Ne rrjet

Drejt zgjedhjeve, 5 arsye pse Joe Biden rrezikon të humbasë kundër Trumpit nëse votimet do të ishin sot!

Sondazhet e fundit e shohin presidentin aktual duke “luftuar” për t’u rizgjedhur në krye të Shtëpisë së Bardhë. Cilat janë pikat e dobëta që e bëjnë "Xhoin e vjetër" të garojë si jo favorit ndaj "Donalit të vjetër"

Gazeta Si - Nëse zgjedhjet presidenciale do të mbaheshin sot, Joe Biden ka të ngjarë të humbiste ndaj Trump, sipas sondazheve.

Shumë strategë të Partisë Demokratike paralajmërojnë se zgjedhjet nuk do të mbahen sot, por pas një viti dhe, për rrjedhojë, thonë se është herët për të gjykuar.

Ata gjithashtu theksojnë se Presidenti Obama u konsiderua gjithashtu "i humbur”, në këtë pikë në mandatin e tij të parë dhe se Biden është i popullarizuar për çështje të tilla, si kujdesi shëndetësor dhe të drejtat e abortit...

Dhe ndoshta frika e një rikthimi të Trump në elektoratin demokrat do të rritet, ndërsa afrohen zgjedhjet e vitit 2024. Por le të shohim arsyet pse Biden është në vështirësi, duke shqyrtuar disa nga sondazhet e fundit.

1. Ekonomia

Përshtypja është se presidenca Biden nuk ka përmirësuar jetën e njerëzve nga pikëpamja ekonomike.

Ky është perceptimi i 53% të elektoratit (dhe 45% e votuesve demokratë dhe të pavarur që priren të votojnë demokratë), të cilët thonë se politika ekonomike e Biden e ka përkeqësuar situatën e tyre ose i ka mbajtur ata si më parë, sipas një sondazhi të ri nga gazeta amerikane “Wall Street Journal”, mbi të cilat punuan ekspertë dypartiakë.

Vetëm 23% thonë se politikat e Bidenit i kanë ndihmuar, ndërsa 49% mendojnë se masat ekonomike të Trump, kur ai ishte president, i sollën përfitim atyre.

Mes të rinjve dhe disa prej elektoratit me ngjyrë, ekziston një ndjenjë se është më e vështirë të jetosh sot në Amerikë sesa për gjeneratën e mëparshme, siç zbuloi një sondazh i “CBS News/YouGov”.

Inflacioni është një nga arsyet e këtij perceptimi. Edhe pse u ul gjatë vitit (më shpejt se sa pritej, duke shkuar nga 9.1%, në 3.1%) dhe pavarësisht numrave të mirë të punësimit dhe rimëkëmbjes së fundit të fuqisë së pagave në raport me çmimet, këto të fundit janë vazhdimisht më të larta.

Është një realitet me të cilin pak amerikanë janë përballur në të kaluarën, shpjegon “Washington Post”, të cilin të gjithë e perceptojnë.

Ekonomia ishte më e fortë nën presidencën e Trump, deri në pandemi. Biden mori miratimin për investime masive në rrugë, ura, infrastrukturë digjitale, nxiti veprim në luftën kundër ndryshimeve klimatike, uli kostot e disa ilaçeve të përshkruara nga mjeku, investoi në punë në prodhimin e gjysmëpërçuesve në Shtetet e Bashkuara.

Por amerikanët shikojnë faturën e super-marketit, çmimin e qirasë dhe të benzinës (një galon kushton një dollar më shumë se në fillim të presidencës Biden, edhe pse në rënie në krahasim me kulmin e pushtimit post-rus të Ukrainës).

2. Mosha

Si Biden, ashtu edhe Trump janë presidentët më të vjetër që Amerika ka pasur ndonjëherë. Por amerikanët duket se i kushtojnë më shumë vëmendje moshës së Bident sesa Trumpit, i cili ka probleme më serioze me të gjitha problemet e tij ligjore.

Gjyqet me të cilin djali i Joe Biden, Hunter do të përballet vitin e ardhshëm për evazion fiskal dhe posedim të një arme disa vite më parë (në formular ka akuza edhe për përdorimin e tij të drogës) dhe mundësinë e shkarkimit të presidentit nga Kongresi me akuza në lidhje me marrëdhëniet e biznesit të vetë Hunterit, mund t’i shtojnë dhimbjet e kokës presidentit.

3. Izraeli

Në shtetin kyç të Miçiganit, ku ka një popullsi të madhe arabo-amerikane veçanërisht në Detroit, vetëm 27% e elektoratit demokrat është entuziast për atë që Biden ka bërë deri tani në përgjithësi, sipas një sondazhi të “Washington Post/Monmouth University”

Pikërisht në Miçigan dhe në shtete të tjera vendimtare për të fituar në vitin 2024, disa liderë të komuniteteve arabo-amerikane dhe myslimane amerikane kanë nisur fushatën "Abandon Biden", të zhgënjyer sepse presidenti nuk ka bërë thirrje për një armëpushim në Gaza.

Biden ka filluar të kritikojë më qartë kryeministrin Netanjahu, por për shumë progresistë kjo nuk mjafton. Një ish-këshilltarm, Bernie Sanders vëren se në disa komunitete qëndrimi i presidentit ndaj luftës në Gaza nuk shihet vetëm si një zgjedhje e politikës së jashtme; trajtimi i palestinezëve shihet si një çështje racore.

Ata sigurisht nuk po mendojnë të mbështesin Trumpin, por po mendojnë të mos votojnë fare ose të zgjedhin një kandidat të palës së tretë, si Cornel West (të Gjelbërit) ose Claudia De la Cruz (Socialistët).

4. Elektorati afro-amerikan

Për votuesit me ngjyrë, dy çështje të rëndësishme ishin borxhi i studentëve dhe e drejta e votës në shtetet jugore, por Gjykata e Lartë bllokoi një plan prej 430 miliardë dollarësh për të eliminuar ose ulur borxhet e 40 milionë amerikanëve.

Edhe kur Partia Demokratike kontrollonte Kongresin, Biden nuk arriti të fitonte konsensusin për të miratuar ligje që do të kapërcenin rregullat më kufizuese të votimit të prezantuara në disa shtete konservatore.

5. Kufiri me Meksikën

Për ta bërë Kongresin të miratojë ndihmën ushtarake për Ukrainën, Biden mund të duhet të negociojë një marrëveshje imigracioni me republikanët.

Presidenti ka thënë tashmë se është i gatshëm të bëjë kompromis për disa masa që do ta bënin më të vështirë për emigrantët dhe azilkërkuesit hyrjen në Shtetet e Bashkuara, diçka me të cilën pajtohet elektorati qendror i partisë së tij.

Por krahu i ekstremit të majtë beson se Biden po lëviz shumë në të djathtë dhe flet për një kthim në disa politika të epokës së Trump.

Përshtati: Gazeta “Si”


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë