Njerez

Durrsakët me çanta në duar: A jetohet më këtu?!

Vullneti ecën mes rrënojave të banesës për të cilën ai punoi gjithë jetën. Poshtë pallatit kanë vendosur një shirit, banorët si ai pritën prej ditësh që t’ua vlerësonin shtëpinë nëse është apo jo e banueshme.

Bashkë me ditët qe kaluan Vullneti mendon se nuk ka marrë një përgjigjje bindëse, që t’i japë kurajo që të vazhdojë përpara, ndaj ai po shkul nga rrënojat orenditë. Për të ikur përgjithmonë nga apartamenti ku jetonte bashkë me fëmijët.

"Nuk kam besim. Nuk mund të jetoj më këtu". Vullnetit ja ka strehuar të afërmit një familje kosovare. E quan mrekulli se si shpëtuan nga tërmeti. Por, sipas tij "pjesa më e rrezikshme vazhdon tashmë". Burri, i cili ka një vit qe e ka blerë shtëpinë dhe ku hodhi çdo kursim, tanimë duhet ta nisë nga zero sërish. Miqtë po e ndihmojnë që të shkulë krevate e dollapë e pasqyra, të cilat do zhvendosen gjetkë.

"Kam folur me të njohurit. Do t’i magazinoj të gjitha, por nuk është ky problemi. Problemi është ..vijnë shohin dhe s’na bindin dot që a jetohet më në këto rrënoja. A është e rrezikshme?" tregon për gazetën “Si” banori i Durrësit.

Si Vullneti, qytetarë të tjerë, ndonëse nuk u ka thënë askush që pallati do të shembet dhe është i pajetueshëm, po boshatisin banesat. Nuk duan më të jetojnë aty.

Lumturia zhvendosi biznesin nga pallati 12 katësh në lagjen numër 12. Çanta, këpucë, rafte të hedhura përtokë po sistemohen në objektin ngjitur.

"Është e trishtueshme të shohesh jetën e hedhur poshtë. Shtëpinë në degën ushtarake e kemi të shkatërruar, por edhe biznesi do të falimentojë", tregon për gazetën gruaja me prejardhje nga fshati Manzë, e me banim në Durrës.

Për Lumturinë lumturia më e madhe është që pas tërmetit shpëtuan gjallë. "Por si do të ja bëjmë? Si vazhdohet përpara? Aty ku kisha dyqanin e hoqëm pasi erdhën e vendosën shiritë, por nuk na thanë asgjë se çfarë ndodh", pyet ajo.

Pak metra më tej mes shiritëve disa qytetarë kanë ngritur qepenët dhe po shesin, rroba, ushqime të tjerë . "Jeta vazhdon. Nuk e kam të lehtë, por ç’të bëj?! Është çmenduri të rrish në shtëpi gjithë frikë", thotë Meleqja.

Edhe Albana mori ç’mundi nga pallati 12-katësh. Realisht askush nuk ka thënë që godina do të shembet, e megjithatë banorët e këtij pallati dhe jo vetëm kanë filluar dhe po heqin gjithçka. Në Durrës një pjesë e qytetarëve që u janë krisur muret, jetojnë me çanta në krahë.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë