Art dhe Kulture

Dua Lipa në Tiranë, takon Veliajn dhe Ramën

Dua Lipa, këngëtarja e famshme, është në Shqipëri së bashku me prindërit, e të dashurin e saj Anwar Hadid.

Ylli i muzikës botërore u prit sot në Bashkinë e Tiranës nga kryebashkiaku Erion Veliaj.

Veliaj i dhuroi këngëtares së famshme një targë simbolike “Dua 100”, kapelen e gruas tironse, si dhe diskun muzikor me këngë popullore të Shqipërisë së mesme, realizuar në 100-vjetorin e Tiranës kryeqytet, “Tirana 100”.

Ndërsa, Dua Lipa i dhuroi Veliajt albumin e saj më të fundit, që po thyen rekordet botërore, “Future Nostalgia”, i cili për 6 muaj ka qëndruar në top 10-en e këngëve më të mira.

Gjatë qëndrimit të saj në Tiranë, Dua është takuar edhe me kryeministrin Rama, i cili i ka kushtuar edhe një postim në rrjetet sociale.

“DUA LIPA që ka kapur qiellin e botës muzikore s'ka nevojë për asnjë koment, ndërsa një koment për Duan që pata kënaqësinë të njoh, unë dua ta ndaj me ju.

Uroj që ajo të rrojë e të mbretërojë 100 vjet në fronin ku është ulur, po brenda meje mbeti gjurma e vajzës së mençur, të edukuar e modeste si të ishte askushi, e cila është me siguri krenaria e lumturia e prindërve dhe e krejt familjes së saj, pikërisht sepse çka i takon botës nga ylli i muzikës, nuk ka prekur asnjë fije atë çka u takon atyre nga vajza e tyre. Çfarë çike”, shkruan kryeministri Rama krah fotos me këngëtaren shqiptare me famë botërore.


Kryeministri Rama me këngëtaren me famë botërore, Dua Lipa

Veliaj dhe këngëtarja Dua Lipa do të inspektojnë edhe punimet për rindërtimin e Kopshtit 42 në Tiranë, i cili u dëmtua nga tërmeti i 26 Nëntorit 2019. Këngëtarja shqiptare do të financojë mobilimin e plotë të kopshtit, me kapacitet 300 fëmijë, ndërsa godina po ndërtohet me ndihmën e Fondit të Katarit.

Këngëtarja shqiptare me famë botërore, Dua Lipa, është duke korrur një sukses të jashtëzakonshëm në botë. Dua ka arritur të fitojë disa çmime këtë vit, si artistja e re më e mirë, artistja më e nominuar në “Brit Aëards 2021” etj.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë