Drejtësia

Dosja e skandalit të publikimit të pagave shkon në gjyq, nën akuzë 4 persona

Gazeta Si - Gjashtë muaj pas skandalit të publikimit të dy databazave me pagat e 650 mijë qytetarëve shqiptarë në administratën shtetërore dhe atë private, dosja shkon në gjyq.

Prokuroria e Tiranës ka mbyllur hetimet, duke marrë të pandehur 4 persona, dy punonjës të AKSHI-t dhe dy persona private.

Sipas dëshmisë së vetë punonjësve, të dhënat pasi janë marrë nga databaza shtetërore, u janë dhënë personave privatë.

Ndërkohë që përveç publikimit të tyre në mediat dhe rrjetet sociale, nuk është e qartë për çfarë janë përdorur.  

Eni Qirjako, specialiste IT e Agjencisë Kombëtare të Shërbimit të informacionit (AKSHI) dhe Andi Agaraj, specialist IT pranë këtij institucioni, akuzohen nga prokuroria për “Shpërdorim detyre” dhe “Korrupsioni pasiv i personave që ushtrojnë funksione publike”.

Dy të proceduarit e tjerë, Klodian Sota, punonjës menaxher pranë kompanisë "Smart Collection" dhe Endri Ikonomi, që punonte si drejtor i Përgjithshëm në kompaninë “Credit 2 ALL”, akuzohen për "Korrupsion aktiv i personave që ushtrojnë funksione publike".

Ndaj punonjësve të AKSHI-t, rëndojnë akuzat për “Shpërdorim detyre”, “Korrupsioni pasiv i personave që ushtrojnë funksione publike” dhe 2 të pandehurit e tjerë, akuzohen"Korrupsion aktiv i personave që ushtrojnë funksione publike".

Pas zbardhjes së skemës dhe bashkëpunimit me drejtësinë, të pandehurit u liruan. Kështu, gjykata vendosi masën e sigurisë “detyrim paraqitje“ për Qirjakon.

Për Andi Agarajn gjykata caktoi masën “arrest shtëpie”, ashtu si dhe për dy përmbaruesit Klodian Sota dhe Endri Ikonomi.

Ishte specialistja e IT te Tatimet, Eni Qirjako, ajo që mori të dhënat për pagat nga sistemi dhe ia kaloi kolegut të saj të IT, Andi Agaraj.

Të dy kishin mundësi dhe akses te të dhënat e databases, si të punësuar që ishin. Më pas Agaraj i ka shitur për një vlerë 20-30 mijë lekë për çdo databezë këto të dhëna private te 2 përmbarues privat, të cilët më pas i shpërndanë këto të dhëna në rrjete sociale.

Hetimi ka provuar se Agaraj, këto të dhëna ia ka transferuar, Klodian Sotës, menaxher në kompaninë “Smart Collection” dhe Endri Ikonomit, përmbarues privat.

Hetimet e Prokurorisë, vijojnë për sa i përket zbulimit të autorëve të nxjerrjes së të dhënave të targave të mbi 530.452 automjeteve të qytetarëve privat dhe për 61.513 biznese, banka, ambasada etj.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë