Gjatë gjithë ditës së mërkurë, helikopterët e ushtrisë kanë mbushur ujë në plazhin e Livadhit (Himarë) për të shuar flakët që kanë përfshirë prej ditësh malësinë e Himarës.
Gazeta “Si” ka siguruar një video që tregon punën e Forcave të Armatosura në përpjekje për të eliminuar të gjitha vatrat e zjarrit në qarkun e Vlorës.
Ndërkohë, Komisioni Europian do të mbështesë vendet që po luftojnë me zjarret përfshi edhe Shqipërinë. “Solidaritet europian me Italinë, Greqinë, Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut, që po luftojnë aktualisht me zjarret shkatërruese. Qipro, Çekia, Franca, Sllovenia dhe Holanda po vendosin në gatishmëri aeroplanë zjarrfikës, helikopterë dhe një ekip zjarrfikësish përmes Mekanizmit të Mbrojtjes Civile”, thuhet në reagimin në “Twitter”.
“Dy helikopterë për të mbështetur operacionet në Shqipëri do të dërgohen nga Çekia dhe Holanda”, njofton Komisioni Europian.
Dy aeroplanë zjarrfikës “Canadair” nga Franca po dërgohen në zonat e prekura në Itali për të filluar operacionet e shuarjes së zjarrit sot.
Dy avionë zjarrfikës nga Qipro po mbështesin Greqinë, në krye të një ekipi zjarrfikës për të mbështetur operacionet në terren. Ndërkaq, Sllovenia po dërgon një ekip prej 45 zjarrfikësish në Maqedoninë e Veriut. E gjithë ndihma mobilizohet përmes Mekanizmit të Mbrojtjes Civile të BE-së, me bashkëfinancim nga Komisioni të paktën 75 % të kostove të transportit.
Kreu i Partisë Demokratike Lulzim Basha ka reaguar pas aktivizimit të Mekanizmit të Mbrojtjes Civile nga BE për Shqipërinë dhe vendet e tjera të rajonit që po përballen me zjarret.
“Aktivizimi i Mekanizmit të Mbrojtjes Civile nga Bashkimi Europian për Shqipërinë dhe vendet e rajonit, është një lajm shumë i mirë në këtë moment kritik të përballjes me zjarret. Mirënjohje Bashkimit Europian për ndihmën, përherë një mik i mirë në kohë të vështira”, shkruan kryedemokrati në një postim në “Twitter”.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.