Art dhe Kulture

“Duke edukuar Ritën”, një shpërfaqje e skutave të errëta të njeriut dhe kuptimit të jetës

- Profesor Frenku po sistemon bibliotekën në studion e tij dhe po pi me qetësi një gotë uiski.

Dera do të trokasë dhe do të hyjë studentja e tij e re që bie në sy për sjelljen e çlirët dhe spontane.

Kështu nis komedia erotike “Duke edukuar Ritën”, nën regjinë e Kiço Londos, dhe nën intepretimin e aktorëve Mehmet Xhelili dhe Laura Nezha në Teatrin Veror të Akademisë së Arteve.

Profesori, një burrë në moshë, i degraduar nga pija dhe boshi, do të përballet me studenten magjepsëse nga bukuria dhe e etur për dije. Kjo studente do ta fusë profesorin në një udhë që s’ka për të qenë e lehtë.

Rita që vjen nën interpretimin e aktores Laura Nezha është një e re me profesion parukiere nga shtresat popullore dhe ëndërron të ketë një jetë më intelektuale. Ajo u regjistrua në një Universitet të Hapur për të studiuar letërsi dhe është caktuar pikërisht nën kujdesin e profesorit Frenk. 

Ai vjen i zgjuar, i rrjedhshëm, që e mban veten me të madhe e që të “mbyt” me fjalë, por që gjendet në zbraztësinë e shpëlarë me të cilën shfaqet në fillim e që më pas bie në dashuri të thellë me studenten e tij.

-Ah Rita, Rita përse nuk hyre në këtë dhomë 20 vjet më parë... thotë ai.

Në orët e mësimit me profesorin që do të vijojnë javë pas jave, Rita është sa e ngrohtë aq edhe me gjuhën “brisk”, duke i përçuar publikut fraza shumë zbavitëse.

Përpos humorit, në këtë komedi vihen re edhe nuanca psikologjike, pasi duke zbërthyer dy personazhet shpërfaq skutat më të errëta të njeriut dhe kuptimin e jetës. 

“U munduam të ndërtonim një shfaqje me një pedagog ‘të suksesshëm’, por të palumtur i cili do që ‘studentja’ e tij të disiplinojë mendjen. Ironia qëndron në faktin që kjo e bën Ritën të zbehtë në pasionin e saj të dukshëm për të vërtetën dhe jetën. Është një shfaqje për kuptimin e jetës, për idenë e vlerave dhe shkollimin”, thotë regjisori Kiço Londo për Gazetasi.al.   

Në skenë gjatë gjithë kohës janë profesori dhe Rita.

Profesori me finesë përmes dialogut me shumë humor së bashku me studenten do të ndërtojnë një debat rreth temave me peshë si vlera e artit dhe çfarë është në të vërtet kultura. Por shfaqja e shisheve të uiskit pas librave, japin një kontrast të fortë, duke e bërë profesorin të duket gjithnjë e më i çrregullt. 

Në një ndërveprim të gjatë me njëri-tjetrin, është i pashmangshëm ndikimi i dyanshëm dhe procesi i ndryshimit. Pedagogu, i cili nuk ishte entuziast për edukimin e Ritës, kuptoi se sa shumë mësoi nga ajo, dhe Rita pas leksioneve me të ka një vlerësim të ri për jetën dhe bëhet më shumë rrezatuese në fund të shfaqjes.

Shfaqja do të jetë përsëri për publikun në fillim të muajit shtator.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë