Futboll

Dritëhijet e një kampioni

SkySportNews thotë se mes Gigi Buffon dhe PSG-së është arritur marrëveshja dhe nga sezoni i ardhshëm, portieri që të gjithë presin nga dita në ditë të varë dorëzat në gozhdë, mund të luajë me fanelën e sheikëve.

Sipas SkySportNews përfaqësuesit e tashmë ish-kapitenit të Juventusit ndodhen në Paris për t’u dhënë dorën e fundit detajeve të kontratës 2-vjeçare që e pret 40-vjeçarin në Francë. Nëse gjithçka rezulton e vërtetë, atëherë Gigi nis një aventurë të re pas 17 vitesh tek Juventusi, kohë e kaluar mes trofeve, dështimeve, emocioneve, por edhe skandaleve.

Karriera e Buffon ka patur pikat cenet e saj, brenda dhe jashtë fushës. Cilat janë ato?

Bastet

Në vitin 2006, kur Juventusi sapo ishte rrëzuar në Serinë B si pasojë e skandalit Calciopoli, Gigi u vu në qendër të një hetimi për bastvënie të paligjshme. Para prokurorëve në atë kohë pranoi se vendosur baste, por vetëm për skuadra jashtë Italisë. Dëshmia bindi hetuesit, të cilët pasi kaluan në sitë 5 ndeshje të Juventusit, vendosën ta arkivojnë çështjen. Por italianët nuk u bindën asnjëherë, pasi në shesh dolën transfertat prej 1.5 mln eurosh që Buffon i kishte kaluar një mikut të tij në Parma. Portieri do të mbrohej duke i deklaruar këto para si të ardhura nga paga si lojtar i Juventusit.

Nuk harroi vendlindjen

Në vitin 2010, Carrarese, skuadra e vendlindjes së tij rrezikonte falimentin. Ndërhyu së bashku me mikun futbollist, Cristano Lucarelli, duke marrë 50 për qind të aksioneve. Mënjëherë skuadra modeste u ngjit një kategori më sipër. Nga ana tjetër, nëse Pirlo investoi në vreshtari për pasionin që ka për verën, Buffon në 2011 bleu thuajse 20 për qind të “Zucchi”, një kompani prodhimi tekstilesh.

Buffon me numrin 88 kur luante për Parmën

Politikan dhe i qortuar për simpatinë e hershme për fashizmin

Në konferenca dhe daljet për shtyp nuk fliste gjithmonë për futbollin. U përfshi në debate publike e politike pasi Italia u godit nga kriza financiare pas 2008. Ka qenë i drejtpërdrejtë në gjërat që ka thënë dhe njerëzit, që sipas tij, duhet të drejtojnë vendin. Kjo i ka shtuar disa armiq.

Kur luante tek Parma, disa kohë mbante veshur fanelën me numër 88. Shumë e interpretuan si simpati për fashizmin dhe këtë numër e lidhnin me dy shkronjat “HH”, të parat në parrullën naziste “Heil Hitler”. Në një rast tjetër shfaqi para tifozëve një fanelë mbi të cilën shkruhej “Xhelat për atë që dezerton”, frazë e përdorur nga neonazistët e rajonit të Regio Calabria në vitet ’70. Rasti shkaktoi debat edhe në Parlament. Gigi u justifikua se nuk e dintë burimin e togfjalëshit dhe se qëllimi i tij ishte vetëm sportiv.

Diploma

Në hapat e parë të karrierës si futbollist, nuk kishte diplomën e duhur për t’u regjistruar në universitet. Në vitin 1997 falsifikon një të tillë dhe e dorëzon tek Universiteti i Parmës, por u zbulua në vitin 2001. Ai pranoi fajin dhe pagoi për këtë një gjobë modeste prej 6 mln liretash.

Tradhtia

Konsiderohej si model, brenda dhe jashtë fushësh. Në vitin 2011, kurorëzoi në martesë lidhjen disavjeçare me modelen çeke Alena Seredova, me të cilën ka dy fëmijë. Tre vite më vonë, u njoftua divorci dhe shkak ishte bërë lidhja e fshehtë që ai kishte nisur me gazetaren italiane, Ilaria D’Amico.

Polemikat për gjyqtarët

Karrierën, të paktën si juventin e mbylli me një të tillë. Në ndeshjen e kthimit ndaj Realit në Bernabeu shpërtheu në akuza ndaj gjyqtarit britanik, Oliver, pasi ky i fundit dha një 11-metërsh për madrilenët në minutën e fundit të ndeshjes. U ndëshkua për këtë me karton të kuq, ndërkohë që UEFA ka hapur një hetim për deklaratat e bëra. “Gjyqtari duhet të ketë një kosh plehrash në vend të zemrës”, ishin ndër të tjera fjalët e tij.

 

Më Shumë