Futboll

Drita fiton Superkupën e Kosovës për herë të parë në histori

Pas titullit kampion, Drita e Gjilanit ka fituar edhe Superkupën e Kosovës, pasi mundi në finale 2-1 Prishtinën e trajnerit Mirel Josa. Ndeshja u zhvillua në stadiumin e rikonstruktuar të Prishtinës, që tashmë mban emrin “Fadil Vokrri”. Ish-lojtari i madh kosovar dhe ish-presidenti i Federatës së Futbollit të Kosovës, u nda nga jeta disa muaj më parë. Për nder të tij u mbaj një minutë heshtje para nisjes së ndeshjes, që u zhvillua në praninë e rreth 10 mijë tifozëve.

Skuadra nga Gjilani, e drejtuar nga trajneri Bekim Isufi, e mbylli pjesën e parë në disavantazh, pasi Prishtina shënoi me anë të Gauthier Makendas. Por gjithçka u përmbys në pjesën e dytë nga “Intelektualët”, pas golave të Fidan Gërbeshit me 11-metërsh dhe Betim Haxhimusës. Ky i fundit shënoi 8 minuta para fundit dhe Prishtina nuk mundi të bënte asgjë në kaq pak kohë. Nuk kanë munguar ngacmimet pas ndeshjes nga futbollistët e dy skuadrave, që sezonin e fundit rivalizuan deri në javën e fundit të kampionatit për titullin kampion. Ndeshja mes tyre në javën e fundit u luajt në stadiumin e Pejës dhe fati u buzëqeshi gjilanasve të fitonin trofeun. Me këtë skuadër aktivizohen aktualisht edhe dy futbollistë shqiptarë, portieri Edvan Bakaj dhe sulmuesi Eri Lamçja. I pari ishte pjesë e kampionatit kosovar që sezonin e kaluar, kur u aktivizua me Lirinë e Prizrenit, ndërsa Lamçja ka shkuar këtë verë në Kosovë, pas aktivizimit me Luftëtarin

Lojtarët e Dritës në nxemje

Duhet theksuar se të pranishëm në stadiumin “Fadil Vokrri” kanë qenë edhe përfaqësues të UEFA-s, të cilët kanë parë gjithçka nga afër, për të vendosur nëse Kosova është gati t’i luajë ndeshjet e saj në këtë stadium apo jo. Ka pasur probleme gjatë pjesës së dytë të ndeshjes, kur tifozët e Dritës kanë hedhur fishekzjarre në fushë. Sigurisht, përfaqësuesit e UEFA-s kanë mbajtur shënime.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë