Libra

Dy fjalorë të gjuhës shqipe për fëmijë të moshës shkollore që plotësojnë një mungesë

E veçanta e fjalorëve është që shpjegimet bëhen me perifrazime të thjeshta e sinonime në përshtatje me zhvillimin gjuhësor e psikik të secilës grupmoshë
Kopertina e fjalorit per femije

Nga Gazeta Si - Për herë të parë hartohen fjalorë të gjuhës shqipe për fëmijë të moshës shkollore. Bëhet fjalë për dy fjalorë të ilustruar për grupmoshat (5-11 vjeç) dhe (+12 vjeç) të hartuar nga gjuhëtari Shezai Rrokaj dhe Anila Kananaj; Fjalor i gjuhës shqipe i ilustruar (mosha 5-11 vjeç) dhe Fjalor i gjuhës shqipe (mosha 12+).

Sipas hartuesve të këtyre fjalorëve këto janë fjalorë shpjegues të shqipes standarde që u shërbejnë në radhë të parë nxënësve të moshës shkollore në të gjithë hapësirën shqiptare si dhe mësuesve dhe prindërve për të ndihmuar fëmijët në përvetësimin e lëndëve mësimore.

Për profesor Shezai Rrokaj, këto fjalorë janë të munguar në gjuhën shqipe dhe botimi i tyre përbën një risi.

“Në historinë e leksikografisë shqipe është hera e parë që botohen fjalorë të gjuhës shqipe për moshën shkollore dhe për më tepër, të hartuar mbi përdorimin (ligjërimin) e me tipare bashkëkohore perëndimore. Me këta fjalorë plotësohet një mungesë dhe sillet një risi për shkollën dhe gjuhën shqipe, për gjithë komunitetin që merret me edukimin e fëmijëve në gjuhën shqipe në hapësirat ku ka popullsi autoktone shqiptare ose në diasporë, për të huajt dhe për të gjithë ata që dëshirojnë të përmirësojnë aftësitë e tyre në shqipen standarde”, shprehet Rrokaj për Gazetën “Si”.

Sipas autorëve, këto fjalorë ofrojnë leksikun bazë që nevojitet në komunikimin e përditshëm për secilën grupmoshë, si dhe një numër fjalësh të përzgjedhura me kujdes, që ndihmojnë në të kuptuarit e teksteve shqip me karakter të përgjithshëm, përfshi këtu kinemanë dhe medien.

“Në hartimin e të dy fjalorëve janë marrë parasysh arritjet më të mira të leksikografisë shqiptare dhe të huaj. Jemi këshilluar me botime të ngjashme të shtëpive botuese me emër, si: Oxford, Longman e DK Children, Le Robert Junior në frëngjishte etj”.

Gjuhëtari Shezai Rrokaj

Gjuhëtari Rrokaj thotë se për hartimin e këtyre dy fjalorëve është ndërtuar një korpus prej rreth 100 milionë fjalëformash, të përbërë nga tekste shkollore dhe letrare specifike për secilën grupmoshë, duke përfshirë edhe materiale me përralla popullore ose edhe shkrime nga shtypi i ditës.

“Pjesa më e madhe e korpusit është me materiale të shkruara në shqipen standarde, por ka në një masë të konsiderueshme edhe tekste të shkruara në gegërisht, siç janë përrallat popullore, shkrime nga Koliqi, Qosja etj. Fjalësi i krijuar është ballafaquar me tekstet shkollore nga klasa e parë deri në të nëntën dhe është testuar te fëmijët e moshës shkollore për secilin cikël (tri shkolla të niveleve të ndryshme në Tiranë). Varianti fillestar i fjalorëve, është testuar te nxënësit dhe mësuesit e tyre në këto shkolla”, vijon Rrokaj.

Fjalori i ilustruar përmban 6500 fjalë, 13000 kuptime, 18000 fjali ilustruese të përzgjedhura për klasat 1-5. Risi e këtij fjalori janë edhe 1600 ilustrime me foto dhe vizatime origjinale me ngjyra.

“Në përgjithësi, figurat me ngjyra përshkruajnë kuptimet konkrete të fjalëve dhe e bëjnë fjalorin shumë tërheqës për syrin e përdoruesit”, thonë autorët.

Fjalori i gjuhës shqipe për moshat 12+ përmban në tërësinë e tij mbi 10000 fjalë, 25000 kuptime dhe 24000 fjali ilustruese të përzgjedhura.

Sipas Rrokaj, e veçanta e fjalorëve është që shpjegimet bëhen me perifrazime të thjeshta e sinonime në përshtatje me zhvillimin gjuhësor e psikik të secilës grupmoshë.

Gjithashtu, fjalorët kanë edhe një numër fjalësh dhe kuptimesh që nuk gjenden në fjalorët shpjegues të shqipes, si: tablet, aplikacion, arush, arrë kokosi, bio, bijëz, diasporë, duhet, kek, klas, masazhoj, mendjehapur, meny, mirutakofshim, monitor, i paajrosur, prezantoj, prezantim, viskoz etj.

“Në përputhje me synimet e këtyre veprave, njohuritë leksikore, kuptimore dhe gramatikore janë përshtatur për nevojat dhe aftësitë e nxënësve të moshave shkollore përkatëse. Fjalitë që ilustrojnë përdorimin e fjalëve sipas kuptimeve të tyre janë pedagogjike dhe në të njëjtën kohë japin njohuri të përgjithshme gjuhësore e kulturore, duke i bërë fjalorët të dobishëm për leximet shkollore ose jashtëshkollore”, përfundon Rrokaj.

 


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë