Financa Personale

Duhen edhe pensione të detyrueshme private

Sabina Veizaj - Sot një punëtor shqiptar nuk kontribuon as për një pension të plotë të një të moshuari. Raporti është 1 me 0.8. Plakja e popullsisë dhe emigracioni do ta përkeqësonin raportin duke “frymëzuar” krijimin e një bombe financiare, e cila prej kohësh ka nisur të zmadhohet.
Sipas një projeksioni të Kombeve të Bashkuara, Shqipëria po plaket me ritme shumë të shpejta. Dhe parashikimet e këtij organizmi tregojnë që grupmosha 65 vjeç e lart do të rritet me gati 20 % deri në 2050-n, kurse grupmosha 0-19 vjeç do të ulet me më shumë se 10%.
Dhe për shkak të këtij parashikimi, fundi dihet: varfëria do të rritet dhe qeveritë në trysninë e nevojave për të rritur shërbimet dhe investimet nga njëra anë dhe detyrimi për të paguar për pensionistët, do të duhet të rëndojnë me taksa edhe më shumë ata që sot punojnë ose një borxh publik që kurrë nuk mund të ulet. Por përpara këtij skenari ekspertët mendojnë sa ka një zgjidhje duke reformuar skemën e pensioneve. Ministria e Financave thotë se e njeh situatën dhe ka vendosur të bëjë disa ndryshime në ligjin për pensionet vullnetare, të cilat janë dërguar tashmë për konsultim publik.
Në një bisedë me Gazetën “Si”, Naim Hasa, Kryetar i Shoqatës së Siguruesve të Jetës, Pensioneve e Fondeve të Investimit, thotë se është bërë një përpjekje për të nxitur më tej pensionet vullnetare private, por është e pamjaftueshme të mbushet gropa që shkakton në vazhdimësi skema aktuale e pensioneve, pasi i ka shfrytëzuar të gjitha undësitë.
Për Hasën jo vetëm që ka ardhur koha, por me zhvillimet ekonomike e demografike, është domosdoshmëri urgjente detyrimi me ligj për pensionet private.
Sipas tij, pensionet private të cilat janë të detyruara me ligj në gjithë botën e madje edhe në rajon, për 30-40 vite do ta shkarkojnë barrën e kontributeve shtetërore nga buxheti dhe do të krijojnë një standard të lartë për shoqërinë dhe pensionet e pleqërisë në veçanti.

Naim Hasa, kryetar i Shoqatës së Siguruesve të Jetës, Pensioneve e Fondeve të Investimit

Do doja të dija këndvështrimin tuaj për projektligjin e Ministrisë së Financave në lidhje me pensionet vullnetare. Cila është risia në këtë projektligj në lidhje me këto pensione?
“Është i pranuar fakti që skemat e pensioneve vullnetare private sigurojnë mbrojtje për qëndrueshmërinë e nivelit ekonomik të shtetasve. Këto skema synojnë si parandalimin e varfërisë në pleqëri ashtu edhe rënien e menjëhershme të të ardhurave dhe konsumit kur njerëzit kalojnë nga punësimi në pension.
Në kushtet e këtij zhvillimi, stimujt financiarë janë të domosdoshme për të promovuar, inkurajuar dhe për të rritur pjesëmarrjen dhe kontributet në fondet private të pensioneve vullnetare, duke bërë që kontributet vullnetare të trajtohen në një formë të ndryshme tatimore preferenciale.
Mendoj që projektligji zgjidh mirë mostaksimin e kontributeve si të individëve punëmarrës, ashtu dhe të punëdhënësve deri në një nivel të pranueshëm për kohën. Por një problem që minimizon këtë efekt është taksimi i përfitimeve që rrjedhin nga këto kontribute.
Sipas praktikave botërore, parimi i përgjithshëm është se përfitimet nga pensionet nuk tatohen. Mbi këtë filozofi botërore është ndërtuar dhe sistemi i pensioneve edhe në Shqipëri që pas vitit 1993. Në këtë kontekst, meqenëse ky sistem do jetë ai që do mbajë peshën kryesore të sistemit të përgjithshëm të pensioneve në të ardhmen, ndjehet e nevojshme që ky parim bazë të zërë më shumë vend edhe në pensionet private”.
A e reformon ky ligj skemën e pensioneve?
“Sigurisht, ky projektligj bën disa përmirësime të skemës së pensioneve vullnetare, për ta bërë këtë skemë më të pranueshme për kohën, por një zgjidhje e qëndrueshme dhe një reformë afatgjatë është vendosja e sistemit të detyrueshëm privat të pensioneve, si pjesë përbërëse e sistemit të përgjithshëm të pensioneve, ashtu siç e kanë të gjithë vendet, madje edhe ato për rreth nesh si , Kroacia, Bullgaria, Maqedonia, Kosova etj.
Duke vendosur një sistem pensionesh me dy komponent të rëndësishëm, një sistem publik bazë të konsoliduar dhe një sistem privat të zhvilluar, krijohen premisa, jo vetëm për përmirësimin gradual të situatës financiare të sistemit të përgjithshëm të pensioneve, por ndihmohet edhe ekonomia e vendit duke mobilizuar kursimet e popullatës nëpërmjet kontributeve në investime në ekonominë e tyre.
Do shërbejë për zhvillimin e tregut përveç të pensioneve private dhe më gjerë tregut të kapitaleve dhe, rrjedhimisht do të lehtësojë skemën publike e cila kryesisht(45%) financohet nga buxheti i shtetit dhe atë që gjithmonë e më shumë si rrjedhojë e proceseve demografike lënë skemat shoqërore shtetërore të kompesohet me skemat private vetekapitalizuese, duke siguruar një mbulim me të ardhura më të larta dhe qendrueshme për individët pjesëmarrës, duke përmirësuar në zhvillimin ekonomik dhe social të kësaj shtrese të shoqërisë.
Po kështu, zhvillimi i këtij tregu do të ndihmonte ekonominë e vendit duke mobilizuar paratë e lira të popullatës nëpërmjet investimeve të tyre në instrumente financiar afatgjatë 5-10 vjeçare (Obligacione Shtetërore).
Sistemet private të pensioneve sot i japin zgjidhje mjaft problemeve që dikton koha:
së pari, zgjidhin kontradiktën e brezave, duke e bërë brezin e ri më të interesuar pë tu siguruar
Së dyti, zgjidhin problemet e shtrembërimit të tregut të punës, mjaft shqetësuese për ekonomitë në zhvillim, si në rastin e evazionit të zi ashtu edhe të atij gri, mbasi lidhet shumë mirë masa e kontributit me atë të përfitimit.
Së treti, ofrojnë përfitime në kushte më të favorshme moshe, vjetërsie në punë e masë pensioni. Si dhe janë të trashëgueshme e kanë një transparencë të sistemit fiskal mjaft favorizues”.
Kuvendi e ka ngarkuar AMF në rezolutën e këtij institucioni që të bëjë një analizë mbi vendosjen e sistemit të detyrueshëm privat të pensioneve. Si funksionon kjo kolonë?
“Sot problemet e pensioneve dhe sidomos deficitet financiare të skemave shtetërore, janë një shqetësim i dukshëm në të gjithë vendet e botës, kjo ndër të tjera edhe si rrjedhojë e ritmeve me të cilat rritet popullsia e tretë;
Një nga sistemet që po instalohet dhe zhvillohet sot me sukses në Europë e më gjerë, është vendosja e sistemit të Alternuar të Pensioneve të lartë.
Ky sistem, presupozon një ndarje të kontributit në dy pjesë, kontribut shoqëror për skemën shtetërore PAYG dhe kontribut individual për skemën private. Pra nëse sot sigurimet shoqërore paguhen nga punëmarrësi në masën 23% me shtimin e kolonës së pensioneve private të detyrueshme, kjo masë do të ndahet në 19% kontribute në shtet dhe 4% në privat. Në asnjë rast nuk do të ketë barrë shtesë për kontribuesin. Ndërsa skema vullnetare lihet e lirë, kush dëshiron më shumë, bëhet pjesëmarrës në këto skema. Këtë model krahas të gjithë vendeve të zhvilluara si Gjermania, Franca, Italia etj, e gjejmë edhe në Poloni, Hungari, Kroaci, Bullgari, Estoni, Rumani, Çeki, Sllovaki,etj, madje edhe në Kosovë e Maqedoni, etj, p.sh. kontributi për pension në Maqedoni është 18.% e pagës, nga të cilët 13% derdhet në Fondin e Sigurimeve Shoqërore për skemën shtetërore (kolona e I) dhe 5 % derdhet në fondet e detyrueshme private (kolona e II), nga ku me plotësimin e moshës çdo njeri do marrë dy pensione, një shtetëror dhe një privat të formuar nga kontributet e derdhura dhe fitimi nga investimi i tyre”.
Sa efekt ka kjo?
“Së pari, në Shqipëri afro 75-80% e GDP vijnë nga sektori privat, prandaj s’ka asnjë arsye të mos vlerësohet edhe në këtë fushë.
Së dyti, Shqipëria është një vend Europian dhe përafrimi i legjislacionit edhe në fushën e sigurimeve shoqërore është kusht për tu anëtarësuar në këtë familje.
Së treti, këto skema, për vetë konfigurimin e tyre ndihmojnë më mirë ekonominë e vendit duke mobilizuar parat e lira të popullatës nëpërmjet investimeve të tyre në instrumenta financiarë afatgjatë 5-10 vjeçare (Obligacione Shtetërore).
Jam i bindur se zhvillimi i tregut te pensioneve private do i jap një impuls mjaft pozitiv edhe aktorëve të tjerë që veprojnë në tregun financiar”.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë