Ajo lajthitje në fundin e ndeshjes me Sasuolon do t’i kushtojë nga tre deri në pesë ndeshje skualifikim brazilianit të Juventusit, Douglas Kosta. Jo vetëm kaq, por edhe një gjobë prej 100.000 eurosh për të. Pështyma e lojtarit të Juventusit në fytyrën e Di Françeskos ka marrë gjithë vëmendjen mediatike, duke kaluar në plan të dytë edhe dygolëshin e Kristiano Ronaldos. Tashmë fokusi është te pasojat për atë gjest të brazilianit dhe gjithçka varet nga interpretimi që do të bëjë Gjykatësi Sportiv, pasi të vlerësojë edhe provën televizive.
Në bazë të rregullores, është e qartë se Kosta nuk do të jetë në ndeshjet me Frozinonen, Bolonjën dhe Napolin, sepse pështyma klasifikohet si sjellje e dhunshme dhe tri ndeshje dënim është minimumi. Nëse Gjykatësi Sportiv e konsideron sjellje të dhunshme dhe të rëndë, mund të japë dënimin prej 5 ndeshjesh për këtë lojtar, që do të humbte edhe ndeshjet me Udinezen dhe Xhenoan. Kjo është mundësia më e madhe, duke ditur se nuk do të trajtohet vetëm pështyma, por edhe bërryli që Kosta i dha kundërshtarit në atë aksion. Në Champions, në një rast të tillë Mihajloviç është dënuar 8 ndeshje, Toti 4 në Europian, kurse Rosi dhe Laveci, dy rastet e fundit në Serinë A, nga 3 ndeshje.
Gjoba për brazilianin do të jetë minimumi 20 mijë euro, që korrespondon me 5% të rrogës së tij. Por, në rast se dënimi do të jetë i rëndë, gjoba mund të shkojë në 100.000 euro nga Juventusi për lojtarin e vet. Douglas Kosta kërkoi falje publikisht në Instagram, ndërkohë që një tifozi që e ka pyetur për versionin e tij, ai i është përgjigjur: “Ti nuk e di çfarë më ka thënë Di Françesko, por është më mirë për ty. U kërkoj falje të gjithë atyre që duhet t’u kërkoj, sepse kam gabuar”. Në rrjetet sociale ka ardhur menjëherë mbështetja e shokëve të skuadrës për lojtarin e Juventusit.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.