Ne rrjet

Droni, dyshime për armë dhe më pas ndjekja për 2 km, si e sulmoi Izraeli autokolonën e ndihmave humanitare

Gazeta Si - Tre automjete të goditura, dy të blinduara dhe një jo, me një bilanc prej shtatë viktimash, të gjithë punonjës të ndihmave humanitare në Gaza.

Forcat izraelite të mbrojtjes bombarduan të hënën mbrëma, siç e pranoi vetë kryeministri Benjamin Netanjahu kur foli për një "gabim tragjik". Por si ishte e mundur?

Sipas rindërtimit të gazetës “Haaretz”, e cila citon burime të mbrojtjes së Tel Avivit, sulmi filloi për shkak se forcat izraelite dyshonin se një terrorist i Hamasit po udhëtonte me autokolonën.

Mbrojtja konfirmon gjithashtu për “Haaretz” se makinat janë të shënuara me mbishkrimet përkatëse në mënyrë të qartë, por dhoma e operacionit të njësisë përgjegjëse për sigurinë e rrugës, identifikon një person të armatosur në një kamion që udhëtonte së bashku me kolonën e tre makinave.

Kamioni arrin në magazinë së bashku me automjetet, me shtatë punëtorë humanitarë në bord. Pak minuta më vonë, tre mjetet dalin nga magazina pa kamionin, në të cilin ende ndodhet i dyshuari.

Sipas burimeve të Mbrojtjes, ai, i armatosur nuk ka dalë nga magazina, ndaj nuk është larguar me shtatë operatorët.

Sidoqoftë, në një moment të caktuar, ndërsa autokolona po udhëtonte përgjatë rrugës së miratuar, dhoma e operacionit urdhëron pilotët e dronëve të sulmojnë një nga makinat me një raketë.

Në atë moment, sipas “Hareetz”, një dron “Hermes 450” shkon në veprim, i cili do të lëshojë tre raketa kundër kolonës së tre makinave.

Raketa e parë shpërthen. Disa nga pasagjerët, për të shpëtuar veten, zbresin nga makina e goditur dhe hipin në njërën nga dy të tjerat, vazhdojnë udhëtimin dhe informojnë drejtuesit e OJQ-së se janë nën sulm, por pak çaste më vonë, një tjetër raketë godet makinën e dytë.

Mjeti i tretë i autokolonës afrohet, pasagjerët fillojnë të transferojnë të plagosurit që i mbijetuan sulmit të dytë. Por një raketë e tretë i godet ata. Dhe kjo është kur të shtatë punëtorët e World Central Kitchen vriten.

Sajti investigues “Bellingcat” lokalizon kufomat e automjeteve të prekura në periferi të Deir al-Balah, jo shumë larg objekteve të World Central Ktichen.

E para, pak më pak e dëmtuar dhe që nga pamjet duket se ka një vrimë në çati, është ajo e gjetur më në veri.

E dyta, e shkatërruar nga zjarri, u gjet rreth 800 metra më në jug-perëndim, e treta rreth 1.6 km në jug-perëndim ndaj mjetit të parë.

Nga tre makinat e identifikuara, kjo e fundit rezulton të ketë pësuar më shumë dëmtime dhe mund të jetë ajo e pa-blinduar.

Të tre ndodhen rreth 12 kilometra nga skela e sapondërtuar nga OJQ-ja për të zbarkuar ndihmat e sjella nga deti.

Informacion që përkon me atë që u deklarua nga një zëdhënës i OJQ-së: "Kolona u godit duke u larguar nga magazina Deir Al Balah, ku ekipi kishte shkarkuar më shumë se 100 tonë ndihma të sjellë në Gaza përgjatë rrugës detare".

Të tre automjetet u gjetën pranë kufirit të zonës së konsideruar me rrezikshmëri të lartë, por jo në një zonë të ndaluar për akses nga ndihma humanitare.

Për më tepër - siç konfirmohet nga vetë OJQ-ja - lëvizjet dhe dorëzimi u autorizuan nga autoritetet izraelite. Dhe ata kishin, siç tregojnë edhe imazhet, logot dhe shenjat e dukshme në anët dhe çatinë e automjeteve.

Sulmi e të hënës mbrëma nuk është incidenti i parë në të cilin personeli i OJQ-ve të SHBA-së është përfshirë.

Të shtunën, një snajper i IDF-së qëlloi mbi një makinë që shkonte në një magazinë ushqimore në zonën Khan Younis, por vullnetari brenda nuk u lëndua.

World Central Kitchen menjëherë paraqiti një ankesë në IDF pas incidentit dhe i kërkoi ushtrisë të ndalonte të qëllonte mbi stafin e saj dhe të garantonte sigurinë e tyre gjatë shpërndarjes së ushqimit në Rrip.  

Pas këtij episodi, të hënën mbrëma ndodhi sulmi i ri në të cilin vdiqën shtatë punëtorët e World Central Kitchen.

Zëdhënësi i IDF-së, Daniel Hagari tha se ai kishte folur me themeluesin e Ëorld Central Kitchen, José Andrés dhe i kishte shprehur "ngushëllimet më të thella". Por ka ende shumë pyetje të pazgjidhura. Sidomos një. Pse?

Përshtati: Gazeta “Si”


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë