Ne rrjet

“Dritë jeshile” nga PE, Kosova një hap më pranë heqjes së vizave

Parlamenti Europian miratoi me shumicë dërrmuese të votave raportin e eurodeputetes Tanja Fajon për liberalizimin e vizave për Kosovën.

Nga 628 deputetë që ishin të pranishëm në sallë në momentin e votimit, 420 votuan pro, 186 kundër dhe 22 abstenuan.

Ky akt ishte drita jeshile e Parlamentit Europian për raportin e Komisionit, që në muajin korrik rekomandoi heqjen e vizave për Kosovën.

Por, pengesat nuk janë tejkaluar plotësisht. Rekomandimi i Komisionit dhe drita jeshile e PE-së do të dorëzohen në Këshillin Europian. Këtu, propozimi do të shqyrtohet nga të gjitha vendet anëtare të Bashkimit Europian, përfshirë Rumaninë, Greqinë, Qipron, Spanjën dhe Sllovakinë, që nuk e njohin ende pavarësinë e Kosovës.

Ajo që mbetet për t’u parë në vazhdim është se si do të procedohet me këto pesë vende anëtare të BE-së, që nuk e njohin pavarësinë.

Me këtë votim Raportuesja, Tanja Fajon u mandatua me detyrën e drejtimit te grupit negociator, që do të përpiqet t'u mbushë mendjen vendeve anëtare që të liberalizojnë vizat me Kosovën.

Vete eurodeputetja sllovene përshëndeti në rrjetet sociale votimin e PE. “Qytetarët e Kosovës janë një hap më pranë udhëtimit pa viza në Europë. Jam e gëzuar që mora dritën jeshile nga Parlamenti Europian me një mazhorancë të madhe për të negociuar me Këshillin e BE-së. Beteja vazhdon me qeveritë e vendeve anëtare dhe nuk do të dorëzohem deri në fund”, shkruan ajo.

https://twitter.com/tfajon/status/1040183445748686848

Reagimi i politikës

Lajmi për votimin në Parlamentin Europian e gjeti Hashim Thaçin në një konferencë për shtyp ku po fliste për dialogun me Serbinë dhe çështjen e kufijve. Por, Presidenti i Kosovës komentoi zhvillimet e fundit përmes një reagimi në rrjetet sociale.

“Qytetarët e Kosovës sot janë edhe një hap më afër drejt realizimit të një të drejte bazike në familjen evropiane, lëvizjen e lirë në zonën Shengen. Jam i bindur se brenda një periudhe të shkurtër kohore, do të përmbyllet tërësisht ky proces dhe qytetarët tanë, pas një rrugëtimi të gjatë dhe tejet të mundimshëm, së shpejti do të jenë të barabartë me të gjithë qytetarët e Bashkimit Europian”, shkruan ai.

Urime përcolli edhe Kryeministri, Ramush Haradinaj.

“Urime qytetarë të Kosovës! Së shpejti do të lëvizni lirshëm në Europë. Falënderues ndaj të gjithë deputetëve dhe grupeve parlamentare, të të gjitha partive e shteteve anëtare, që në Parlamentin Europian e mbështetën të drejtën tonë për lëvizje të lirë”, thotë Haradinaj.

Në Tiranë, i pari që reagoi ishte Kryeministri Edi Rama. Përmes Tëitter-it ai ironizon disi eurodeputetët për këtë votim të vonuar.

"Shyqyr që Parlamenti Europian e hoqi nga vetja njollën me të cilën Europa ka kaq vjet që cënon flamurin e vet duke mos hequr vizat për Kosovën!Kosova mbetet dhe për pak kohë i vetmi vend me viza për në Europë, por kjo e sotmja është një hap për t'u përshëndetur sidoqoftë”, thotë Rama.

Monika Kryemadhi nga LSI e cilëson një lajm të jashtëzakonshëm.

“Kosova në gjithë sakrificat e saj do duhej t’i ishte bashkuar shumë më herët të drejtës për të lëvizur të lirë e pa barriera. Uroj që edhe Këshilli Europian të miratojë sa më parë këtë rekomandim të Parlamentit Europian, për t’i hapur rrugë më pas bashkëpunimit të mëtejshëm të rajonit tonë me Bashkimin Europian”, shkruan kryetarja e LSI-së.

Lëvizja (jo dhe aq) e lirë, çfarë duhet të dijnë qytetarët e Kosovës?

Lëvizje të lirë në zonën Shengen aktualisht kanë rreth 60 vende, përfshirë këtu ato të rajonit tonë që nuk janë anëtare të BE-së. Nga ky regjim përfitojnë bizneset dhe turistët, që nuk mund të qëndrojnë më shumë se 90 ditë brenda zonës Shengen, pra kjo lëvizje nuk mund të përdoret për gjetjen e një pune, apo qëndrimi të përhershëm.

Megjithatë, qytetarët e Kosovës do të duhet të presin edhe pak kohë deri kur rekomandimi pozitiv i Komisionit dhe drita jeshile e Parlamentit të merren në shqyrtim nga Këshilli i Ministrave të Drejtësisë dhe Ministrave të Brendshëm të BE-së, që japin vendimin përfundimtar, procedura këto që duke patur parasysh se majin e ardhshëm votohet në vendet anëtare të unionit për deputetët e rinj të Parlamentit Europian, mund të zgjasin deri në dy vjet.

Në rastin e Shqipërisë, këto procedura zgjatën disa muaj. Vendi ynë mori rekomandimin nga Komisioni në maj të 2010. Në qershor Parlamenti Europian votoi rezolutën mbështetëse ku i kërkonte Këshillit liberalizimin e vizave. Ministrat e Brendshëm dhe të Drejtësisë të BE-së miratuan në nëntor të 2010 rekomandimin e Komisionit dhe liberalizimi hyri në fuqi më 15 dhjetor të po atij viti.

Në vitet e para rregullat e lëvizjes së lirë përgjithësisht u respektuan. Në 2015 pati një fluks të pashembullt të shtetasve shqiptarë që aplikuan për azil kryesisht në Gjermani e Francë. Kjo detyroi autoritetet vendeve të prekura që të shtojnë komunikimin me Tiranën për të parandaluar këtë fenomen.

Menjëherë nisi një fushatë informimi edhe nga Bashkimi Europian, ku theksohej se Shqipëria bënte pjesë tek vendet e origjinës të sigurta dhe shtetasit e saj nuk mund të përfitonin azil. Megjithatë, fenomeni vazhdon ende, ndonëse jo në përmasat e 2015.

Për të shmangur abuzimet e mëtejshme, BE ka ndryshuar rregullat e lëvizjes së lirë. Ndryshimet u miratuan në Parlamentin Europian më 5 korrik të këtij viti. Rregullat e reja do të verifikojnë udhëtarët, të cilëve nuk u duhet viza për të hyrë në BE.

Sipas këtij rregulli, udhëtarët nga 60 vende që nuk janë pjesë e Bashkimit Europian, duke përfshirë dhe shumicën e shteteve të Ballkanit Perëndimor do të jenë pjesë e një procesi verifikues para se të arrijnë në kufirin e Shengenit, duke përdorur Sistemin informativ dhe Autorizues të Udhëtimit në Europë.

Propozimi aktualisht u ka kaluar vendeve anëtare që duhet ta miratojnë atë, për të hyrë në fuqi në vitin 2021.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë