Drejtësia

Shfryhet skandali i listës së pagave / 4 zyrtarët i shpëtojnë burgut, dënohen vetëm me shërbim prove

Gazeta Si – Më shumë se një vit pas skandalit të ashtuquajtur të listës së pagave, 4 të akuzuarit që dyshohet se publikuan të dhënat private të rreth 600 mijë shqiptarëve, do të dënohen vetëm me shërbim prove dhe nuk do të vuajnë asnjë ditë në burg.

Kjo, pasi Gjykata e Tiranës ka dhënë vendimin për të akuzuarit, konkretisht: Eni Qirjako është dënuar me 32 muaj shërbim prove; Andi Agaraj, 4 vite shërbim prove; Klodian Sota, 32 muaj shërbim prove dhe Endri Ikonomi, 32 muaj shërbim prove.

Katër zyrtarët u dënuan fillimisht me 6 vite burg në total, por që u konvertohet në 12 vite shërbim prove.

Të pandehurit përfituan uljen e një të tretës së dënimeve me burg për shkak të gjykimit të shkurtuar, por asnjë prej tyre nuk do të shkojë në qeli.

Për Eni Qirjakon, specialiste IT e Agjencisë Kombëtare të Shërbimit të informacionit (AKSHI), u kërkua dënim me 2 vite, që për shkak të gjykimit të shkurtuar bëhet 16 muaj, dënim i cili të konvertohet në shërbim prove 32 muaj.

Për Andi Agaraj, specialist IT te AKSHI, është kërkuar dënim me 2 vite për dy akuza ‘shpërdorim detyre’ dhe korrupsion, pra 4 vite gjithsej, që për shkak të gjykimit të shkurtuar bëhet 36 muaj burg dhe pezullimin e tij ne 4 vjet shërbim prove.

Për Klodian Sota, punonjës menaxher pranë kompanisë "Smart Collection" dhe Endri Ikonomi, që punonte si drejtor i Përgjithshëm në kompaninë “Credit 2 ALL” është kërkuar nga 24 muaj burg dhe pezullim ne 32 muaj shërbim prove.

Pas arrestimit, të akuzuarit nuk qëndruan gjatë në qeli. Eni Qirjako, specialiste e IT-së në Drejtorinë e Përgjithshme të Tatimeve, ka pranuar të bashkëpunojë me prokurorinë për zbardhjen e gjithë skemës së vjedhjes së të dhënave të pagave. Pas shoqërimit në polici, kolegu Andi Agaraj i kishte kërkuar asaj riformatimin e kompjuterit për të humbur gjurmët, por Qirjako nuk pranoi dhe i la serverat të paprekur.

Pas përballjes me provat, edhe specialisti Andi Agaraj ka pranuar të bashkëpunojë me drejtësinë, duke u treguar prokurorëve emrat e dy përmbaruesve që u kishte shitur të dhënat dhe shumën e parave që kishte marrë në këmbim.

Kështu, gjykata vendosi masën e sigurisë “detyrim paraqitje“ për Qirjakon. Për Andi Agarajn gjykata caktoi masën “arrest shtëpie”, ashtu si dhe për dy përmbaruesit Klodian Sota dhe Endri Ikonomi.

Hetimet nxorën në pah se të dhënat e qytetarëve shqiptarë u përdorën vetëm për 20-30 mijë lekë. Katër të arrestuarit akuzohen për shpërdorim detyre të kryer në bashkëpunim dhe korrupsion.

Referuar dosjes hetimore, të dhënat e administruara nga Klodian Sota dhe Endri Ikonomi, dy personat e punësuar në subjekte private që kanë blerë të dhënat, i kanë marrë këto kundrejt shumave nga 20 mijë deri në 30 mijë lekë përmes “Hard Disqeve” të jashtme të cilat janë vënë në dispozicion nga Andi Agaraj.

Eni Qirjako i ka dërguar specialistit të IT-së, Andi Agarajt të dhënat që lidhen me pagat e shqiptarëve përmes e-mail-it. Transferimi i të dhënave është bërë në intervale të ndryshme kohore, nga tetori i vitit 2020, deri në shtator të vitit 2021.

Për këtë, ajo ka lajmëruar menjëherë drejtorin e saj, Ervin Muçën, ku i ka bërë të qartë se user-i i krijuar me emrin “Moza Seraj” është ai që ajo përdor në aksesimin e të dhënave nga ana e saj.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë