Futboll

Drejtësi shqiptare në grupet e Europa League, për herë të parë në histori

Një hap shumë i rëndësishëm përpara për arbitrat shqiptarë të futbollit. Gjashtë prej tyre, Enea Jorgji, Denis Rexha, Rejdi Avdo, Ridigers Çokaj, Kridens Meta dhe Juxhin Xhaja, do të gjykojnë ndeshjen AEK Larnaka-Ludogorets, e vlefshme për fazën e grupeve të Europa League. Kjo ndeshje luhet të enjten e ardhshme, më 25 tetor.

Është hera e parë në histori që arbitrat shqiptarë të futbollit gjykojnë në këtë nivel të lartë të futbollit europian. Më parë ata kanë gjykuar në fazat paraeliminatore dhe eliminatore të Kupave të Europës, por asnjëherë në fazën e grupeve. Kryesori Enea Jorgji ka një përvojë të gjatë në ndeshjet ndërkombëtare dhe bën pjesë në kategorinë e dytë të arbitrave të FIFA-s. Pak kohë më parë ai gjykoi edhe ndeshjen e fazës së “play-off”-it në Europa League mes Seviljes dhe Zalgirisit.

Jorgji dhe Avdo gjatë ndeshjes Sevilja-Zalgiris

Paradoksalisht, lajmi i mirë për arbitrat shqiptarë vjen në një moment, kur ata kanë dështuar në testet fizike. Atyre u është dashur t’i japin për herë të dytë testet fizike, që ta “kalojnë klasën”. Klasa arbitrare është kritikuar shpesh vitet e fundit, duke u konsideruar një hallkë problematike në sistemin e futbollit shqiptar, por tashmë ka edhe lajme të mira. Përvoja në ndeshjet ndërkombëtare, sidomos në një nivel të tillë si grupet e Europa League, do të ndikojë në rritjen profesionale të arbitrave tanë.


Copyright © Gazeta “Si”



Më Shumë