Shendet

Dy ilaçe të reja ngjallin shpresë për trajtimin e kancerit të pankreasit

Dy trajtime të reja që po testohen kanë ngritur shpresat për pacientët e kancerit të pankreasit, më vdekjeprurësi në botë.

Shkencëtarët prezantuan para pak ditësh të dhënat e këtyre trajtimeve, që nuk janë publikuar akoma zyrtarisht dhe as nuk janë aprovuar nga rregullatorët.

Kanceri i pankreasit, një gjëndër e vendosur thellë në bark që ndihmon në tretje dhe rregullon sheqerin në gjak, shkakton mbi 50.000 vdekje në vit vetëm në Shtetet e Bashkuara dhe përbën rreth 8% të vdekjeve nga kanceri në këtë vend. Shumë pacientë humbasin jetën brenda një viti pas diagnozës dhe vetëm 13% e tyre jetojnë më shumë se pesë vite.

Opsionet e trajtimit për këtë sëmundje janë të kufizuara dhe shpesh jo shumë efektive, gjë që shpjegon edhe interesin e madh për terapitë e reja eksperimentale që po testohen aktualisht. Sipas Dr. Robert Vonderheide nga Abramson Cancer Center i Universitetit të Pensilvanisë, i cili nuk është pjesë e kërkimit, rezultatet e deritanishme janë “në fakt të paprecedenta”.

Një nga barnat eksperimentale, daraxonrasib, ka treguar rezultate premtuese në një studim klinik të fazës së vonë, duke dyfishuar jetëgjatësinë mesatare të pacientëve në mbi 13 muaj, krahasuar me më pak se 7 muaj për ata që trajtoheshin vetëm me kimioterapi, sipas kompanisë Revolution Medicines që po zhvillon këtë ilaç.

Një rritje prej rreth 6 muajsh në jetëgjatësinë e pacientëve konsiderohet pothuajse e paprecedentë në këtë fushë mjekësore. Kompania që po zhvillon ilaçin ka deklaruar gjithashtu se efektet anësore të tij janë “të menaxhueshme”.

Sipas Dr. Robert Vonderheide, president i zgjedhur i American Association for Cancer Research, ajo që ka tërhequr më shumë vëmendjen është fakti që trajtimi ka arritur të dyfishojë mbijetesën e përgjithshme të pacientëve. Ai thekson se bëhet fjalë për një grup pacientësh me shumë pak alternativa trajtimi dhe se një efekt i tillë, i shoqëruar me efekte anësore të përballueshme, ka krijuar shumë entuziazëm në komunitetin shkencor.

Të dhënat pritet të prezantohen edhe në një konferencë për kancerin në Çikago muajin e ardhshëm, ndërsa në San Diego këtë javë janë paraqitur rezultate nga faza më e hershme e testimeve, që përfshijnë disa dhjetëra pacientë.

Në këto prova, shumë pacientë kanë raportuar efekte anësore si skuqje e lëkurës, diarre, lodhje dhe të përziera, por nuk është regjistruar asnjë vdekje e lidhur me trajtimin.

Në një intervistë të fundit për The New York Times, ish-senatori Ben Sasse, republikan nga Nebraska, i cili vitin e kaluar bëri publike diagnozën e tij me kancer pankreatik në fazë terminale, deklaroi se ka marrë pjesë në një provë klinike për një nga barnat eksperimentale.

Ai tha se në dhjetor i ishte komunikuar se kishte vetëm tre deri në katër muaj jetë, por trajtimi kishte arritur t’i zvogëlonte tumoret dhe ta ndihmonte të ulte përdorimin e ilaçeve kundër dhimbjes. Ai gjithashtu përmendi se kishte pasur një skuqje në fytyrë, të cilën e lidhte si efekt anësor të ilaçit.

Kompania Revolution Medicines, me bazë pranë San Franciskos, njoftoi se po planifikon të kërkojë miratimin rregullator për trajtimin, i cili tashmë është futur në procedurë të përshpejtuar nga Administrata Amerikane e Ushqimit dhe Barnave (FDA).

Ndërkohë, një tjetër qasje premtuese është një vaksinë e personalizuar me teknologji mRNA. Ndryshe nga vaksinat tradicionale që parandalojnë sëmundjet infektive, kjo lloj vaksine synon të trajtojë kancerin tek pacientët që tashmë janë diagnostikuar.

Në një studim të vogël sigurie në San Diego, studiuesit raportuan se 7 nga 8 pacientë që patën përgjigje të sistemit imunitar ishin ende gjallë deri në 6 vite pas trajtimit të fundit, ndërsa vetëm 2 nga 8 pacientë që nuk patën përgjigje imune mbijetuan në të njëjtën periudhë.

Studimet e fazës 1 si ky nuk janë të dizajnuara për të vlerësuar nëse një trajtim është efektiv, por vetëm nëse është i sigurt. Ky trajtim po zhvillohet nga BioNTech dhe njësia Genentech e kompanisë Roche.

Teknologjia e përdorur në këtë vaksinë quhet messenger RNA ose mRNA dhe është e njohur më së shumti nga vaksinat kundër Covid-19. Ajo funksionon duke i dhënë trupit udhëzime për të prodhuar një fragment të një virusi ose strukture tumorale, duke aktivizuar kështu sistemin imunitar për të reaguar ndaj saj.

Sipas raportimit, nën drejtimin e Sekretarit të Shëndetësisë Robert F. Kennedy Jr., administrata Trump ka bërë disa ndryshime në politika dhe financim që janë konsideruar të pafavorshme ndaj teknologjisë mRNA.

Pacientët me kancer pankreatik kanë prognozë shumë më të keqe krahasuar me lloje të tjera kanceri, si disa forma të kancerit të gjakut apo të gjirit. Në këto sëmundje, përparimet e fundit në trajtim kanë bërë që disa diagnoza dikur vdekjeprurëse të shndërrohen në sëmundje kronike të menaxhueshme për shumë pacientë.

Ndryshe nga ato, kanceri i pankreasit është shumë më i vështirë për t’u trajtuar. Ai shpesh zbulohet në faza të vona, pasi zakonisht nuk jep simptoma të hershme dhe pacientët e kuptojnë problemin vetëm kur humbin peshë papritur ose shfaqin verdhëz. Për më tepër, trajtime si imunoterapia, që kanë përmirësuar ndjeshëm disa lloje të tjera kanceri, deri tani nuk kanë dhënë të njëjtin efekt tek kanceri i pankreasit.


Copyright © Gazeta “Si”


Një përgjigje te “Dy ilaçe të reja ngjallin shpresë për trajtimin e kancerit të pankreasit”

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Më Shumë