Lajme

Dosja italiane e Admir Thanzës: Vidhte rroba dhe kozmetikë

Prokuroria e Tiranës ka zbardhur detaje nga implikimi i ish-gjyqtarit të lartë, Admir Thanza në një vjedhje të kryer prej tij 20 vite më parë, një ngjarje e bërë shkak që 50-vjeçari të përjashtohet nga drejtësia. Duke u bazuar te letërporosia e përcjellë nga italianët, në kërkesën për gjykim, prokuroria tregon:

Qershorin e 1999-ës Admir Thanza, në atë kohë kryetar i gjykatës Shkodër, gjendej me pushime në Itali. Më 18 qershor, në bashkëpunim me gruan dhe kunatën për qëllime përfitimi materiale ai ka marrë rroba dhe produkte kozmetike. Vjedhja ka ndodhur në supermarketin Continental në San Guliëno Terme. Pas njoftimit nga kompania, në atë kohë kryegjykatësi i Shkodrës është arrestuar dhe më pas është lënë i lirë.

Fillimisht është dënuar me dy muaj burgim dhe 150 mijë lireta gjobë, por në përfundim dënimi i shpallur i ka zbritur në 40 ditë heqje lirie dhe 100 mijë lireta gjobë, një vendim ky i pezulluar më tej me kushtin që të mos kryente vepër tjetër.

Në dosjen e përcjellë në gjykatë, prokurorët shprehen se ish-gjyqtari i lartë ka mohuar të ishte implikuar në këtë ngjarje dhe, sipas tij, ai nuk e ka deklaruar as në formularin e dekriminalizimit. Por, ajo që e hedh poshtë dhe e tradhton ish-gjyqtarin Thanza është dosja gjyqësore italiane me numër 733/99, ku detajohen në akte se realisht gjyqtari ka vjedhur, një krim për të cilin gjatë vettingut ai u shfajësua, duke thënë se e kishte marrë përsipër ngjarjen për të shpëtuar kunatën, që ishte kujdestare e nipit të sëmurë.

Admir Thanza, gjyqtar në Gjykatën e Lartë, është një figurë e rëndësishme e drejtësisë shqiptare, pasi ka pasur një karrierë në ngjitje në të gjitha shkallët e gjyqësorit. Por ka qenë seanca gjyqësore e Komisionit të Pavarur të Kualifikimit që i nxori një mori problemesh. Gjyqtari Thanza ngeci në Vetting për falsifikim të formularit të dekriminalizimit.

Hetimi i thelluar i KPK-së e “fundosi” Admir Thanzën, i cili rezultonte pronar i disa apartamenteve, për të cilët nuk justifikonte pasurinë, i proceduar penalisht për korrupsion, i dënuar në Itali me 40 ditë burg dhe 100 mijë lireta për vjedhje, dënim të cilin e ka fshehur në formularin e dekriminalizimit. Ky dënim nuk u zbulua as nga shërbimet inteligjente, as nga DSIK, as nga institucionet shqiptare, por ishin përfaqësuesit e Operacionit Ndërkombëtar të Monitorimit që ndihmuan palën shqiptare me dënimin e formës së prerë të marrë në Itali.

Vetë gjyqtari, i pranishëm në seancën dëgjimore të zhvilluar në korrik të këtij viti ka pranuar dënimin në Itali, duke thënë se ishte përfshirë në vjedhje për raporte humanizmi dhe për shkak të marrëdhënieve familjare.

Ai pati deklaruar se ka pranuar dënimin për të shpëtuar jetën e nipit të tij. Ndër të tjera sqaroi se ka marrë përsipër një dënim të kunatës, vetëm që nipi i tij 9-vjeçar të kurohej në Itali.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë