Sport

Dy fitore brenda natës, boksierët shqiptarë rrëzojnë në tapet serbët

Brenda një natë dy fitore në dy vende të ndryshme, por duke rrëzuar në tapet kundërshtarë serbë. Boksi shqiptar mbrëmjen e së shtunës ka përjetuar një nga momentet më të mira të tij, pas fitoreve të boksierëve, Ferit Keta dhe Florim Zeneli. Keta fitoi me K.O kundër rivalit të tij Slavojub Mitiç, ndërsa Zeneli mposhti me pikë Aleksandër Veliçkoviç.

Boksieri dibran, Ferit Keta i stërvitur nga trajneri i tij, Gjetan Keta u ngjit në ring kundër rivalit të tij Mitiç në Maltë. Ndeshja ishte vendosur të luhej në një vend asnjanës, edhe pse duhet thënë se shqiptarët në mbështetje të Ketës, edhe në këtë vend ishin të shumtë. Vetëm 3 raunde zgjati kjo përballje për boksierin shqiptar që me grushtet e tij të forta e rrëzoi përtokë kundërshtarin e tij, i cili nuk e kishte më të mundur që të ngrihej në këmbë dhe të vijonte dyluftimin. Kjo ishte fitorja e 10-të për Ketën, i cili deri më tani në boksin profesionist mbetet i pamposhtur, duke mos e njohur disfatën.

Ndërsa për boksierin tjetër premtues, Florim Zeneli, sfida me Veliçkoviç u zhvillua në Kërçovë në kuadër të eventit ndërkombëtar, Super Pro Fight Night – Uskana2”. Zeneli me më pak eksperiencë, por më shumë zell fitoi me pikë përballë serbit që në fillim shihej si favorit për të triumfuar në këtë duel. Me këtë fitore Florim Zeneli ka shprehur ambicien që shumë shpejt të kalojë në një tjetër sport akoma dhe më të vështirë, siç është MMA, ku sigurisht mund të ketë një karrierë më të ndritur.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë