Analize

Dy dekada pas luftës, Kosova bëhet me ushtri!

Mëngjesin së premtes, Kosova ndaloi së qeni vendi më i brishtë në Europë dhe ndërmori hapin historik për krijimin e ushtrisë së saj. Një dekadë pas pavarësisë, Parlamenti i Kosovës u shfaq më i bashkuar se kurrë për miratimin e tre projektligjeve mbi transformimin e Forcën e Sigurisë së Kosovës, e cila do të zgjerojë kompetencat e saj duke u kthyer në një ushtri të rregullt. "Prej këtij momenti, ne kemi krijuar zyrtarisht ushtrinë e Kosovës," tha kryetari i parlamentit, Kadri Veseli, pas votimit historik. Të vetmit që bojkotuan seancën ishin deputetët e Listës Srpska, të mbështetur nga Beogradi.

Gjatë seancës plenare ishin për herë të parë të pranishëm edhe Presidenti Hashim Thaçi dhe anëtarët e FSK-së. Kryeparlamentari Kadri Veseli e filloi seancën plenare me një minutë heshtje për të nderuar të gjitha gjeneratat e të burgosurve politikë, lëvizjet e studentëve, ish-pjesëtarët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, dhe në nder të të gjithë atyre që kishin kontribuar që Kosova të formonte më në fund ushtrinë e saj.

Këtë javë Kosova ka marrë 24 automjete të blinduara “Humvees” nga Shtetet e Bashkuara. Për një pjesë ato u konsideruan si dhuratë Krishtlindjeje për themelimin e ushtrisë.
Por për të tjerë, u konsideruan si shenja më të fundit se tensionet në Ballkan janë duke u rritur sërish.

Edhe pse përgjatë muajve të fundit ishit shfaqur të përçarë, formimi ushtrisë së Kosovës duket se ka qenë e vetmja gjë që ka arritur të bashkojë presidentin Hashim Thaçi dhe kryeministrin Ramush Haradinaj. Kryeministri ka bërë një postim emocional, duke deklaruar se kjo ishte një ditë e madhe për të dhe Kosovën.

Ai ka postuar një fotografi me të atin, i cili ndërroi jetë muaj më parë, duke i treguar se ushtria kishe kaluar miratimin e parlamentit.

“Plak, u ba Ushtria!” ka shkruar Haradinaj, i cili është parë mjaft i emocionuar edhe gjatë votimit në parlament.

As Thaçi nuk ka arritur t’i fshehë emocionet, duke shfaqur mjaft krenar, i veshur me uniformë ushtarake. Ai deklaroi se formimi i ushtrisë është meritë e gjithë Kosovës dhe se do të jetë një faktor stabilitetit për rajonin.

Kryeministri Haradinaj me te atin

"Ushtria jonë do të kontribuojë për paqen në botë- tha kreu i Kosovës- "Falenderoj të gjithë qytetarët për kontributin e dhënë për formimi e ushtrinë e Kosovës, falënderoj të gjithë ushtarët, oficerët për punën e bërë për krijimin e Ushtrisë", deklaroi ndër të tjera Thaci.

Votimi për formimin e ushtrisë së Kosovës vjen në fakt pas një sërë takimesh të nivelit të lartë mes Prishtinës dhe Uashingtonin, i cili po shfaqet tanimë si aleati më i madh i Kosovës në këtë nismë historike.

Thaçi është takuar dy herë brenda pak kohësh me presidentin amerikan Donald Trump dhe Sekretarin e Shtetit Mike Pompeo. Deklaratat e Ambasadorit të ri Amerikan në Kosovë konfirmuan se Thaçi ka marrë bekimin e Trump dhe të Administratës së tij për këtë hap të jashtëzakonshëm. Philipp Kosnett, ambasadori i SHBA në Prishtinë, deklaroi disa ditë më parë se Washingtoni mbështet plotësisht vendimin e Prishtinës për formimin e ushtrisë.


Presidenti Hashim Thaçi

"Tani, më shumë se kurrë, qeveria e Kosovës duhet të punojë me pakicat dhe të koordinohet ngushtë me aleatët dhe partnerët e NATO-s, pasi ajo fillon tranzicionin dhjetëvjeçar të forcave të saj të sigurisë. SHBA do të jenë me ju", ka shkruar ai në pas votimit në parlament.

Por ndryshe nga Uashingtoni, NATO dhe BE-ja duket se nuk janë aq optimistë. Aleanca ushtarake ka kundërshtuar formimin e ushtrisë së Kosovës duke thënë se ky nuk është momentin i duhur.

Në një konferencë të përbashkët me ministrin Ditmir Bushati, zëvëdëssekretarja e Përgjithshme e NATO-së deklaroi se formimi i ushtrisë mund të ndikonte në misionin dhe angazhimin e aleancës ushtarake në Kosovë.

Ndërkohë, vetë Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg, ka reaguar pas formimit të Ushtrisë së Kosovës, duke shprehur keqardhje që ky vendim u morr pavarësisht shqetësimeve të anëtarëve të aleancës.

Jens Stoltenberg

“Sot, institucionet në Kosovë kanë njoftuar miratimin e tre ligjeve që iniciojnë transformimin e Forcave të Sigurisë. Më vjen keq që ky vendim është marrë pavarësisht shqetësimeve të shprehura nga NATO. Edhe pse transformimi i Forcës së Sigurisë së Kosovës është në parim një çështje për të cilën duhet të vendosë Kosova, ne kemi bërë të qartë se ky veprim është i gabuar”, ka thënë Stoltenberg.

Ai ka shtuar se pas këtij vendimi NATO duhet ta rishqyrtojë mbështetjen për ushtrinë e Kosovës.

“NATO mbështet zhvillimin e Forcës së Sigurisë së Kosovës nën mandatin e saj aktual. Me ndryshimin e mandatit, Këshilli i Atlantikut të Veriut tani duhet të rishqyrtojë nivelin e angazhimit të NATO-s me Forcën e Sigurisë së Kosovës. NATO mbetet e angazhuar përmes KFOR-it për një mjedis të sigurt dhe të sigurt në Kosovë dhe për stabilitetin në Ballkanin më të gjerë Perëndimor”, ka thënë shefi i NATOS.

Ai po ashtu ka bërë thirrje për paqe mes Kosovës dhe Serbisë.

“Të gjitha palët duhet të sigurohet që vendimi i sotëm nuk do të rrisë më tej tensionet në rajon. Të gjithë aktorët politikë përgjegjës në rajon duhet të përqendrohen në përparimin e reformave dhe në dialog. E përsëris thirrjen time për Prishtinën dhe Beogradin që të qëndrojë të qeta dhe të përmbahen nga çdo deklaratë apo veprim që mund të çojë në përshkallëzimin e tensioneve . NATO vazhdon të mbështesë dialogun e sponsorizuar nga BE midis Beogradit dhe Prishtinës si zgjidhja e vetme politike e qëndrueshme për rajonin”, ka thënë Stoltenberg.

Duke marrë zemër nga kundërshtimi i NATO-s, Serbia e ka konsideruar këtë vendim si një shkelje të Kushtetutës nga ana e Kosovës.

Kryeministrja serbe Ana Brnabiç, ka paralajmëruar se krijimi i ushtrisë së Kosovës, paraqet kërcënimin më të madh ndaj paqes rajonale në Ballkan dhe ka shtuar se pas këtij hapi është vështirë të flitet për bisedime.

“Ky vendim na shqetëson jashtëzakonisht shumë. Jo vetëm që krijimi i ushtrisë së Kosovës do të binte në kundërshtim me marrëveshjet ndërkombëtare, por paraqet edhe shkeljen e Kushtetutës të cilën ata vetë e kanë përpiluar dhe miratuar. Në këtë mënyrë, ata po na tregojnë se janë të gatshëm të shkelin vetë Kushtetutën e tyre”, ka thënë Brnabiç në intervistën për gazetën italiane "La Republica".

Ajo ka përsëritur edhe njëherë se Serbia nuk do ta njohë kurrë pavarësinë e Kosovës dhe hedhur poshtë të gjitha planet për një kompromis mes dy palëve, i cili siç u përfol këtë verë, mund të përfshinte edhe ndryshimin e kufijve.

“Pranimi i pavarësisë së Kosovës, paraqet një ultimatum për Serbinë. Kjo nuk do të ndodh kurrë. Bisedimet për ndryshimin e kufijve, nuk do ta hapnin kutinë e Pandorës: këtë kuti tashmë e ka hapur Kosova para 10 viteve kur ka marrë vendimin e njëanshëm për shpalljen e pavarësisë dhe duke mos respektuar asnjë princip demokratik, siç është referendumi. Nuk duam kufij me vija etnike, pasi kompromisi duhet të jetë i bazuar në të drejtat e njeriut, mbrojtjen e pakicave dhe monumenteve të tyre”, ka deklaruar Brnabiç.

Duke miratuar ligjet për ndryshimin e kompetencave të FSK-së, parlamenti i Kosovës anashkaloi kështu edhe deputetët e Listës Srbska, të cilët kanë bllokuar të gjitha iniciativat e tilla në të kaluarën.

Përfaqësuesit e partisë kryesore serbe të Kosovës dhanë një konferencë për shtyp, duke paralajmëruar Prishtinën se ushtria nuk do të kishte mandat në Kosovën Veriore.

"Ata i dhanë një shkelm të madh paqes me anë të këtij vendim", u tha gazetarëve në Mitrovicën e Veriut kreu i Listës Srpska, Goran Rakic. Një sërë qytetarësh serbë në Mitrovicën e Veriut kanë hapur gropa duke varrosur Rezolutën 1244, pasi sipas tyre, Kosova ka shkelur të gjitha paktet e arritura me Serbinë dhe komunitetin ndërkombëtar.

Duke e konsideruar këtë vendim si një "provokim të vazhdueshëm", Beogradi zyrtar thotë se lëvizjet e Prishtinës do të rrezikojnë stabilitetin rajonal dhe se nuk mund t’i lënë zgjidhje tjetër, përveçse të ndërhyjë ushtarakisht në Kosovë për të mbrojtur serbët.

Sikur të mos mjaftonte kjo, mediat serbe kanë njoftuar të premte se presidenti Aleksandër Vuçiç pritët të zhvillojë një “vizitë të jashtëzakonshme”në kufi me Kosovën ku janë përqendruar tanimë forca të mëdha ushtarake e policore serbe. Ai do të shoqërohet nga ministri serb i Mbrojtjes, Aleksandar Vulin, dhe shefi i Shtabit të Përgjithshëm të kësaj ushtrie gjenerali Milan Mojsiloviç.

Formimi i ushtrisë së Kosovës, e cila do të ketë 5 mijë ushtarë aktivë dhe 3 mijë rezervistë, duket se alarmuar presidentin serb, i cili ka të ngjarë të shtojë tensionet në Veri të Kosovës me vizitën e tij në kufi.

"Sjellja e papërgjegjshme e Prishtinës mund të çojë në një katastrofë, sepse Serbia nuk mund të shikojë paqësisht shkatërrimin e popullit serb," tha Vuçiç në përgjigje të këtij vendimi historik.

Por në Kosovë askush nuk do t’ia dijë. Shqiptarët kanë dalë në rrugë duke kënduar këngë patriotike. Krijimi i ushtrisë është një çlirim dhe një gëzim i përshkueshëm për të gjithë.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë