Shpërthen çështja e trukimit të ndeshjeve të futbollit edhe në Belgjikë. Gjatë një hetimi të nisur nga Prokuroria prej kohësh për taksat e transferimit të lojtarëve, është zbuluar edhe trukimi i ndeshjeve gjatë përgjimit të telefonatave. Janë bërë tashmë një sërë arrestimesh të drejtuesve të klubeve kryesore në Jupiler League, kategoria më e lartë e futbollit në Belgjikë, por edhe dy arbitra. Mes klubeve të përfshirë në këtë skandal janë Genku, Anderlehti, Bryzhi dhe Standard i Liezhit. Dyshohet për një “calciopoli” (emërtimi i skandalit të bujshëm të trukimit të ndeshjeve në Itali vite më parë) edhe në futbollin belg. Gjykata po heton për trukim ndeshjes, riciklim parash dhe korrupsion.
Me kërkesë të Gjykatës janë bërë edhe 13 shoqërime personash në polici në vende të tjera, si në Francë, Luksemburg, Qipro, Mal të Zi, Serbi dhe Maqedoni. E ka bërë të ditur këtë lajm vetë Prokuroria Federale në Belgjikë. Prokuroria kishte më shumë se një vit që hetonte transfertat financiare të agjentëve të futbollistëve, por gjatë kësaj kohe janë ngritur edhe dyshimet për trukim të ndeshjeve të sezonit 2017-2018.
Ka bërë bujë arrestimi i një figure të njohura në vend, trajnerit kroat të Bryzhit, Ivan Leko, të cilin policia e ka marrë direkt nga shtëpia e tij. Konfirmohen kështu dyshimet e ngritura kohë më parë nga shtypi belg, që shkruante se do të kishte arrestime të drejtuesve të shumë skuadrave të Jupiler League. Presidenti i Bryzhit, për këtë ngjarje, ka thënë: “Nuk kemi asgjë për të fshehur, le të verifikohen kontratat dhe do të shihet qartë se gjithçka është në rregull”. Dy agjentët e njohur të lojtarëve, Dejan Veljkoviç dhe Mogi Bayat, të dy të arrestuar, janë në qendër të këtij operacioni të koduar “Duart e pastra”.
Ka reaguar menjëherë për këtë skandal edhe Federata Belge e Futbollit, duke e konsideruar një goditje të rëndë për imazhin e futbollit belg: “Është një çështje që e dëmton shuam imazhin e futbollit tonë. Jemi në pritje të rezultatit përfundimtar të hetimeve”, - ka thënë zëdhënësi i federatës, Pier Kornez. Duke iu referuar asaj që shkruan gazetari belg, Gert Gisen, klubet e përfshira në hetimet e këtij skandali janë Genk, Bryzh, Anderleht, Standard Liezh, Gent, Ostende, Kortrijk, Lokeren e Meshelen (i fundit në kategorinë e dytë).
Të përfshirë janë edhe klubet e dy futbollistëve shqiptarë, Anderlehti i Kristal Abazajt dhe Ostende i Sindrit Gurit, por bëhet fjalë për sezonin e kaluar, kur ata luanin ende në Shqipëri. Veçohet edhe fakti që mes të arrestuarve është edhe menaxheri i njohur Dejan Vlejkoviç, i cili më parë ka pasur në menaxhim edhe Besnik Hasin, të cilin e ka çuar tek Anderlehti. Kohët e fundit Veljkoviç ka bashkëpunuar edhe me Lacion e Igli Tares, duke mundësuar kalimin e disa futbollistëve nga Belgjika në Itali. Hetimet e mëtejshme do të hedhin dritë më shumë për këtë mega-skandal që ka përfshirë futbollin belg.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.