor, deri në 5 vite përjashtim.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë