Njerez

Pritja për strehë në një natë të ftohtë dhjetori

Jashtë bën ftohtë, një i ftohtë dhjetori që sapo ka mbërritur. Nata ka rënë dhe para Bashkisë së Durrësit sheshi është boshatisur pasi duhet lënë i lirë për automjetet e zyrtarëve që zbresin prej tyre e ngjiten turravrap në katin e fundit të ndërtesës.

Aty shtabi përpunon të dhënat dhe herë pas here ato lexohen para kamerave live nga zëvendësministrja. Në katin e parë, grumbujt e njerëzve që janë të pastrehë ngjeshen më pranë sporteleve. Asnjëri prej tyre nuk e duron dot më rënien e temperaturave, por më tepër qëndrojnë aty në pritje për t’u transportuar drejt një hoteli, me mjete që bashkia i ka vendosur në dispozicion.

75-vjecari Kadri Tarelli, publicist, ka mbështetur shpinën mbi listat shumë emërore të familjarëve që duhet të strehohen diku.

"Pas tërmetit u strehova shtatë dite e shtatë netë në qytetin e Lushnjes. Nuk mund të vazhdoj më, pavarësisht bujarisë dhe dyert e hapura të miqve. U ktheva në Durrës dhe po pres t’më lexojnë emrin, mua dhe bashkëshortes. T’na thonë ku do të strehohemi", thotë ai për gazetën “Si”.

A ka shpresë se brenda këtij viti do të kthehet në banesën e tij dhe se do t’i kthehet rutinës?

Kadri Tarelli

“Nuk kam asnjë shpresë. U ktheva edhe sepse veç strehimit, të qëndroj e të jem në dijeni me çdo veprim, të shoh nga afër çdo të ndodhë me banesën time”, shton i moshuari.

Altini, me fëmijë të vogël ka mbërritur prej orësh nga Vlora. Tregon vërtetimin e vulosur ku ilustrohet shkatërrimi i shtëpisë dhe banesës. Strehimi dhe dimri përpara po e tremb. Altini pëshpërit "kam hallin e fëmijës. Si do na vejë halli?"

Si ky i ri , edhe të tjerët herë me zë të lartë e herë të dëshpëruar kërkojnë në sportele përgjigjje "Kur do të vijnë furgonët? Kur do të na marrin? Kur do të na strehojnë?"

Por, Luljeta Kopliku dhe çifti Banushi nuk kërkojnë strehë. Nisur nga shembja e pallatit në lagjen numër gjashtë (zona dy gjelat) ky vdiqën dy gra banorët kërkojnë ndërhyrjen e autoriteteve.

Luljeta thotë për gazetën “Si” se në pallatin ku ata jetojnë është ndërhyrë në katin e parë. "Një javë pas tërmetit shkatërrimtar, ne kemi frikë. Na ruajti Zoti. Në pallatin tonë kanë prerë kollonat në katin e parë. Ne mund të ishim, apo do të jemi si pallati tek “Dy gjelat”. Kemi dosjen, jemi ankuar shpesh. Nuk kërkojmë strehë, të vijnë të vënë kollonat", thotë për gazetën Si gruaja, e cila e shpreh frikën mes lotëve. Por punonjësit e ndërpresin. "Kthehu një ditë tjetër. Nuk është momenti sot", i thonë.

Në Durrës, në lokale njerëzit më së shumti qëndrojnë nga frika e tërmeteve. Në rrugë brenda makinave të parkuara ka batanije dhe ushqime. Herë pas here makinat me sirena prishin qetesinë e natës, por jo gjumin e durrsakëve. Gjumi i tyre u prish më 26 nëntor nga dridhjet e tokës që prishën dhjetra objekte.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë