Ngjarje

BE mezi pret faturën e dëmeve të tërmetit. Rama: Do të ndërtojmë vetë

Bashkimi Europian është në mezipritje të vlerësimit të dëmeve të shkaktuara nga tërmeti i 26 nëntorit të kaluar.

Kryeministri Edi Rama & Eurokomisioneri Janez Lenarcic

Kjo ishte kryefjala e eurokomisionerit të emergjencave Janez Lenarcic, gjatë takimit me kryeministrin Edi Rama. Ai ka mbërritur në Shqipëri për të parë situatën nga afër dhe siç u shpreh vetë “për tu solidarizuar me shqiptarët që të kuptojnë se nuk janë vetëm”.
Kryeministri Rama pasi bërë një tablo të situatës post tërmet dhe tregoi masat e marra nga qeveria për të strehuar njerëzit e prekur, deklaroi se do të gjej një mekanziëm që Shqipëria të rindërtohet vetë.

“Fondi i integruar është i rëndësishëm. Këto ditë kam lexuar për situata të ngjashme në vende të tjera dhe si kanë vepruar. Ka disa organizata që thonë se do të vijmë të ndërtojmë kaq e aq apartamente. Por nuk duhet të jetë kështu. Duhet të ketë standarde. Ne kemi përgjegjësi për të ardhmen. Larg qoftë në një tjetër përballje me një situatë të ngjashme nuk mund ti themi njerëzve që nuk ndërtuam ne. Duam të ndërtojmë me standarde të larta, të qarta, të përbashkëta.”- u shpreh kreu i qeverisë.

Ai bëri me dije se në buxhetin e 2020 janë shkurtuar shpenzimet për të rialokuar fondet kah rindërtimi.

E kemi menduar, tha Rama, sikur të mos kishim asnjë ndihmë nga vendet e tjera.
“Nuk duam që treguesit e buxhetit të jenë jashtë kontrollit. Duam të ruajmë gjërat bazike për njerëzit. Na duhet të shkojmë edhe në tregjet për eurobondin. Tregjet nuk kanë dhembsuri. Ata nuk e marrin parasysh se ne vijmë nga një fatkeqësi natyrore”- u shpreh kryeministri Rama.

Eurokomisioneri Janez Lenarcic u interesua për pjesën e institucioneve publike, kryesisht për shkollat nëse ato janë pjesë e dëmeve të shkaktuara nga tërmeti.

“Shyqyr që nuk kemi dëme në ura. Nuk ka infrastrukturë rrugore të dëmtuar, të energjisë elektrike, apo të furnizimit me ujë, dhe institucione publike të dëmtuara. Janë disa shkolla që duhen shembur e të tjera që duhen rregulluar. 21 institucione shëndetësore të dëmtuara, por jo nga aspekti strukturor. Disa zyra të drejtorive rajonale të tatimeve të dëmtuara. Por për momentin jemi të fokusura tek banesat dhe shkollat. Për fëmijët e shkollave të dëmtuara në strukturë, do tu paguajme fëmijëve transportin duke i transferuar në shkolla të tjera”- u përgjigj Rama.

BE e kupton sa nevojë keni, tha eurokomisioneri dhe ne jemi pranë jush.

Kryeministri Rama pasi u shpreh për ndihmat e vendeve të BE-së, kërkoi ndihmë për menaxhimin e krizës dhe koordinim të ndihmave të Bashkimit Europian.

Rama bëri me dije se të strehuarit në hotele do të qëndrojnë edhe për festat e fundvitit e më pas do të transferohen në apartamente që qeveria do të marrë me qira derisa të ndërtohen apartamentet. Për zonat rurale, do të vendosen çadra pranë shtëpive të dëmtuara me të gjithë infrastrukturën e mundshme për të përballuar dimrin.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë