Rend dhe Ligj

Sistem i ri gjobash, deri në 2 miliardë lekë për shkelësit e të dhënave personale

Gazeta Si - Shkelësit e ligjit për mbrojtjen e të dhënave personale do të gjobiten deri në 2 miliardë lekë.

Qeveria shqiptare, do të të propozojë disa ndryshime në ligjin “Për mbrojtjen e të dhënave personale”, për të forcuar më shumë mekanizmat mbrojtës, por edhe për të dënuar shkelësit. Masa e gjobës do të jetë e njëjtë si ajo që zbatohet në vendet e Bashkimit Europian.

Në ndryshim nga ligji aktual, i cili nuk përmban parashikime të posaçme, me këtë projektligj parashikohen për herë të parë rregulla mbi përpunimin e të dhënave personale nga autoritetet kompetente për sigurinë publike ose kombëtare dhe për parandalimin dhe ndjekjen e veprave penale.

"Shkelja e detyrimit për bashkëpunim apo e çdo akti të Komisionerit, sipas paragrafit 1 të nenit 85, moszbatimi i një urdhri, apo kufizimi të përkohshëm ose përfundimtar të përpunimit, ose, pezullimi të shkëmbimit të të dhënave, i nxjerrë nga Komisioneri në përputhje me gërmën b) të paragrafit 2 të nenit 85, duke marrë parasysh edhe faktorët e përcaktuar në paragrafin 2 të këtij neni, përbën kundërvajtje administrative dhe dënohet me gjobë deri në 2 000 000 000 lekë, ose në rastin e një ndërmarrjeje, deri në 4% të xhiros totale vjetore globale për vitin financiar paraardhës, cilado që është më e lartë”, thuhet në ligj.

Në lidhje me arkëtimin e gjobave, në ndryshim nga ligji aktual në fuqi, propozohet që gjobat të arkëtohen në masën 90% në buxhetin e shtetit.

Ndërsa pjesa tjetër e tyre të arkëtohet në llogarinë e Zyrës së Komisionerit, si një mbështetje buxhetore me qëllim realizimin e detyrave në kuadër të ushtrimit të veprimtarisë së saj.

Ky projektligj, parashikon rishikim të mandatit dhe kompetencave të Komisionerit në interes të pavarësisë së tij dhe ushtrimit të funksionit për mbikëqyrjen e zbatimit të ligjit duke parashikuar për herë të parë, kompetenca ndihmëse, hetimore dhe korrigjuese.

“Në funksion të mbrojtjes së të dhënave personale, krahas detyrimeve të parashikuara nga legjislacioni aktual parashikohen edhe detyrime të reja për kontrolluesit dhe përpunuesit si “kryerja e vlerësimit të ndikimit në mbrojtjen e të dhënave personale përpara fillimit të një procesi përpunimi, detyrimi për tu konsultuar paraprakisht me Komisionerin përpara fillimit të përpunimit të dhënave, në rast se ky përpunim rezulton me rrezik të lartë për subjektin e të dhënave, detyrimi për emërimin e një nëpunësi të mbrojtjes së të dhënave, si dhe prezantimi për herë të parë i kodeve të sjelljes dhe mekanizmave të certifikimit”, - thuhet në ligj.

Konkretisht, në një nga termat më të rëndësishëm në fushën e mbrojtjes së të dhënave personale është pëlqimi.

Përkufizimi i këtij termi ka ndryshuar në mënyrë tillë, që si pëlqim të merret çdo element tregues të vullnetit të subjektit të të dhënave, të dhënë lirisht, të informuar dhe të qartë nëpërmjet të cilit ai, me anë të një deklarate ose me një veprim të qartë pohues, shpreh dakordësinë për përpunimin e të dhënave personale që lidhen me të, për një ose më shumë qëllime specifike.

Ndërkaq, janë prezantuar terma të reja në projektligj si, përpunimi i mëtejshëm, të dhënat e pseudo-minizuara, si dhe shtimi i kategorive të të dhënave sensitive.

Nisma e re e qeverisë parashikon një sërë ndryshimesh ligjore në mënyrën e administrimit të të dhënave personale.

Po ashtu, ajo forcon rolin e Komisionerit për Mbrojtjen e të Dhënave Personale e nga ana tjetër edhe rrit ndjeshëm penalitetet për ata që abuzojnë me këto të dhëna.

Nisma vjen pas skandalit të publikimit të pagave, me të dhënat personale, numrat e telefonit dhe targat e makinave të rreth 700 mijë shtetasve shqiptarë në fillim të këtij viti.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë