Rend dhe Ligj

Dosja “Tahiri”, Gjykata e Lartë regjistron rekursin e Tahirit dhe Çelës

Gjykata e Lartë regjistron dosjen në ngarkim të ish-ministrit të Brendshëm, Saimir Tahiri dhe ish-drejtuesit të Policisë së Vlorës, Jaeld Cela.

Mësohet se në këtë gjykatë, Tahiri ka kundërshtuar vendimin e Apelit të Posaçëm të 26 qershorit, që e ktheu dosjen në ngarkim të tij për rigjykim në Shkallën e Parë.

Tahiri dhe Çela i kërkojnë Gjykatës së Lartë të prishë vendimin e Apelit dhe të pushojë çështjen ndaj tyre. Relatori i çështjes në Gjykatën e Lartë do të jetë gjyqtari Ilir Panda.

Vitin e kaluar, Saimir Tahiri u dënua me 5 vite burg të konvertuara me gjykim të shkurtuar në 3.4 vite shërbim prove dhe dënimi u dha për shpërdorim detyre. Prokuroria e Krimeve të Rënda nga ana tjetër kërkonte 12 vite burg për Tahirin për 3 vepra penale “trafikim i narkotikëve” në bashkëpunim në formën e grupit të strukturuar kriminal, “kryerja e veprave penale nga organizata kriminale”, “grup i strukturuar kriminal”.

Si përfundim të dyja palët, si Tahiri dhe Prokuroria nuk pranuan dënimin me 3.4 vite shërbim prove dhe e apeluan zyrtarisht në Gjykatën e Posaçme të Apelit.

Saimir Tahiri ka qenë në hetim nga prokuroria italiane prej datës 27 tetor 2017 me akuzën e trafikut të drogës mbi bazën e përgjimeve të çështjes Habilaj.    


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë