Drejtësia

‘Duhet të shtojmë numrin e hetuesve të BKH’. Dumani në Kuvend: Na duhen këshilltarë ligjorë për prokurorët (Foto)

Drejtuesi i Prokurorisë së Posaçme, Altin Dumani raportoi paraditen e së premtes në Këshilli Kombëtar për Integrimin Europian rreth ecurisë së Strukturës së Posaçme gjatë vitit 2023.

Gjatë fjalës së tij, Dumani radhiti disa arritje të institucionit që ai drejton, por edhe problematikat me të cilat SPAK po haset aktualisht. Në fokus të Prokurorisë së Posaçme, siç u shpreh Dumani, mbetet ulja e çështjeve të mbetura.

“SPAK do të përgatisë një strategji të veçantë për këtë aspekt. Një rekomandim tjetër ishte përgatitja e një strategjie komunikimi me publikun për të cilën po punohet edhe falë ndihmës nga ekspertët ndërkombëtar...”

Dumani pret nga Kuvendi që t’i japë zgjidhje mungesës së përcaktimit të statusit ligjor për prokurorët e posaçëm pasi këtyre të fundit iu përfundon mandati i prokurorit.

“Po ashtu edhe mungesa e këshilltarëve ligjorë. SPAK përfaqëson çështje në tre shkallë të gjykimit, e herë pas herë dhe në Kushtetuese. Pasja e këshilltarëve ligjor do të ndihmonte shumë edhe në përgatitjen e tyre.”

Një tjetër problematikë e listuar ishte edhe rënia e referimeve nga institucionet publike. Më konkretisht, referimet dhe kallëzimet kanë rënë me 40%, me përjashtim të Policisë së Shtetit. Ndërkohë, po shihet po ashtu mundësia e shtimit të anëtarëve të BKH-së.

'Kemi proceduar gjyqtarë dhe prokurorë të shkarkuar nga Vettingu', Dumani: Ka raste të konfiskimit të pasurive të tyre

Gjatë fjalës së tij në Këshillin Kombëtar për Integrimin në BE, kreu i SPAK, Altin Dumani deklaroi se Prokuroria e Posaçme ka disa raste kur ka vënë nën hetim gjyqtarë apo prokurorë të cilët janë shkarkuar nga Vettingu.

Ai theksoi ndër të tjera se institucionet e vettingut të gjyqtarëve dhe prokurorëve, KPK dhe KPA duhet të referojnë raste konkrete në mënyrë që SPAK, t’i ketë në vëmendje.

“Kemi patur raste kur me iniciativën tonë por eduke u nisur nga vendimmarrja e KPK, ne kemi regjistruar procedim penal për prokurorë dhe gjyqtarë, ku nga vendimi i thjeshtë për ta, përfitojmë indicie se ka vend për të filluar procedim penal. Institucionet e tjera, KPA dhe KPA duhet të na referojnë raste që ne t’i kemi në vëmendje.

Sa i takon subjekteve që janë në kompetencën tonë, ne kemi disa gjyqtarë të Gjykatës së Lartë dhe Kushtetuese që u kemi ushtruar ndjekje penale. Madje e thashë për herë të parë edhe konfiskimin. Jo vetëm ndjekje penale por edhe konfiskim të pasurive të këtyre subjekteve”- tha Dumani.

Korrupsioni dhe pastrimi i parave / Prokurori i Përgjithshëm: Janë sekuestruar 7.1 mln euro, 123 persona u dërguan në gjyq

Në Këshillin Kombëtar të Integrimit ka raportuar edhe prokurori i Përgjithshëm Olsian Çela, që ka bërë dhe një bilanc të punës së institucionit që ai drejton.

Në fjalën e tij, Çela ka dhënë edhe shifra sa i përket korrupsionit dhe pastrimit të parave. Çela deklaroi se gjatë vitit 2023 janë regjistruar 170 procedime me 123 të pandehur për çështje të korrupsionit. Ndërkaq, ai tha se janë dërguar për gjykim 140 procedime me 151 të pandehur.

Sa i përket pastrimit të parave, Çela deklaroi se në dy raste janë sekuestruar llogaritë bankare të 15 shoqërive me një vlerë prej 5.8 milionë euro, ndërsa në një çështje u sekuestruan 1.3 milionë euro.

"Do të fokusohesha tek çështjet e korrupsionit, pavarësisht se lidhet me SPAK, kjo përben një pjesë të rëndësishme të punës sa i takon prokurorive të juridiksionit të përgjithshme.

Gjatë vitit 2023 rezultojnë se janë 32 çështje, të cilat janë dërguar SPAK nga Prokuroritë e juridiksionit të përgjithshëm. Në 6 raste rezultatet vijnë nga zbatimi i medotave speciale të hetimit.

Edhe vetë prokuroritë e juridiksionit të përgjakshëm kanë të dhëna premtuese. Gjatë 2023 janë regjistruar 170 procedime me 123 të pandehur për çështje të korrupsionit. Ndërkohë janë dërguar për gjykim 140 procedime me 151 të pandehur.

Vihet re një trend pozitiv ku një pjesë e çështjeve janë nisur nga prokurorët. Janë 18 çështje të tilla.

Një aspekt tjetër ka qenë ai që lidhet me pastrimin e produkteve të veprës penale. Sot mund të themi se është bërë një progres i madh.

Në 2023 janë regjistruar 156 procedime të reja përsa si përket pastrimi të parave, ndërkohë 16 persona janë dërguar për gjykim dhe 22 janë dënuar për pastrim parash.

Një fokus i është dhënë edhe hetimit financiar që shkon krahas hetimit të veprave të ndryshme penale. Më lejoni tju jap dy raste për  të treguar cilësinë. Në një rast kemi sekuestrimin e llogarive bankare të 15 shoqërive në një vlerë 5.8 milionë euro ndërkohë në një cështje të dytë janë sekuestruar 1.3 milionë eurove", tha Çela.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë