Ne rrjet

Dy deputetët e Luginës: Do të mbrojmë të drejtat e shqiptarëve në parlamentin serb

Shqiptarët kanë për herë të parë në historinë e tyre të paktën dy deputetë në parlamentin serb. Edhe pse projeksionet tregonin se do të fitonin katër deputetë, por deri më tani, partitë e bashkuara shqiptare kanë siguruar për herë të parë në dy dekada dy karrige në kuvendin serb.

Shaip Kamberi nga radhët e Partisë për Veprim Demokratik dhe Argjend Bajrami nga Partia Alternativa për Ndryshim, nga Lugina e Preshevës do të jenë deputetët e rinj shqiptarë në Kuvendin e Serbisë.

Në një prononcim Kamberi tha se ende nuk është qartë se a do të arrihet që shqiptarët të kenë edhe një karrige të tretë, e cila, siç tha ai, mund të jetë për Partinë Demokratike nga Bujanoci. Kamberi, i cili është edhe kryetari i Komunës së Bujanocit e ka cilësuar pjesëmarrjen e shqiptarëve në zgjedhje si shumë të rëndësishme.

Shaip Kamberi

"Ky është një fuqizim i shqiptarëve në nivel qendror dhe besoj që përmes këtij fuqizimi të synojmë të realizojmë interesat tona dhe zgjidhjen e problemeve me të cilat ballafaqohemi", tha Kamberi. Ai shtoi se me fuqizimin e shqiptarëve, në parlamentin serb do të ngrihet zëri për shumë çështje problematike.

"Problemet në arsim e zhvillim ekonomik janë disa nga temat që ne i kemi adresuar me kohë dhe për të cilat autoritetet në Beograd janë vënë në dijeni. Interesi ynë është që të kemi një përfshirje sa më të madhe të shqiptarëve në institucionet e shtetit dhe jo të kemi ndonjë post ministror pa rëndësi apo sekretar shtetëror", tha Kamberi.

Kryetari i Këshillit Kombëtar Shqiptar në Luginën e Preshevës, Ragmi Mustafa, tha se është shumë e rëndësishme që faktori shqiptar të vazhdojë të jetë i bashkuar që të zgjidhen problemet e shqiptarëve të Luginës

Argjend Bajrami

"Ka nevojë edhe më tej të ketë angazhim për një qasje politike të përbashkët, në mbrojtje të interesave të shqiptarëve të Luginës së Preshevës", tha Mustafa.

Po kryetari i Komunës së Preshevës, Shqipërim Arifi, nga partia Alternativa për Ndryshim thotë se nuk mund të priten rezultate të shpejta në të mirë të shqiptarëve.

“Nuk mund të presim ndikim te jeta e shqiptarëve, po bashkimi i partive do të ketë një dimension me të gjerë dhe me të thellë dhe në afat me të gjatë ka ndikim pozitiv në jetën e shqiptarëve" tha ai.

Në fillim të këtij viti në Tiranë, partitë politike shqiptare, Partia për Veprim Demokratik, Alternativa për Ndryshime, Lëvizja për Progresin Demokratik, Lëvizja për Reforma e Partisë Demokratike Shqiptare dhe Partia Demokratike, kanë arritur marrëveshje për të marrë pjesë në një listë të përbashkët, me ndërmjetësimin e ministrit në detyrë për Europën dhe Punët e Jashtme të Shqipërisë, Gent Cakaj.

Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi ka thënë po ashtu se tani që shqiptarët e Luginës së Preshevës do të kenë më shumë deputetë, do të mund të mbrojnë të drejtat e tyre në Parlamentin e Serbisë.

 “Bashkërendimi i veprimeve politike jep gjithmonë rezultate dhe Alternativa Demokratike Shqiptare është shembull i mirë për t’u ndjekur nga bashkëkombësit tanë kudo që jetojnë”, ka thënë Thaçi, përmes një postimi në rrjetin social, Facebook.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë