Futboll

Dy anët e kundërta të futbollit në Manchester

Premier League edhe në këto dy javë të para të këtij sezoni të ri ka vërtetuar se është kampionati më i fortë në botë. Në këto dy javë të para kemi parë spektakël dhe ndeshje të bukura, por edhe surpriza të shumta.

Një nga veçoritë që ka tërhequr më shumë vëmendjen këto dy javë ka qenë edhe forma e kundërt e dy skuadrave të Manchester-it. United dhe City kanë konfirmuar pritshmëritë që ishin krijuar në fakt. Nëse për “qytetarët” pritej një kampionat në nivele të larta, për shkak të stofit të kampionit, por edhe situatës që është shumë e qetë, nuk mund të thuhej e njëjta gjë për anën tjetër të qytetit. “Djajtë” pas dështimit në sezonin e shkuar, kanë pasur një verë shumë të trazuar me përplasje të shumta të teknikut Mourinho dhe drejtuesve, por edhe më shumë lojtarë të rëndësishëm që kanë shprehur dëshirën për t’u larguar.

City vijon suksesin me Guardiolën në krye

Manchester City është ndoshta në momentin më të mirë të të gjithë historisë së tij. Është kampioni në fuqi i Premier League, ka në stol një nga trajnerët më të mirë në botë dhe skuadra e “qytetarëve” tremb këdo që i del përpara. Në këto dy javë të para skuadra e Guardiolës ka konfirmuar veten, se është skuadra që mbetet për t’u mundur edhe këtë sezon. Merkato ishte e qetë në pjesën blu të Manchester-it, ndryshe nga çka ndodhur në vitet e fundit, ku gjithmonë ka pasur blerje të bujshme. Kjo atmosferë e qetë është reflektuar edhe në rezultate, ku në javën e parë City mposhti 2-0 Arsenal, ndërsa të dielën mundi thellë në shtëpi 6-1 Hudersfield. Me këtë formë që kanë treguar deri më tani, “qytetarët” zor se do të kenë rival në këtë kampionat edhe pse sezoni është i gjatë dhe në vijim të tij nuk mund të përjashtohen surprizat.

United dhe epoka e errët Mourinho

Kur u largua legjendari Sir Alex Ferguson thanë se Manchester United nuk do të ishte më i njëjti. Dhe në fakt mund të thuhet se deri më tani kanë pasur të drejtë, pasi ky Manchester United ka shumë pak nga ajo skuadër që ishim mësuar të shikonim kur në bankinë ishte Sir Alex. Problematiku Mourinho ia ka dalë që të shkaktojë zhurmë edhe në një klub si United, ku qetësia dhe pjekuria kanë qenë nga karakteristikat më themelore. Tekniku portugez i ardhur me bujë tek “djajtë e kuq” nuk ka arritur dot të përmbushë pritshmëritë dhe tashmë është në një nga momentet më të këqija të karrierës së tij. Në dy javët e parë United, ka një fitore dhe një humbje. Pas atij triumfi me shumë vuajtje përballë Leicester, skuadra e Mourinho është ndalur në transfertën e Brighton, duke u mposhtur 3-2. Por kjo formë në këto javë të para te Manchester United nuk kishte se si të ndodhte ndryshe, pas asaj që ngjau në verë. Nuk pati afrime të bujshme dhe lojtarë që mund të bënin diferencën, por gjithashtu edhe disa nga më të mirët, ku veçohet Pogba, dëshiroi largimin nga “Old Traford”. Te Manchester United balancat janë thyer dhe çdo gjë po reflektohet në fushën e lojës. Janë  të shumtë ata tifozë dhe analist që zgjidhjen e kësaj situate e shikojnë në largimin e teknikut portugez. Shumë është përfolur për një kalim të Zizu Zidane në Angli, por për të folur konkretisht për një gjë të tillë është ende shumë herët.

Nëse për vite me radhë tifozët e Manchesetr City ishin të detyruar të duronin dominimin e komshinjve “të kuq”, tashmë ka ardhur koha e revanshit. Ndërsa për tifozët e United edhe këtë sezon mesa duket do të vijojë epoka e errët dhe vajtimi për largimin e legjendarit Ferguson. Ata tashmë mbetet vetëm të shpresojnë në ringritjen e klubit në nivelet e lavdishme ku ishte para disa vitesh.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë